Sherri në stadium, ndëshkohet oficeri i krimeve
GJIROKASTËR – Një oficer krimesh në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës është pezulluar, ndërsa disa punonjës të tjerë policie pritet të kenë të njëjtin fat pas konfliktit që ndodhi të dielën pasdite në stadium, gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit midis Sarandës dhe Delvinës. Hetimet për përleshjet në fushë dhe jashtë saj nisën menjëherë pas verifikimit të pamjeve filmike të marra nga mediat vizive Sipas zëdhënësit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, Gentian Mullai, "Shërbimi i kontrollit të brendshëm ka filluar menjëherë verifikimet për veprimet e secilit punonjës policie të pwrfshirw me shërbim në këtë aktivitet dhe në përfundim të verifikimeve do të konkludohet më tej”. Për ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë, Drejtori i Policisë së Qarkut Gjirokastër, Hysni Burgaj, pezulloi nga detyra një oficer të policisë kriminale, për tejkalim të kompetencave gjatë ushtrimit të detyrës. Të dielën pasdite, në stadiumin e qytetit të Gjirokastrës u zhvillua ndeshja midis skuadrave të Delvinës dhe Sarandës (1-0), e vlefshme për kategorinë e dytë. Në minutat e fundit të ndeshjes pati një tentativë të tifozëve të skuadrës së Delvinës për të hyrë në fushë, pasi skuadra kishte shënuar një gol.
Shkëndija elektrike djeg teqenë e vjetër të Zallit
GJIROKASTËR – Një nga teqetë më të vjetra të zonës së jugut të Shqipërisë është përfshirë dje në mëngjes nga flakët, ku dyshimet e para janë hedhur për një shkëndijë elektrike. Burimet zyrtare të policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se “rreth orës 02.00 të mëngjesit të së hënës, në Teqenë e Zallit në lagjen Zinxhira të qytetit Gjirokastër ka rënë zjarr”. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar 3 zjarr-fikse, grupi i gatshëm i policisë së Komisariatit të Policisë Gjirokastër, shefi i Komisariatit, zëvendës-drejtori i Policisë dhe forca të tjera policore. “Flakët e zjarrit kanë përfshirë gjithë ndërtesën ballorë të kësaj teqeje, duke rrezikuar edhe pjesët anësore të teqesë”, - thotë njoftimi i policisë. Si pasojë e zjarrit që ishte me përmasa të mëdha, është kërkuar ndihmë nga zjarrfikëseve të Sarandës dhe të Tepelenës, të cilat kanë mbërritur në vendngjarje dhe së bashku me zjarr-fikset e Gjirokastrës pas disa orësh kanë bërë të mundur lokalizimin e zjarrit, duke shpëtuar ndërtesat në pjesët anësore të saj. “Grupi hetimor ka konstatuar se shkaku i zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike”, - thonë burimet policore.
13 Maj 2008