E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mos llogarisni në Muhametin

Qeverisë aktuale, e cila, sipas KDI’së, i ka vetëm 59 deputetë, mund t’i ikë edhe një deputet tjetër. Muhamet Mustafa paralajmëron se nuk do të votojë për nismat qeveritare që janë në kundërshtim me programin e grupit të tij E-15.

Koalicioni PDK-AKR mund të mbetet edhe pa votën e deputetit Muhamet Mustafa, nëse në Kuvend dërgon vendime që bien ndesh me programin e Grupit të Ekspertëve E-15.

Ky grup, shumica prej tyre ish-punëtorë të Riinvestit, kishte lidhur koalicion me AKR’në e Behgjet Pacollit dhe ka arritur të marrë një ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Në një bisedë për Express, deputeti i E-15, Muhamet Mustafa ka thënë se ende nuk janë shterur të gjitha mundësitë për të mos qëndruar në koalicionin aktual, por ka thënë se vota e tij nuk është pro koalicionit për vendimet që nuk janë në përputhje me programin e tij.

“Do ta ketë votën për gjithçka që është në frymën e programit ekonomik të E-15, që është aprovuar nga Koalicioni për Kosovë të Re, por çdo herë që në mënyrë esenciale shmanget nga ai program, nuk do ta ketë votën time si për privatizim, si për rolin e Kuvendit dhe gjithçka tjetër”, ka thënë Mustafa për Express të enjten.

Problematiken për të qëndruar në koalicionin aktual, Mustafa e sheh te pengimi i punës së Kuvendit dhe procesi i privatizimit që pritet të ndodhë në kundërshtim me planin e E-15.

“Më serioz e konsideroj se është problemi që Kuvendit i bëhen pengesa që ta kryejë rolin e vet që ka. Dihet që E-15 në njërën nga qëndrimet parësore që ka vënë është të fuqizohet roli i Kuvendit. Tjetër janë disa çështje rreth privatizimit, të cilat nuk janë të kryera e që janë paraparë në programin e koalicionit për Kosovë të Re. Qëndrimi im në koalicioni ka me u varë edhe prej një interesi të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Sipas listave të KDI’së, koalicioni aktual i ka 59 deputetë. Por, se deri më tash vendimet e Qeverisë janë përkrahur edhe nga shumica e 9 deputetëve që nuk kanë grup parlamentar.

Shumëkush po e sheh vjeshtën si testin më të vështirë të Qeverisë aktuale për t’i proceduar vendimet për shkak të numrave.

Pavarësisht kësaj situate, deputeti Mustafa thotë se vota e tij do të jetë e pavarur dhe jo që shkon në interes të shefave, por do të “jetë në interes të qytetarëve, të realizimit të programit të E-15”.

“Nuk kam qejf me ba paralajmërime, por ata duhet të kuptojnë qysh është sepse unë gjithmonë marr vendime të përgjegjshme. Në atë moment që vlerësoj se qëndrimi im në atë koalicion është më i dëmshëm për Kosovën sesa dalja, atëherë unë dal”, ka thënë ai.

Ky deputet ka thënë se nuk pajtohet me vlerësimet e fundit se legjislatura aktuale është më e dobëta.

Sipas tij, vetëm në këtë legjislaturë ka pasur rezistencë prej deputetëve që të mos votohet ashtu siç thotë shefi.

“Nuk pajtohem se thonë se ky Kuvend është më i dobëti dhe kjo nuk është e vërtetë. Ky Kuvend ka filluar ta luajë rolin e vet dhe ajo luajtje e rolit të vet ka krijuar nervozë te disa njerëz që po e pengojnë punën e tij. Derisa Kuvendi ka qenë i dëgjueshëm dhe janë siguruar votat me dëgjueshmëri nuk janë paraqitur probleme. Kuvendet e kaluara kanë qenë më të dëgjueshme se kjo legjislaturë”, ka vlerësuar Mustafa.

Pikërisht për shkak të numrave të këtij koalicioni, kohëve të fundit po debatohet për mundësinë e një koalicioni PDK-AAK, por që është mohuar nga zyrtarët e të dyja partive.

Madje, kryeministri Hashim Thaci ka thënë se koalicioni aktual po punon shkëlqyeshëm dhe se nuk ka nevojë për partnerë të rinj.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›