E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meningiti, alarm në ambasadën greke

• E infektuar gjetkë, shfaq në Shqipëri simptomat e meningokokut (formës më të rëndë të sëmundjes së meningjitit).

zirina llambro

Një gazetare  greke është çuar me urgjencë 4 ditë më parë në Spitalin Infektiv të QSUT rreth orës 21.30 të mbrëmjes. E sëmura kishte temperaturë shumë të lartë, njolla të vogla në trup e vështirësi në frymëmarrje, shenjat tipike të një meningiti meningokoksik, të cilat u vërtetuan më pas nga analiza dhe testimi i lëngut trunoshpinor. Ekzaminimi bakteriologjik dhe diagnoza etiologjike u krye pranë Institutit të Shëndetit Publik. Specialistët e këtij instituti pasi kanë vërtetuar dyshimet për prekjen nga sëmundja e rëndë, kanë njoftuar mjekët e Spitalit Infektiv si dhe Ministrinë e Shëndetësisë. Lajmin e konfirmojnë për gazetën, mjekët e spitalit si dhe burime të sigurta nga Instituti i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë. Nga të dhënat e infektivit rezulton se gazetarja u trajtua për disa orë pranë këtij shërbimi duke marrë të gjitha masat e kontrollit të infeksionit dhe izolimit respirator. "Me këmbënguljen e përfaqësuesve të ambasadës greke e sëmura u transportua në Greqi rreth orës 02:30 të mëngjesit të datës 23 mars", pohojnë burime nga spitali "Nënë Tereza". Ndërkaq burime nga drejtoria e spitalit konfirmuan se gazetarja është transportuar në aeroportin e Rinasit në kushtet e izolimit të plotë respirator, nën asistencën e disa mjekëve dhe infermierëve, të cilët kanë respektuar të gjitha rregullat e kontrollit të infeksionit. Më pas mësohet se e sëmura është nisur për në Greqi me një avion special të forcave të armatosura greke ku ishin të gjitha kushtet e izolimit respirator.
Mbërritja në Shqipëri
Sipas të dhënave klinike të pacientes të trajtuar në QSU, rezulton se ajo kishte ardhur në Shqipëri me linjën ajrore Olimpik në orën 13:30 të datës 20 mars. Burime të gazetës konfirmuan se gazetarja greke, që kishte ardhur në Tiranë për një reportazh, kishte qenë për dy ditë në një shtet të Afrikës. Shenjat e sëmundjes iu shfaqën të nesërmen e asaj dite kur ajo filloi të mos ndjehej mirë. Në spital pacientja u paraqit në datë 22 mars, dy ditë pas mbërritjes në vendin tonë, ç'ka hedh poshtë të gjitha shanset e gjasat se gazetarja mund të jetë infektuar këtu. Kjo pasi virusi ka një periudhë minimalisht 3 javë inkubacioni që nga periudha kur personi infektohet prej tij. Gjithashtu sipas burimeve nga ambasada greke mësohet se gazetarja kishte qëndruar në ambientet e saj dhe kishe pasur kontakte me një pjesë të personelit të këtij institucioni. Madje një grup specialistësh nga Instituti i Shëndetit Publik kanë identifikuar këta persona dhe kanë marrë të gjitha masat profilaktike. Kjo për të parandaluar prekjen e tyre nga sëmundja e rrezikshme, e cila transmetohet nga një person tek tjetri me anë të kontakteve fizike, ajrit apo stërkalave të pështymës. Veç personave të ngushtë me të cilët gazetarja ka pasur njohje për arsye sigurie është vaksinuar i gjithë personali i ambasadës greke, ku ajo kishte qëndruar. Ndërkohë për prekjen e shtetases greke nga sëmundja e meningokokut, është njoftuar edhe linja ajrore me të cilën ajo ka udhëtuar drejt vendit tonë. Kjo linjë mundësoi të dhënat për të gjithë pasagjerët që kishin udhëtuar atë ditë në avion me gazetaren. Më pas Ministria e Brendshme dhe drejtoritë e Përgjithshme të policisë në Tiranë kanë mundësuar vendndodhjen e tyre, në mënyrë që ata të identifikoheshin për masat që duhet të merrnin. Aktualisht pasagjerët po ndiqen nga specialistët e drejtorive të Shëndetit Publik në rrethe e në kryeqytet, dhe janë këshilluar që pas çdo simptome të ngjashme me gripin të vënë në dijeni mjekët e të paraqiten në spital.

Ambasada konfirmon rastin

Ambasada greke në Tiranë, konfirmoi dje rastin e gazetares greke, e cila u ekzaminua në Qendrën Spitalore të Tiranës me meningjit. Burime pranë kësaj ambasade u shprehën dje se gazetarja greke, e cila sapo kishte mbërritur në Tiranë për të bërë një reportazh për Shqipërinë u shtrua menjëherë në spital ku mjekët përcaktuan diagnozën e saj. "Pasi mori mjekimin e parë, u pa e arsyeshme që gazetarja të dërgohej në Greqi me një avion të posaçëm për të marrë një shërbim mjekësor më të specializuar", u shprehën për gazetën burime nga ambasada greke në Tiranë. Sipas tyre, mjekët, për arsye parandaluese, kërkuan vaksinimin e personave që ishin pranë gazetares gjatë kohës që ajo qëndroi në spitalin e Tiranës. Mësohet se nuk është parë e nevojshme nga mjekët që vaksinimi të kryhej për të gjithë personelin diplomatik të ambasadës, për shkak se pjesa më e madhe e tyre ishte vaksinuar pak kohë më parë kur në vend ishin shfaqur brenda një kohe të shkurtër disa raste me meningjit.

Frika nga epidemia, verifikohen pasagjerët

Strukturat shëndetësore të vendit tonë, nuk e kanë lënë në heshtje rastin e shtetases greke me meningokok e cila mbërriti në Shqipëri me linjën ajrore Olimpik në 20 mars. "Pas konfirmimit të analizave të pacientes si pozitive ndaj sëmundjes së rrezikshme  u njoftua linja ajrore Olimpik për këtë rast dhe u informuan mbi masat e kontrollit dhe shenjat e hershme të sëmundjes për të informuar personelin e linjës", sqaruan dje burime nga Instituti i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë. Sipas tyre ndihmën e linjës Olimpik u identifikuan më datën 23.03.08 personat që kishin udhëtuar. Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Tirane kanë përcaktuar vendndodhjet e tyre dhe adresat brenda datës 23.03.08. "ISHP u ka dërguar të dhëna drejtorive e Shëndetit Publik të rretheve për të informuar personat që kanë udhëtuar me këtë linjë për t'i  udhëzuar mbi shenjat e hershme të sëmundjes, dhe profilaksinë me antibiotike", sqaron ky institut. Nga burime jo zyrtare mësohet se në Greqi ka pasur raste të meningitit Meningokoksik por ndërkohë po merren kontakte me Qendrën e Survejancës dhe kontrollit të sëmundjeve në Greqi mbi rastin e gazetares greke  në mënyrë që të grumbullohet më shumë informacion. Sakaq që muajin janar drejtoria e QSU ka marrë urdhër që për çdo rast të ri të shfaqjes së sëmundjes së meningokokut të njoftojë Ministrinë e Shëndetësisë.

Çfarë është meningokoku
Meningokoku, është një inflamacion i cipës së trurit dhe i palcës së kurrizit. Nëse nuk kurohet në kohë shkakton shqetësime nervore të rënda, që mund të jenë edhe të pakthyeshme. Meningjiti shkakton që nga epilepsia, paralizat e pjesshme apo të plota të trupit dhe vonesa mendore. Tek të rriturit shenjat tipike të meningjitit janë temperaturë shumë e lartë, dhimbje koke intensive, dridhje trupi. Shpesh këto shenja janë të shoqëruara me të vjella të papritura pa pasur më parë përzierje në organizëm apo dhimbje në stomak

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›