Remzi Hoxha Krimet e Rënda rrëzojnë kërkesën e Kumbaros
Autori i Lajmit: Redaksia
Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë rrëzoi kërkesën e avokatëve mbrojtës të ish-agjentit të SHIK-ut, Ilir Kumbaro, për ndryshimin e trupës gjykuese që po shqyrton dosjen e zhdukjes së biznesmenit Remzi Hoxha, në të cilën ish-oficeri i shërbimit sekret shqiptar akuzohet për rrëmbim personi dhe tortura me pasojë vdekjen.
Mbrojtësit ligjorë të ish-agjentit pretenduan se kryesuesi i trupës gjykuese në proces, ka dhënë më parë masën “arrest me burg” për Ilir Kumbaron ndaj nuk mund të vazhdojë shqyrtimin e provave.
Vendimi
Në vendimin e saj gjykata u shpreh se dhënia e masës së sigurimit personal për Kumbaron, nuk pengon proceduralisht gjyqtarin të shqyrtojë dosjen. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar dje në gjykatë marrjen e deklarimeve nga shtetasi Avdyl Loshaj, i rrëmbyer nga SHIK-u në tetor 1995 kur u zhduk Remzi Hoxha. Akuza kërkoi marrjen në pyetje të dëshmitarit në Holandë, pasi paraqitja e tij në Shqipëri është me rrezik për jetën. Avokatët e të pandehurve Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro, Budjon Meçe dhe Avni Koldashi kërkuan marrjen e deklarimeve nga ish-punonjësi i SHIK-ut, Riza Shehu, i cili është kërkuar disa herë në Shqipëri ndërsa së fundi është mësuar se ndodhet në Itali.
Masa e arrestit
Gjykata e Krimeve të Rënda në Shqipëri ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Ilir Kumbaron, një prej të akuzuarve kryesorë për rrëmbimin dhe torturën me pasojë zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, në vitin 1995.
Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi dje masën e re të re sigurisë dhe rikthimin në burg të Ilir Kumbaros. Kërkesa për rikthimin e masës së sigurisë iu paraqit dje Gjykatës së Krimeve të Rënda nga prokurori i çështjes, Xhevat Hana. Kërkesa që mori miratimin nga trupi gjykues i Gjykatës së Krimeve të Rënda për rikthimin e masës, vjen vetëm pak ditë pasi Ilir Kumbaro u la në gjendje të lirë në Londër, menjëherë pas vendimit të Gjykatës së Lartë. Tani pritet fjala e avokatëve që janë shprehur se do ta apelojnë këtë vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Zhdukja e Hoxhës dhe implikimi
i krerëve të lartë të SHIK-ut
Dosja e vjetër e zhdukjes së biznesmenit maqedonas Remzi Hoxha, që daton në vitin 1995 është rihapur nga prokuroria. Ndërsa tashmë janë sërish nën hetim dhe krerë të SHISH-it, si të dyshuar në zhdukjen e mistershme të këtij biznesmeni. Deri tani janë katër ish-punonjës të SHIK-ut, të cilët dyshohen si të implikuar në zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha në vitin 95. Të pandehur për këtë çështje janë Arben Sefgjini, Avni Koldashi, Budjon Meçe dhe Ilir Kumbaro. Budjon Meçe ndodhet në spital, për shkak të një sëmundjeje, ndërsa Ilir Kumbaro është në kërkim ndërkombëtar. Në 4 maj Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi në mungesë masën e sigurisë “arrest shtëpie” për të pandehurit Arben Sefgjini, Budjon Meçe dhe Avni Koldashi, të cilët dyshohet se janë implikuar në zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha. Katër ditë pas kësaj Gjykata e Krimeve të Rënda i komunikoi Arben Sefgjinit dhe Avni Koldashit këtë masë sigurie, ndërsa mungonte sërish Budjon Meçe. Arben Sefgjini, e cilësoi të padrejtë vendimin e prokurorit, pasi, sipas tij, “pretendimet e tij (prokurorit) janë të pavërteta”.
Gjykata londineze
Gjykata e Londrës i dha lirinë, pak ditë më parë, ish-oficerit të SHIK-ut, Ilir Kumbaro. Vendimi erdhi menjëherë pasi Gjykata e Lartë Shqiptare vendosi në datën 2 dhjetor të shuajë masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj të pandehurit Kumbaro, me argumentin se kjo masë e ka humbur efektin e saj, për shkak të kalimit të afateve të parashikuara nga ligji. Ilir Kumbaro ndodhej në proces ekstradimi mbi bazën e një kërkese të bërë nga drejtësia shqiptare, pasi ishte shpallur në kërkim si i dyshuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit Hoxha 14 vjet më parë, krim të cilin akuzohet se e ka kryer në bashkëpunim me ish-kolegët e tij. Gjykata e Tiranës, më 18 shkurt 2003 vendosi ndaj Ilir Kumbaros, masën “arrest me burg” në mungesë, duke e shpallur në kërkim. Ai dyshohej për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “torturës”, kryer në bashkëpunim. Për mungesë provash dhe faktesh, çështja ndaj Ilir Kumbaros u pushua për tu rihapur në shtator 2006 me vendim të Prokurorit të Përgjithshëm të asaj kohe, Theodhori Sollaku. Më 5 maj të vitit 2008, Gjykata e Krimeve të Rënda, mbi bazën e kërkesës së prokurorisë, vendosi masën e sigurisë “arrest shtëpie” vetëm ndaj të pandehurve Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Budion Meçe, masë e cila u ndryshua më pas nga Apeli. Për Kumbaron nuk u kërkua vendosja e një mase të re, “kleçkë” e cila është shfrytëzuar mjaft mirë nga avokatët për të bindur Gjykatën e Lartë se masa e marrë në mungesë ndaj klientit të tyre i ka humbur efektet.
Ky lajm është publikuar: 06/01/2010