E Shtunë, 31 Tetor 2026

Memelli: Tirana, i dua të dy trofetë

Titulli kampion dhe Kupa e Shqipërisë janë dy objektivat e mundshëm për t‘u realizuar nga Tirana, e cila nuk ka ndërmend të lëshojë pe në asnjë prej këtyre kompeticioneve. Këtë e konfirmon edhe golashënuesi i saj, Migen Memelli (14 gola), i cili konfirmon se rivalët e bardhebluve në luftën për titull nuk janë vetëm Vllaznia dhe Dinamo, por edhe Shkumbini. Tirana udhëton sot drejt Ballshit, ndërsa Vllaznia do të luajë në transfertë me Apoloninë, një tjetër ekip pjesë e zonës së ftohtë të Superligës, ku bardheblutë shpresojnë në një hap fals të shkodranëve, pavarësisht se edhe takimi në "Loni Papuçiu" do të luhet pa shikues. "Vllaznia, Dinamo, e pa përjashtuar edhe Shkumbinin, janë rivalet më të mëdha tona në kampionat. Një rezultat negativ i Vllaznisë në Fier do të na ndihmonte edhe më shumë në rrugën e titullit. Tani jemi të qetë, pasi siguruam edhe vendin në gjysmëfinale, por ne i synojmë të dyja trofetë e këtij sezoni, pasi janë shpenzuar shuma të mëdha financiare nga ana e presidentit Refik Halili", përfundoi sulmuesi bardheblu, Memelli. Fitoren e saj më të thellë gjatë këtij sezoni, Tirana e ka arritur pikërisht me Bylisin (6-2), pavarësisht se në Fazën I në Ballsh nuk shkoi më tej se barazimi 0-0. Ndërsa sot në Ballsh të dyja skuadrat do të përballen për herë të tretë dhe të fundit gjatë këtij sezoni dhe kryesuesit e Superligës (44 pikë) vlerësojnë se nuk do të lejojnë të humbasin pikë të tjera në një takim që do të luhet pa praninë e shikuesve. Memelli shënoi tre nga gjashtë golat që realizuan bardheblutë në fitoren tenistike kundër Bylisit, teksa më parë këtë e kishte bërë kundër Flamurtarit (3-1). "Natyrshëm që në Ballsh do të shkojmë për të fituar. Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për ecurinë tonë, pavarësisht se kryesojmë me dy pikë më shumë se Vllaznia, nënvizon Migen Memelli. Bylisi i mori pikë Vllaznisë një javë më parë në Shkodër, por fakti që luajnë në fushën e tyre pa shikues, na krijon më shumë qetësi në lojën tonë. Ndoshta shënoj sërish kundër tyre, pavarësisht se në këtë fazë që ndodhet kampionati nuk ka rëndësi se kush shënon, por fitorja dhe pikët". Ndërkohë Memelli nuk harron edhe objektivin personal, atë të shënimit të golit në këtë ndeshje. Ai mund të shënojë një rekord personal në aktivizimin e tij të parë me Tiranën, pasi lufton për dy trofe kolektivë, kampionat e kupë, si dhe një individual, "Këpucën e Artë" të kampionatit shqiptar. Vllaznia, e cila do të luajë në shtëpinë e Apolonisë, duhet t‘i bëjë llogaritë pas Sinanin, i cili rezulton i dëmtuar në rrëzë të kofshës. Ndërsa pjesa tjetër e ekipit është në dispozicion të trajnerit Haxhiosmanoviç, i cili shpreh optimizëm për marrjen e trepikëshit në Fier. Një "kockë e fortë mbetet Dinamo, që sot ndaj Flamurtarit do të kërkojë të ruajë serinë e fitoreve nën drejtimin e Shkëlqim Muçës. Ndeshjet e tjera janë Partizani-Besa, Teuta-Lushnja dhe Elbasani-Shkumbini.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›