Ishaka, Periç, Deliovski: 3 gola të huaj në “Loni Papuçiu”

Albania-sport- Barazim dramatik në "Loni Papuciu". Apolonia e Andrea Markos mbylli një tjetër ndeshje me sukses, pas fitores së vështirë më Shkumbinin (0-1) javën e kaluar, por kësaj radhe pika e cmuar u sigurua vetëm në minutat e fundit dhe përballë një kundërshtari me peshë, sic ishte kampioni në fuqi i Shqipërisë, Elbasani.
Ekipi i Edmond Gëzdarit (dy ndeshje, vetëm 1 pikë) u shfaq rrezikshëm që në momentin e parë pas fishkëllimës së gjyqtarit Mirush Metohia, por duhej të vinte minuta e 24, kur gjatë një kundërsulmi verdheblu, ish-sulmuesi i Tiranës, Eldorado Merkoci, goditi shtyllën, teksa rreziku largohet nga mbrojtësit shumëkombësh të Apolonisë. Shtatë minuta më pas, në të 31', nigeriani Abdullah Ishaaka finalizoi golin e parë me të cilën u mbyllën edhe 45 minutat e para. Gjysmëloja e dytë nisi me një tjetër gol të miqve. Një aksion i thjeshtë, me shumë takime i Elbasanit dhe kroati Darko Peric, goditi nga 22 metra për të regjistruar golin e dytë të verdhebluve në të 48' dhe të parin personal më kampionatin shqiptar.
Trajneri Marko lëviz në zonën e lejuar të tij shumë nervoz, por tri minuta më pas, në të 51, maqedonasi Cvete Deliovski realizoi golin e parë për ekipin e presidentit Koco Kokëdhima. Fierakët marrin zemër, teksa Marko e ndjen të domosdoshme kryerjen e dy ndërrimeve. Në zonën e vogël shfaqen Sabino Plaku dhe Denis Mema, por shënjestra e tyre ishte e gabuar. Kur Elbasani dukej se do të arrinte fitoren e dytë sezonale me Apoloninë, pas asaj të arritur fazën e parë në "Ruzhdi Bizhuta" (2-0), erdhi dhe goli i fierakëve, me autor Denis Memën, që realizoi në minutën e 89, vetëm tri ditë para se korcari të festojë 22-vjetorin e tij.
Ky ishte barazimi i trete sezonal i Apolonisë dhe i katërti për Elbasanin në këtë sezon, por i 19-i midis tyre në 59 përballje direkt. Në javën e 20, Apolonia do të përballet me Kastriotin në Krujë, në një ndeshje kyce, ndërsa Elbasani do të presë në shtëpi Teutën, në një takim që duhet fituar patjetër, nëse kampionët nuk duan t'i thonë lamtumirë dhe Kupës Intertoto.
Apolonia-Elbasani 2-2
0-1, 31' Abdulla
0-2, 48' Peric
1-2, 51' Deliovski
2-2, 89' Mema