Memelli çmend tulipanin, sulmuesi 18 gola me Tiranën
Trajneri i Kombëtares, Ari Han, ndoqi në “Selman Stërmasi” takimin më “prodhimtar” të javës së 17-të dhe të të gjitha javëve të zhvilluara deri tani, Tirana-Bylis (6-2). Pa dyshim që forma e jashtëzakonshme e Migen Memellit (tre gola në këtë takim), duhet t’i ketë rënë në sy holandezit të famshëm. Sulmuesi i Tiranës, njëherësh edhe golashënuesi më i mirë i kampionatit shqiptar (10 gola në kampionat, 8 gola në Kupën e Shqipërisë), e meriton një ftesë në Kombëtaren shqiptare, aq më tepër që në katër takimet zyrtare në eliminatoret e Kampionatit Botëror sulmi shqiptar ka shënuar vetëm një nga tre golat e shënuar (Bogdani në fitoren 3-0 kundër Maltës). Memelli nuk është i panjohur në ambientet e kuqezinjve, pasi ka qenë grumbulluar më parë edhe nga ish-trajneri Oto Bariç për ndeshjen miqësore kundër Maqedonisë, por dhe nga Hani në grumbullimin e muajit janar të këtij viti në Antalia, ku Memelli shënoi edhe dy golat në miqësoren kundër skuadrës kazakistaneze, Kazaskyn (2-2).
28 Dhjetor 2008