Sabino, “Plaku i Vitit të Ri” në Shkodër
Ajo që konsiderohej nga 8 mijë shikuesit e pranishëm në “Loro Boriçi” si festa e “kampionëve të dimrit”, Vllaznisë, përfundoi me fitoren e çmuar të miqve nga kryeqyteti, Dinamos (0-1), teksa heroi i takimit ishte portieri Elvis Kotorri.
Golin e “vdekjes” për kampionët në fuqi e realizoi në minutën e 88-të nga pika e bardhë Sabino Plaku, i cili u frenua në mënyrë të parregullt nga Suad Lici. Sulmuesi dinamovit i huazuar nga finlandezët e HamKam gjuajti mjeshtërisht në portën e mbrojtur nga portieri zëvendësues i Armir Grimës (së dëmtuar), Gaspër Ndoja. Me këtë gol, 23-vjeçari Sabino Plaku barazoi Sinanin në kuotën e 8 golave.
Në supersfidën e javës së 17-të të Kategorisë Superiore, i humburi i madh ishte Vioresin Sinani, i cili nuk mundi të realizonte nga pika e bardhë edhe pse e gjuajti atë dy herë rresht (57’ e 59’), falë reflekseve të jashtëzakonshme të portierit të Dinamos, Elvis Kotori.
Golashënuesi më i mirë i Vllaznisë humbi edhe kryesimin e renditjes specifike “snajperëve” të Superligës, ku tashmë kryeson bindshëm me 10 gola Migen Memelli i Tiranës.
Edhe pse gjyqtari Lorenc Jemini e shtoi ndeshjen shtatë minuta, formacioni i Agim Canajt (me meritë kampion i dimrit) nuk arriti të shënojë golin e nderit, duke pësuar humbjen e parë në shtëpi dhe pas një serie prej katër fitoresh.
Pas përfundimit të pjesës së parë të sezonit, Vllaznia kryeson sërish, por tashmë diferenca me Tiranën e vendit të dytë u reduktua në +4 pikë, ndërsa ndaj kundërshtarëve me të cilët pësoi humbjen e paparashikuar, Dinamon e vendit të tretë, ka një diferencë prej +5 pikësh.
Kjo ishte dhe humbja e tretë sezonale e shkodranëve dhe e 48-ta ndaj Dinamos në 122 ndeshje historike, që nga kampionati i vitit 1950.
Kampionati “merr pushimet” dimërore, për t’iu rikthyer stadiumeve me ndeshjet e javës së 18-të, më 31 janar, ku Vllaznia do të luajë kundër Shkumbinit në Peqin, ndërsa Dinamon do të presë në shtëpi Tiranën, në një derbi përcaktues për vendin e dytë.
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 17
Partizani-Flamurtari 2-0
Shënues: Babamusta 2’, Hallaci
Tirana-Bylis 6-2
Shënues: Nevez 2’ (autg), Memelli 5’, 34’, 58’ Muzaka 15’. D.Xhafaj 32’/ Bakiu 11’, 49’ (11-m)
Elbasani-Besa 0-1
Shënues: /Mërtiri 70’
Apolonia-Teuta 1-0
Shënues: Dhrami 62’ (11-m)
Vllaznia-Dinamo 0-1
Shënues: /Plaku 88’ (11-m)
Të premten, 26.12.2008
Lushnja-Bylis 1-1
Shënues: Arbëri 75’/ Nora 84’
Renditja
1.Vllaznia 34
2.Tirana 30
3.Dinamo 29
4.Besa 28
5.Teuta 24
6.Shkumbini 24
7.Flamurtari 23
8.Elbasani 20
9.Bylis 17
10.Apolonia 15
11.Partizani 13
11.Lushnja 13
Elbasani humb në “ditën” e Lazes
“Presidenti Laze, krenaria e Elbasanit”, “Me Lazen bëhemi kampionë”. Këto ishin disa nga banderolat e shumta që kishin “pushtuar” stadiumin “Ruzhdi Bizhuta”, ku mbi 3 mijë tifozë thirrën në kor emrin e presidentit të arrestuar të Elbasanit, Arben Laze, në një ndeshje që pa fituese me meritë Besën e Kavajës (0-1), falë golit të Ilirjan Mërtirit në minutën e 70-të.
Protesta e verdhebluve ndaj operacionit “Mesfushori” nisi me daljen në fushë me dhjetë minuta vonesë të futbollistëve (takimi filloi në orën 13:40 dhe jo në orën e përcaktuar 13:30). Kulmi arriti kur një tifoz çau kordonin e policisë, mori fëmijën dhe e vendosi në zonën e 16 metrave në zonën e Elbasanit, duke mbajtur edhe një karton të kuq në shenje proteste për arrestimin e Lazes. Pjesa e parë ka qenë më e mirë për miqtë, të cilët e kanë rrezikuar disa herë seriozisht portën e mbrojtur nga Osmani, por pa arritur të shënojnë. Futbollistët e Elbasanit kanë bërë një lojë kaotike duke mos u lidhur me njëri-tjetrin. Dyshja sulmuese Abazaj-Xhafa ka lënë shumë për të dëshiruar, që gjatë 45 minutave të para nuk ka gjuajtur asnjë herë drejt portës së portierit Dura. Pjesa e dytë ka qenë fotokopje e së parës. Në minutën e 60-të kosovari Haliti i kishte të gjitha mundësitë për të shënuar golin e avantazhit, por ka gabuar. Në minutën e 66-të trajneri Ilir Daja ka bërë dy zëvendësime, duke irrituar tifozerinë e pakët kavajase të pranishme në tribunën e “Ruzhdi Bizhutës”. Ai ka larguar nga loja kapitenin Kuli dhe Ishkën, dhe në vend të tyre ka futur në lojë Krasniqin dhe Abilaliajn. Ky ndryshim do të rezultojë i suksesshëm për Besën, pasi në të 70-tën Mërtiri do të shënojë golin e avantazhit, i cili do t’i jepte dhe tri pikët skuadrës së tij në përfundim të 90-të minutave. Elbasani, gjatë gjithë lojës, ka bërë vetëm një gjuajtje në portën e Durës dhe atë vetëm në minutën e 83-të, me anë të Bejzades. Kjo humbje e dërgon Elbasanin akoma e më poshtë, duke dalë tashmë nga çdo objektiv dhe do t’i duhet të luftojë për mbijetesë mes më të mirëve. Gjithsesi, Elbasani bëri shumë pak për ta fituar takimin (vetëm një gjuajtje e rrezikshme në portën e mbrojtur nga Bledar Dura). Kjo ishte fitorja e dytë sezonale e Besës ndaj Elbasanit (edhe në fazën e parë fitoi 1-0) dhe e 48-ta historike e kavajasve në 110 ndeshje me Elbasanin (33 fitore). Ajo që vlen për t’u theksuar është fakti se Elbasani nuk fiton prej shtatë ndeshjesh në këtë kampionat, ku e fundit është ajo kundër Tiranës (1-0), në javën e 10-të. Besa konsolidoi vendin e katërt, tani me katër pikë më shumë se Teuta e vendit të pestë.
28 Dhjetor 2008