Futbolli në zi, vdes në një aksident tragjik Brian Filipi
Futbolli në zi. Futbolli shqiptar dhe ai italian kanë mbajtur dje një minutë heshtje në nderim të talentit të futbollistit shqiptar, 20-vjeçarit Brian Filipi, sulmuesit të Ravenës (Lega Pro, Seria C, në Itali), i cili u ndaj nga jeta tragjikisht në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës në vendin fqinj. Një nga talentet futbollistike shqiptare më të spikatura e më premtuese, vdiq si pasojë e një aksidenti të rëndomtë teksa ecte në një rrugë të qytetit të Cervias, i goditur nga pas nga një makinë, e cila po ecte me shpejtësi të madhe. Lojtari në gjysmëpronësi të Palermos, por i rritur te Ravena e më pas, po i huazuar aty, ishte duke ecur me një shokun e skuadrës së tij, Stefano Skapini, në anë të rrugës, kur pas shpinës së dy futbollistëve mbërriti autovetura, që e goditi fuqishëm Filipin, i cili fluturoi dhe ra mbi asfalt. Makina, që sipas dëshmitarëve ishte me shpejtësi të madhe, u përplas më pas kundër një serie të gjatë makinash të parkuara. Aksidenti tragjik ka ndodhur rreth orës 23:00 dhe shqiptari është shuar rrugës për në spitalin e Ravenës. Në fakt, sipas agjencisë italiane, "Ansa", pas aksidentit të rëndë në vendngjarje mbërriti menjëherë një makinë e specializuar, si dhe dy ambulanca, që së bashku me karabinierët italianë çuan futbollistin e ri shqiptar në spital, ku gjeti edhe vdekjen. Në drejtimin e makinës ishte një grua 52-vjeçare, e njohur në zonë si një biznesmene: Ajo i është nënshtruar më pas testit të alkoolit, ku ka rezultuar negative. Tashmë priten ekzaminimet toksikologjike. Edhe gruaja ka mbetur e plagosur lehtë. Menjëherë më pas drejtuesit e klubit të Ravenës kanë kërkuar shtyrjen e ndeshjes me Foxhian, të parashikuar për sot. Filipi ishte një nga lojtarët shqiptarë më premtues, teksa ishte edhe pjesë e Kombëtares U-21 të Artan Bushatit. Kohët e fundit për të ishin interesuar edhe Torino e Kievo.