E Diel, 1 Nëntor 2026

Makina e përmbysur në liqen, policia nis hetimet

Kukës Automjeti me ngjyrë gri dhe pa targa, mendohet të jetë e vjedhur. Dyshohet të jetë përdorur për vepra penale

Një autoveturë e hedhur në ujërat e liqenit në afërsi të qytetit të Kukësit, ka tërhequr vëmendjen e policisë lokale. Kjo e fundit ka ngritur një grup hetimor të posaçëm, që do të merret me zbardhjen e “fatit” të automjetit. Objekti është pikasur rastësisht pasditen e së premtes, nga një peshkatar i zonës, në vendin e quajtur Shtrazë. “U njoftuam se një autoveturë ndodhet e përmbysur në ujë dhe bashkë me një grup ekspertësh shkuam menjëherë në vendngjarje për të verifikuar nëse kishte ndonjë person në të apo shenja të një krimi kundër personit. Por nga këqyrja paraprake e automjetit, nuk pamë një gjë të tillë”, tha një drejtues i lartë i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Kukësit, duke sqaruar se sidoqoftë mjeti ishte nxjerrë nga uji dhe po analizohej në Komisariatin e Kukësit nga ekspertët kriminalë. Mësohet se bëhet fjalë për një automjet tip “Benz 2000”, me ngjyrë gri, pa targa, për të cilin drejtues të lartë të policisë lokale thanë se duhej të ishte një mjet i vjedhur. Por po hetohet edhe në pista të tjera, pasi me mjetin fjalë mund të jetë kryer ndonjë vepër penale e pazbuluar. Mjeti tip “Benz 2000” është shtyrë në ujë dhe i ishte hequr motori. Shtyrja në ujë e automjetit mendohet se mund të jetë bërë me qëllim humbjen e gjurmëve. Po policia pasi ka shënuar numrin e shasisë po bashkëpunon me komisariatet e tjera dhe Interpolin për të identifikuar automjetin dhe të dhëna për pronarin apo përdoruesin e tij. Në vitet e fundit në të paktën katër raste persona të ndryshëm i kishin vënë zjarrin automjetit pas kryerjes së krimit, përfshi edhe krimin e vrasjes për të humbur gjurmët, ndërsa është rasti i parë që mjeti, ende i paidentifikuar gjendet i përmbytur në ujin e liqenit të Kukësit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›