E Diel, 1 Nëntor 2026

Kremton 1 Majin i lidhur me zinxhirë

Shkodër Veprimi, simbol i gjendjes aktuale të shoqërisë shqiptare

Në ditën e 1 Majit, ku në të gjithë botën perëndimore, punëtorët protestojnë për të drejtat e tyre, një qytetar nga Shkodra ka gjetur një mënyrë krejt të veçantë për të protestuar kundër papunësisë dhe varfërisë. Afrim Gerbeti i deklaruar dhe si kryetar i lëvizjes qytetare “K.L.A.S.S.” në mënyrë simbolike është lidhur me zinxhirë në mes të qytetit të Shkodrës. Sipas tij, lidhja me zinxhir simbolizon lidhjen e qytetarëve pas skamjes dhe mjerimit dhe njëkohësisht lidhjen që po i bën qeveria lëvizjeve qytetare, që në vend që të protestojnë i detyron të festojnë. Më tej, Afrim Gerbeti është shprehur se veprimi i tij ka si qëllim të zgjojë mendjen dhe ndërgjegjen qytetare për të mos rënë pre e interesave të politikanëve. Përpara se të lidhej me zinxhirë, ai ka vendosur disa pankarta, ku shprehej reagimi ndaj problemeve të shumta që po kalon sot shoqëria shqiptare. Veprimet e të riut shkodran kanë tërhequr vëmendjen e shumë qytetarëve dhe të policisë lokale. Një grup qytetarësh kanë tentuar të prishin protestën paqësore të të riut të lidhur me zinxhir, dhe vetëm pas ndërhyrjes së policisë situata është normalizuar. Pas rreth dy orësh, Afrim Gerbeti është larguar nga qendra e qytetit, duke premtuar se lëvizja qytetare që ai përfaqëson, në vazhdimësi do të organizojë të tjera protesta qytetare.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›