E Shtunë, 31 Tetor 2026

Goudjabi, senegalezi “shterp” edhe ndaj Dinamos

Albania-sport- Senegalezi El Haxhi Goudjabi nuk mundi të "hakmerrej" ndaj ish-ekipit të tij, Dinamos në takimin e luajtur në "Selman Stërmasi", ku Vllaznia, me të cilën luan ish-golashënusi më i mirë i bluve gjatë sezonit të kaluar, barazoi 0-0 me Dinamon.
Takimi filloi me një minutë heshtje në kujtim të aktorit legjendar Kadri Roshi. Ishte Dinamo ajo që u shfaq e para e rrezikshme, kur shqiptari nga Maqedonia, Adrian Nuhiu pasi kaloi mjeshtërisht mbrojtësin me përvojë, Rezart Dabulla i ofroi një koridor Julian Ahmataj, por mesfushori i majtë i bluve nuk e shfrutëzoi dot. Në të 14', sulmuesi Sokol Ishka (një nga më aktivët për Dinamon në këtë takim), pati një rast ideal shënimi, por veterani Armir Grima, nuk lejoi prekjen e rrjetës. Dhjetë minuta më pas, është Gilman Lika i Vllaznisë që kombinon me Nevian Canin, ndërsa Xhelal Miroci nuk mundi të shënjestrojë portën. Dinamo luan me topa të gjatë, por Vllaznia duket më e impenjuar për takimin. Në të 35' sulmuesi i ri i Kombëtares, Xhevair Sukaj goditi bukur, por i të njëjtës vlerë është edhe reagimi
i opsionit të dytë të portës kuqezi, Ilion Lika. Pjesa e parë, ka edhe pjesën e faullave, teksa gjyqtari Kridens Meta nxjerr kartona të verdhë: Ahmataj e Diop për Dinamon dhe Ahi e Cani për Vllazninë.
Në pjesën e dytë Julian Ahmataj morri një top nga kroati Pero Peric, por Armir Grima kreu ritualin e tij të shpëtimit.
Në të 55' Rezart Dabulla gjuajti fuqishëm, duke qenë pranë golit. Trajneri Mirel Josa orientoi ekipi për të kryer manovra të mëdha sulmuese, teksa përpara Likës shfaqen si sulmuesë të deklaruar e të fshehur tre deri ne katër futbollistë. Me Skerd Bejzaden e dëmtuar dhe Klevis Dalipin e pezulluar, Josa bën rokadën e sulmuesve: kosovari Miroci i lë vendin Gudjabit, i cili debuton për herë të parë me Vllazninë, dhe pikërisht kundër ish-ekipit të tij, Dinamos.
Trajneri Jupi kryen ndërrimet e tij: shqiptari nga Maqedonia, Adrian Nuhiu i lë vendin Klodian Arbërit dhe Ilir Qorri, Elarl Deliallisit. Në fund të takimit Nevian Cani humbi një rast ideal shënimi për të gëzuar disa qindra tifozë shkodranë të pranishëm në "Selman Stërmasi". Përfundimisht 0-0, në një takim ku mund të shënoheshin më shumë se nga një gol për cdo ekip. Ky ishte barazimi i katërt sezonal i Dinamos dhe shtati për Vllazninë gjatë 19 javëve, teksa dy ekipet në përballjen e 119 historike arkivuan barazimin e 39.
Në javën e 20, Dinamo udhëton në Vlorë, ndërsa Vllaznia pret Partizanin, i cili pas fitores me Kastriotin ndodhet në vendin e dytë, me 2 pikë më shumë se kuqblutë: 33-31.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›