E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lamtumirë!

Ashtu e kisha përfytyruar rrugëtimin tënd të fundit, pasi mendja nuk ka gëlltitur të vërtetën; me duartrokitje. Ashtu duhet të ikje, si hero, i vetmi për fat të keq… Të njoha shumë pak, se të pakta më duken vitet që punoj te "Topi", por m‘u duke mburoja më e mirë. Kur thosha Tani, ndihesha e sigurt, sepse ishe ti; me energjinë, me shpirtin tënd rebel, të papajtueshëm me askënd që ushqehej e përkundej nga ëndrrat e mëdha. Ti do t‘na ruaje të gjithëve. Sot, nuk e di, dua t‘i ngre një dolli jetës, ashtu siç bëjë përherë kur na mblidhje dhe festonim ditëlindjet e "Top Media"-s. Për jetën, sepse me të gjithë shpejtësinë, ditët u përplasën, jeta dhe vdekja u shkëmbyen.

Na bërë të ndihemi krenarë, sepse i tillë ishe dhe Ti! Na thoshe shpesh; "Jeni më të mirët" dhe ne ashtu ndiheshim vërtet. Na shoqëronte një energji e çuditshme kur mbërrinim te "trau"- siç quhej hyrja e "Top Media"-s, pavarësisht ritmit e përplasjeve, debateve e konflikteve dhe në fund sukseseve - ishim ne të tutë e Ti… i yni. E çuditshme kjo lidhje, disa fije të padukshme ushqenin respektin, vlerësimin e madh dhe shpeshherë të cilësonim "të paarritshëm". Ndihem kaq e vogël sot, përballë fatkeqësisë, të gjithë miqve e kolegëve të tu, që të njohën ditë pas dite, u rritët dhe bëtë realitet të paimagjinueshmen.

Si një pjesëz e vogël e ndjeva fort ikjen tënde, megjithëse ende më duket një film me xhirim të shpejtë. U fundosa brenda një dite, por nuk ia gjeta kuptimin vdekjes. Përqafova Vjollcën, nënë Zyranë, ndërsa arkëmorti yt qëndronte përballë tyre…. Mbështeta dorën dhe të thashë për herë të fundit… (shpresoj shumë t‘më kesh dëgjuar): "Lamtumirë "Big Boss". Ti je më i miri".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›