Zhgënjehet në dashuri, vret veten çobani 22-vjeçar
GJIROKASTER/ PIRO NASE
Një histori dashurie e lënë përgjysmë ka shtyrë në vetëvrasje një të ri. Klodian Alushi, 22 vjeç nga fshati Belishovë Fier, i ka dhënë fund jetës në orët e vona të së dielës. Një plumb pushke model 20 i ka shpuar zemrën çobanit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Kjo është vërtetuar nga veprimet e kryera në morgun e spitalit të Gjirokastrës, disa orë pas ngjarjes tragjike. I pari që e ka gjetur viktimën e pajetë, ka qenë një banor i fshatit Shtëpëz, aty ku ndodhi vetëvrasja e radhës në Qarkun e Gjirokastrës. Banori ka parë të riun përtokë së bashku me pushkën që i kishte rrëshqitur nga dora e majtë. Menjëherë ai ka dhënë alarmin, duke u mbledhur në shtëpinë e braktisur forca policie. Në vendngjarje shkuan forcat e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër si dhe grupi hetimor. Pasi u kryen veprimet e para hetimore, kufoma u dërgua në morgun e Spitalit Rajonal të Gjirokastrës për t'iu nënshtruar veprimeve të mëtejshme mjeko-ligjore, ndërsa vendi i ngjarjes u mbajt nën vëzhgim nga forcat e policisë deri në orën 06.00 të ditës së djeshme, pasi nuk mund të kryheshin veprime për shkak të errësirës. Policia ka pohuar se armën e zjarrit, i riu nga Fieri e kishte gjetur në shtëpinë ku banonte prej disa kohësh dhe ajo ka qenë në gjendje të mirë e ruajtur dhe e vajosur nga vetë viktima. Duket se depresioni ka qenë shkaku i ndërmarrjes së këtij akti kaq sublim për të riun, i cili shpresat për një jetë të paqtë i kishte varur tek një "po" e vajzës misterioze nga fshati Picar, të cilën e dëshironte ta kishte shoqe për tërë jetën. Njohja e viktimës me vajzën sipas një burimi tepër të saktë nga fshati Shtëpëz, ishte e hershme pasi dhe vendqëndrimi i Klodian Alushit në këtë zonë datonte prej 2004. "Ai të vetmen punë që kryente e bënte me ndershmëri dhe kurrë nuk kishte përcjellë vese të këqija", pohon për gazetën "Panorama" një banor nga fshati Shtëpëz, duke vazhduar më tej se kullotja e bagëtisë me të cilin ai merrej, ishte burim i vetëm i mbijetesës dhe sigurimit të bukës së gojës për të dhe familjen e tij në Belishovë të Fierit. I riu punonte me periudha të caktuara në fshatin Shtëpëz, 8 km në veri të Gjirokastrës, në varësi të punës që kishte dhe gjatë pesë muajve të fundit nuk kishte treguar aspak shenja depresioni. Duket se ndërprerja e një lidhjeje në mënyrë të parakohshme dhe të njëanshme në të njëjtën kohë nga vajza me të cilën kishte rënë në dashuri, ka qenë e papërballueshme për të riun. Policia nuk ka gjetur ndonjë letër apo gjurmë të tilla për të verifikuar nëse ka qenë kjo arsyeja e vetme. Nga seancat pyetësore të zhvilluara te njerëzit që e njihnin më mirë viktimën, u zbulua se vetëvrasja ka ardhur për ndërprerje të njëanshme të relacioneve sentimentale nga ana e vajzës nga fshati Picar.