Ministri Nishani garanton se shpërndarja do të vazhdojë deri ditën e zgjedhjeve

Kartat, shtyhet 3 ditë afati për ata që nuk mundën të aplikojnë gjatë ditës së djeshme
Të gjithë qytetarët që nuk kanë pasaportë por që nuk kanë aplikuar ende për të marrë kartën e re të identitetit, kanë edhe 3 ditë shtesë në dispozicion për ta bërë një gjë të tillë që i garanton edhe pjesëmarrjen në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit. Kjo është bërë e ditur pikërisht dje kur edhe përfundonte zyrtarisht afati i përcaktuar në marrëveshjen me kompaninë “Aleat” nga Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani. Sipas tij qëllimi është që ti jepet një mundësi e fundit të gjithë atyre që për arsye nga më të ndryshmet, nuk kanë aplikuar ende. “Procesi po ecën në rrugë të mbarë. Duke përfshirë edhe të dhënat e djeshme, mësohet se janë 1.362. 000 persona që kanë aplikuar për letërnjoftimet elektronike, ndërkohë që rreth 950 mijë qytetarë i kanë tërhequr ato. Për t’u dhënë edhe një mundësi të fundit të gjithë qytetarëve shqiptarë, të cilët nuk e kanë një pasaportë të vlefshme për të udhëtuar për jashtë shtetit, sapo u arrit një marrëveshje me kompaninë ‘Aleat’ për të shtyrë afatin e aplikimit edhe tre ditë të tjera, që do të thotë se ora 22.00 e mbrëmjes së 18 Qershorit do të jetë afati i fundit për aplikim, kjo, nisur nga koha e mjaftueshme për prodhimin e letërnjoftimit elektronik, dhe kapacitetet prodhuese që ofron kompania ‘Aleat’. Procesi i shpërndarjes do të vazhdojë deri në ditën e zgjedhjeve ndaj u kërkoj të gjithë qytetarëve që kanë aplikuar të shkojnë dhe të tërheqin letërnjoftimet e tyre të prodhuara tashmë”, deklaroi Ministri i Brendshëm. Bujar Nishani ndërkaq theksoi se procesi i aplikimit ka filluar në të gjithë vendin, qoftë edhe në zonën më të largët. “Gjatë gjithë kësaj kohe edhe në komunat ku procesi filloi me vonesë, janë marrë masat prej më se një muaji dhe janë dyfishuar kapacitetet. Gjithashtu ju informoj se sot kapacitetet për shpërndarjen e letërnjoftimeve elektronike janë deri në 40 mijë të tilla në ditë”, deklaroi më tej Nishani.
I pyetur nëse konsiderohet relativisht e kënaqshme shifra e deritanishme e aplikimit për letërnjoftimin elektronik, ministri Nishani tha se, “është një fakt i qartë që në listat e votuesve në Shqipëri janë 3.084 000 qytetarë, nga të cilët deri në 1.4 milion prej tyre shkojnë në zgjedhje, ndërkohë që ne do të shpërndajmë rreth 1.4 milion letërnjoftime elektronike, pa llogaritur se shumë prej tyre kanë pasaportë për jashtë shtetit. Në Shqipëri nuk marrin pjesë 100 për qind e zgjedhësve, duke përjashtuar shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, pra, po ta krahasojmë me listën e votuesve, jo më shumë se 50 për qind e tyre shkojnë për votim. Të gjithë qytetarët të cilët nuk e kanë pasur një pasaportë, i kanë pasur të gjitha mundësitë, dhe lehtësirat maksimale që nga dita e fillimit të procesit, që të aplikonin për letërnjoftimin elektronik, duke përjashtuar mundësinë e pengimit qoftë edhe të një individi për të aplikuar. Në një vend demokratik është në dëshirën e gjithsecilit të marrë apo jo pjesë në zgjedhje, çka nuk varet në dëshirën tonë”, nënvizoi Nishani.
...