E Shtunë, 31 Tetor 2026

Menaxherët shqiptarë: Si i bindim klubet e huaja

Shqipëria numëron 17 agjentë lojtarësh të licencuar në FIFA dhe në FSHF. Shumë të tjerë punojnë për llogari të zyrave menaxheriale të lojtarëve

Ndërsa kampionatet kudo, në Europë dhe në Shqipëri, përgatiten për pushimet dimërore, si kudo në botë, edhe kasta e menaxherëve rinis me intensitet punën për të realizuar transferimet e futbollistëve cilësorë jashtë Shqipërisë apo dhe brenda skuadrave të kampionateve vendase. Sinjali i parë u dha nga lëvizja 100 mijë dollarëshe e futbollistit të Partizanit e Kombëtares shqiptare, Elis Bakaj, te Dinamo, kampione në fuqi e Shqipërisë.
Merkatoja verore “prodhoi” transferime të bujshme, ku më i spikaturi ishte ai i mesfushorit Jahmir Hyka te Mainc i Bundesligës 2, në shumën e rekord për një 20-vjeçar shqiptar, 3.7 milionë euro.
AGJENTËT E FIFA-s
Shtatëmbëdhjetë menaxherë shqiptarë lojtarësh janë të regjistruar në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të licencuar nga FIFA për të ushtruar veprimtarinë e tyre në transferimin e futbollistëve, apo dhe si përfaqësues të trajnerëve. Spikasin emra ish-futbollistësh si Rudi Vata, Roland Luci, Florian Riza, Altin Rraklli, Sokol Haxhia, por edhe gazetarë sportivë si Lirim Zalla. Gëzim Mançe, Alfred Bode, Sokol Murati kanë kryer jo pak transferime. Një emër befasues është ai ish-kryeprokurorit Arben Rakipi. Njeriu që drejtoi institucionin e akuzës për pesë vjet (1997-2002), u pajtua nga klubi i futbollit “Tirana” për ta mbrojtur këtë të fundit në çështjen “Sakaljev”, lojtarit të aktivizuar nga CSKA-ja e Sofjes në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kampioneve në edicionin 2005-2006. Menaxheri Sokol Haxhia pranon se midis tyre nuk ekziston ndonjë garë se kush transferon më shumë lojtarë: “Puna jonë nuk matet detyrimisht me numrin e lojtarëve që transferojmë, por me seriozitetin tonë. Nuk është një profesion që funksionon për një vit apo dy, por për shumë kohë. Në rast se do të jesh i suksesshëm duhet të kesh njohuritë jo vetëm të mjaftueshme futbollistike, profesionale në marketing, por të krijosh edhe agjencinë tënde e të bashkëpunosh me të tilla. Projektet e mia dhe të kompanisë që unë përfaqësoj janë që në të ardhmen të realizoj transferime cilësore të lojtarëve shqiptarë, sepse si rrjedhim rritet cilësia e përfaqësueseve tona; duke u rritur cilësia, rritet interesi i klubeve në mbarë botën; duke u rritur interesi, rritet biznesi në ketë fushë; dhe duke u rritur biznesi rriten të ardhurat. Si rrjedhim, investimet nëpër klubet tona, në infrastruktura dhe profesionalizëm”.
Kompanitë menaxheriale
Rritja cilësore e futbollit shqiptar, por edhe numri i futbollistëve që mund të veshin një fanellë të një klubi të huaj ka bërë të domosdoshme edhe krijimin e kompanive të mirëfillta për menaxhimin e tyre apo përfshirjen në një rrjet të madh agjencish në Europë dhe në botë. Agjenti i lojtarëve, Sokol Haxhia, prej disa vitesh operon me sukses në tregun shqiptar dhe atë ndërkombëtar të futbollit. Menaxheri Sokol Haxhia ka themeluar kompaninë e tij “Sportx Management srl”. Gjatë kësaj merkatoje vere ka realizuar gjashtë transferime, katër prej tyre në tregun ndërkombëtar: Klodian Duro te Omonia Nikosia; Isli Hidi e Blerim Rrustemi te Alki Larnaka (që të tre në Qipro); Jahmir Hykën te Mainc 05 (Bundesliga 2), një shumë rekord prej 3.7 milionë eurosh për tre vjet. Në listën e kompanisë së tij janë më shumë se 20 lojtarë, përfshirë lojtarë të tillë në Shqipëri si Migen Memelli, Andi Lila (të dy të Tiranës), apo Elis Bakaj (i transferuar te Dinamo). Të njëjtën gjë edhe Rudi Vata, i cili menaxhon shoqërinë e tij “Vata Vision Footbaall Management”. Përmes kësaj agjencie janë transferuar ish-sulmuesi i Partizanit, Enco Malindi, për te Slavia e Sofjes në Bullgari (i huazuar aktualisht te Spartak i Varnës), apo ish-mbrojtësit të Dinamos, Ditmar Bicaj, te Belasica Petrich, po në Bullgari. Për të dy këta lojtarë Vata po punon për një transferim të mundshëm gjatë muajit janar në Poloni dhe Gjermani.
Adrian Aliaj, i licencuar në Federatën Kroate e Futbollit, është një nga 40 menaxherët e licencuar në Kroaci. Ish-mbrojtësi i famshëm i Kombëtares dhe golashënuesi më i mirë i Shqipërisë në miqësore ka krijuar kompaninë e tij “Adrian Sport Transfer d.o.o.” me qendër në Zagreb. Kolonia kroate në futbollin shqiptar është shumë e pranishme në Shqipëri, madje dominon në numrin e futbollistëve të huaj. Flamurtari dhe Dinamo, në versionin kroat, janë produkt i punës së vlonjatit Aliajt.
TREGU I FUTBOLLISTËVE
Tregu i futbollistëve shqiptarë po fillon të funksionojë, dhe kjo, përveç cilësive të futbollistëve, një vlerë të veçantë ka dhe puna e agjentëve shqiptarë të FIFA-s. Të gjithë lojtarët tashmë e dinë se një kontratë e bashkëfirmosur edhe nga agjenti i tij ka më shumë fuqi ligjore dhe i tremb më shumë presidentët e klubeve në largimin apo prishjen e njëanshme të kontratës. Rastet kanë qenë të shumta, por më i fundit është ai i ish-lojtarit të Vllaznisë, malaziasit Drobnjak, i cili fitoi gjyqin në FIFA. Të njëjtën gjë arriti edhe ish-trajneri i Vllaznisë, gjermani Ulrih Shulse, i cili do të kompensohet nga klubi shkodran me 13 mijë e 500 euro, ku 7 mijë euro është vetëm gjoba për mospagesën e disa kësteve të kontratës.
GJEOGRAFIA E LOJTARËVE
Edhe pse thuajse të gjithë lojtarët e mëdhenj shqiptarë që kishin luajtur me ekipet e tyre, si Partizani, Dinamo, Tirana, Vllaznia, Teuta në kompeticionet ndërkombëtare të klubeve kishin pasur oferta nga bosët e klubeve të mëdha europiane, kujtojmë rastin e Panajot Panos të kërkuar në Turqi nga Fenerbahçe, apo atë të Qemal Voglit, “emigrantët” e parë të futbollit në prag të viteve apo pas vitit 1990 veshën fanellën e skuadrave greke, bullgare, rumune falë aftësive të tyre individuale apo ndonjë menaxheri. Lojtarët shqiptarë kanë luajtur apo janë të pranishëm në shumë prej kampionateve elitare të futbollit europian, përfshirë Italinë, Gjermaninë Francën, Suedinë, Norvegjinë, Spanjën, Portugalinë, Ukrainën, Rusinë, Austrinë, Izraelin, Kroacinë, Sllovenin, Maltën etj. “Për të ardhmen ne kemi një brez që sigurisht do ta risë shumë kualitetin e përfaqësueseve tona. Mjafton të përmend disa emra ekipesh ku rriten futbollistë shqiptarë. Ka emra premtues te Milani, Interi, Torino, Sampdoria, Udineze, Ravena, Palermo, por edhe në Shqipëri te Teuta, Tirana, Shkumbini, Elbasani. Po të vëreni me vëmendje nga këto ekipe do të dalë një pjesë e së ardhmes për futbollin shqiptar”, - përfundon menaxheri Sokol Haxhia, i cili po merret së fundi me një kalim të mundshëm të Klodian Duros te Siena në Serinë A italiane.

“Kroati” Aliaj

Ndërsa parakuptojmë më shpesh me emrin agjent lojtarësh një menaxher që kryen transferimin e një futbollisti nga Shqipëria drejt kampionateve të huaja, menaxheri Ardian Aliaj e ka marrë licencën në Kroaci.

“Gjermani” Mane

Alfred Mane përbën rastin më tipik. Kolonjari me banim të përhershëm në Gjermani e ka marrë licencën nga Federata Gjermane e Futbollit, DFB, dhe në listën e tij janë disa lojtarë shqiptarë e kosovarë në ligat e ndryshme gjermane.

Kosovari Haxhiu

Kosovari Nexhmedin Haxhiu, i pajisur me licencën e FIFA-s përmes Federatës Sllovene të Futbollit, është një ndër agjentët aktivë në tregun e futbollit kosovar, por edhe me lidhje në Shqipëri. Ai ka transferuar në Ukrainë Currin, Dallkun, Januzin, Bylykbashin Bulkun, Xhihanin.

Agjentët shqiptarë të FIFA-s

1.Sokol Haxhia
2.Rudi Vata
3.Neat Dauti
4.Lulzim Haxhiaj
5.Gezim Mançe
6.Sokol Murati
7.Xhelil Musa
8.Arben Rakipi
9.Florian Riza
10.Lirim Zalla
11.Alfred Bode
12.Skerdi Dafa
13.Roland Luçi
14.Sokol Pelingu
15.Artan Redhaj
16.Altin Rraklli
17.Kristaq Toçi

Në Slloveni
Nexhmedin Haxhiu

Në Kroaci
Ardian Aliaj

Në Gjermani
Alfred Mane

20 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›