E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mendjen e kam gjithmone tek ju

Ju përshëndes vëllazërisht, ju banorëve të malësisë së Gjakovës, përshëndes tropojanët dhe tropojanet kudo që ndodhem sot, përulem me nderimin më të thellë para jush,para qëndresës suaj, para mbështetjes suaj, para kontributit tuaj, në historinë  e këtij vendi dhe të këtij kombi, këtu nisi, këtu vazhdon, për të mos mbetur kurrë në mes. Por unë jam sot midis jush, para së gjithash për të shprehur krenarinë time të madhe, krenarinë time të pakufishme, për ju dhe se jam njeri prej jush. Sikundër dua tu siguroj ju, se kudo që unë ndodhem në Tiranë , apo në metropolet  e Evropës dhe të botës , në çdo vend, në çdo takim, mendja ime çdo ditë , qindra here ne ditë, vjen tek ju, vjen këtu në Tropoje, vjen ne ketë vend më të dashurin për mua  mbi këtë dhe. Malësia e Gjakovës është djepi, vendi ku kam lindur dhe jam rritur dhe kjo mjafton për ta dashur atë,edhe sikur qindra e qindra vite ti kem. Por për mua malësia e Gjakovës është shumë më tepër se kaq. Ajo është vendi i universitetit tim të parë, të fëmijërisë  time te hershme, vendi i universitetit në të cilin unë mësova dijet  e të gjitha dijeve, mësimin e të gjitha mësimeve, universiteti që më mëkojë mua, me mësimin e madh, se dashuria për vendin, se dashuria për kombin, se dashuria për ju, është dashuria e të gjitha dashurive, është dashuria më e madhe , se kjo dashuri është gurra e pashtershme është burimi më i fuqishëm, i frymëzimit, i fuqisë së njeriu, është sekreti i pamposhtjes së tij. Kjo dashuri është busulla, është udhërrëfyesi, që i tregon njeriu vendimet që duhet të marrë, qëndrimet që duhet të mbajë, vlerësimet që duhet të bëjë. Librat  e universitetit tim të fëmijërisë në Tropojë, nuk ishin të shkruara në letra apo pergamenë, por ato ishin të mishëruara në ninulla, në këngë në  legjenda, në gjokset tuaja mbi topat e armiqve, në fshatra të djegura, në foshnjet  e ekzekutuara në djep  apo në barkun e nënës, në shpërnguljet masive nga ‘870 në ‘998, ato ishin të shkruara në sakrificat mbinjerëzore tuaja për liri dhe dinjitet kombëtar,në përpjekjet tuaja madhore, për të mbetur të lirë në trojet tuaja.

Gjyshërit, stërgjyshërit, baballarët tanë, por dhe ju këtu, ishit në krye të përpjekjeve për liri, dinjitet dhe bashkim kombëtar në çdo kohë të historisë, që ishte kaq e padrejtë  dhe pandershme me ju, historisë që u soll me ju si njerkë e keqe, ju e trajtuat atë si shtrigë, i qëndruat sy më sy, e përzutë atë. Ju,  malësorët e malësisë së Gjakovës nga viti 1870 deri më sot qëndruat në të gjitha kryengritjet, luftërat për liri, dinjitet e bashkim kombëtar. Ju u dogjët, u shpërngulët , por kurrë nuk u dorëzuat. Që nga 1870 deri më 1912  ju ishit djepi më i fuqishëm i kryengritjeve të mëdha të Kosovës, të cilat sollën, pavarësinë e Shqipërisë, por me një padrejtësi më të madhe të kohërave, shkëputën Tropojën nga Kosova, Kosovën nga Shqipëria. Fuqitë e mëdha  të asaj kohe vendosën kufirin mbi trupin e kombit, por nuk e vendosën kurrë atë, mbi shpirtin e tij, i cili qëndron i bashkuar.

Ju gjatë luftës së dytë botërore u shndërruat në mbartjen më kryesore të lëvizjes çlirimtare në Kosovë. Ju këtu në Bujan, gjatë luftës firmosët aktin madhor historik, të referendumit të Kosovës, faktikisht  aktin e bashkimit kombëtar të shqiptarëve të firmosur nga shqiptarë, nga serbë, nga malazezë, nga të gjithë ata që luftonin për liri në këto treva. Historia kurrë nuk do tjua harrojë këtë. Sërish,  Enver Hoxha, Josif Broz Tito do ta hidhnin poshtë atë. Ata vërtetë do të frenonin një kufi në  shpirtin, në zemrën e kombit, por nuk do ta ndanin kurrë, shpirtin e këtij populli,  ndaj dhe ju  me dashurinë më eprore për Tropojën, për vendin, për Kosovën, për Shqipërinë ia dolët që në vitin 98-99 ta shndërroni këtë trevë në bazën kryesore të lëvizjes çlirimtare te Kosovës, Ju  për lirinë e saj  pranuat çdo sakrificë, ju derdhët gjakun e djemve tuaj për lirinë e saj, ndaj dhe sot mblidheni në këtë shesh më krenarë, më të lumtur se kurrë, se ne, qytetarët e malësisë së Gjakovës, qytetarët shqiptarë, kemi fituar luftën, kemi fituar luftën finale, Kosova është e lirë, Kosova është e pavarur. Shqipëria është në NATO. Kufijtë do ti rrafshojmë me projektin tonë evropian.

Rroftë Shqipëria, rroftë Kosova, rroftë kombi shqiptar

Ju ftoj ju që të vazhdojmë së bashku projektin tonë të dytë, të Tropojës evropiane, të Shqipërisë evropiane. Tropojë evropiane për ju dhe për mua do të thotë që ju qytetarë të kësaj treve të udhëtoni kudo në rrugë të standardeve evropiane. Kam ardhur sot këtu për tu dhënë fjalën , se nuk do të ketë rrugë të paasfaltuar në këtë vend.  Kam ardhur këtu për tu dhënë fjalën se 4 vitet që vijnë distancën tuaj me Tiranën do të afrojmë së paku 110 km. Kam ardhur këtu që  të zotohem para ju se do të bëj çdo gjë që Alpet, pasuria përrallore e Tropojës dhe e Shqipërisë të shndërrohet në një të mirë, në një vlerë, për secilin prej jush dhe mbarë shqiptarët, me rrugë të asfaltuara, në të dy drejtimet.

Qytetarë dhe qytetare të  Malësisë së Gjakovës,

Katër vitet që vijnë do të jenë vitet e transformimit të madh. Ne e beme Shqipërinë anëtare të NATOS, ne do ta përgatisim Shqipërinë për anëtare të BE-së, ne do të fitojmë lirinë e lëvizjes,ne do të lemë mbrapa në rroga dhe pensione qytetarët e 6 vendeve anëtare të BE-së. Fermerëve të mrekullueshëm të Malësisë së Gjakovës ju bëj thirrje të hartoni projekte. Këtu ulliri nuk mbin, por gështenjat  dhe kumbullat janë më të mirat në Ballkan, më të mirat në botë.

JU garantoj se qeveria ime do ti financoj ato për çdo projekt që ju do të paraqisni. Ju garantoj se Tropoja, malësia e Gjakovës, e tëra do të jetë nën ujë,  me kushtin e vetëm që ju ti ktheheni traditës suaj të mrekullueshme, ujdisë së ujit, traditë e cila, është nga më të shkëlqyerat, ta menaxhoni, ta ndani, ta përcaktoni me ujdi të plotë.

Qytetarë dhe qytetare të Tropojës,

Në të gjithë historinë tuaj ju keni qëndruar si viganë. Kanë kaluar pushtime ju jeni matur me to, kanë djegur, sërish jeni kthyer, ju kanë përzënë sërish keni ndërtuar. Për mua dhe për ju 97 është periudha më e dhimbshme në tërë historinë e Tropojës sepse është me një urrejtje primitive ndaj kontributit tuaj, bandat u veshëm me pushtet dhe ekzekutuan djemtë e Tropojës. Atë që historia u rezervoi pushtuesve , atë që historia u rezervojë  keqbërësve, do u rezervojë  edhe autorëve të 97 në Tropojë.

Para pak javësh pak javësh këtu erdhi Kryetari i Partisë Socialiste, i cili në fakt është njëqind herë më i lidhur me 99-shat e lejeve të ndërtimit, se sa me socialistët e Shqipërisë. Edhe njëherë i përgëzoj për shpirtin e hapur që tregoni. Do ti them zotit Rama të vish sa here të duash në Tropojë. Të kërkova që ti kërkosh ndjesë Tropojës për ato që i bëtë në vitin 97, nuk e bere këtë,  sepse nuk njeh ti me arrogancën tënde, me prepotencën e trashëguar, ndjesën dhe faljen njerëzore, por unë tani nuk të them më që të kërkosh falje. Ajo që të kërkoj është kjo, që para se të drejtohesh qytetarëve te Tropojës, socialistëve të Tropojës për votën duket të heqësh çelësin e artë të bashkisë, çelësin e artë të kryeqytetit të shqiptarëve të që vendose mbi gjoksin e  himnizuesit të masakrave serbe mbi vëllezërit në Kosovë, famëkeqit Bregoviç. Këtë do të bësh se përndryshe do të mbledh Këshillin Bashkiak në mocion mosbesimi ndaj teje. Nuk mundesh ti përdorësh çelësat e kryeqytetit të mbarë shqiptarëve për armiqtë e egër të tyre, për ata që kënduan, kënge dhe himne barbarëve serbë, të barbarive serbe mbi shqiptarët e Kosovës.

Së fundi, ju ftoj vëllazërisht të merrni pjese ne votime, i ftoj socialistët e Tropojë dhe të mbarë Shqipërisë që në 28 qershor le të votojnë duke pyetur atdhetarinë e tyre, të votojnë  për Tropojën evropianë, për Shqipërinë evropiane, le të votojmë për shtëpitë  e tyre, për veten e tyre dhe dua ti siguroj se respekti i Sali Berishës për ta është me dhjetëra  e dhjetarë here me i madhe se respekti i Edi i Ramës. Dua ti siguroj se projektin tonë evropian, dua ta ndaj me çdo shqiptar, se ëndrrën tone evropiane dua ta bëjmë realitet me gjithsecilin prej jush.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›