Menaxhimi i sistemit buxhetor diskutohet në Komisionin e Ekonomisë
Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave diskutoi dje nen për nen projektligjin “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”. Sipas drejtores së Planifikimit Buxhetor në Ministrinë e Financave, Mimoza Dhëmbi, domosdoshmëria e hartimit të një ligji të ri organik të buxhetit, lindi nga nevoja për përmirësimin e procesit të menaxhimit të shpenzimeve publike, përmes mbështetjes buxhetore, në bazë të programeve e performancës dhe për përafrimin e legjislacionit me “acquis comunautaire” dhe me kodin për transparencën fiskale të Fondit Monetar Ndërkombëtar. “Hartimi i këtij projektligji synon një lidhje më të mirë të buxhetit me politikat, përmes institucionalizimit të programit buxhetor afatmesëm, si dhe ndarjen e qartë të përgjegjësive dhe llogaridhënies së aktorëve pjesëmarrës në procesin e menaxhimit të shpenzimeve publike", - tha drejtorja e Planifikimit Buxhetor, Dhëmbi.
Berisha u heq ministrive dhënien e lejeve dhe licencave
Nën drejtimin e kryeministrit Berisha u zhvillua dje mbledhja e Task Forcës për Reformën Rregullatore dhe lehtësimin e klimës së biznesit. Duke i bërë një analizë progresit të reformave, Kryeministri i kërkoi të gjithë ministrave që brenda një harku kohor dhjetë ditor të paraqesin propozimet për një reduktim drastik të lejeve dhe licencave që aktualisht lëshohen nga institucionet publike. Sipas tij, “eliminimi drastik i lejeve dhe licencave është dhe orientimi më liberal dhe pro-biznes dhe njëkohësisht një drejtim i rëndësishëm në luftën ndaj korrupsionit”. Ndërkohë, në një deklarim të disa kohëve më parë kryeministri Berisha ka thënë se dhënia e lejeve dhe licencave do të kalojë nga ministritë në Qendrën Kombëtare të Regjistrimeve. Kjo qendër është aktualisht institucioni që merret me regjistrimin e bizneseve të reja, si dhe ofron dhe një mori shërbimesh të tjera.
28 Maj 2008