E Diel, 1 Nëntor 2026

Mënjanë dhe e vetme me fëmijërinë time

Do të doja të shihja në fëmijërinë time vetëm fëmijëri. Por gjithsesi nuk arrij dot ta bëj këtë. Madje nuk shoh asnjë grimcë karakteristike të një fëmijërie. Ka diçka të pambaruar dhe perfektshmërisht të përcaktuar në të kaluarën time dhe për sa i përket kësaj, asnjë iluzion nuk është i pamundur. Nuk e gjej veten në asnjë mënyrë. Është periudha e jetës time që e ndiej më larg, veç disa viteve prej të cilave kam marrë shumë forcë për gjithë jetën time. Asgjë tjetër nuk është e qartë, asgjë tjetër nuk e ndiej "të jetuar", më pak të ëndërruar se e gjithë fëmijëria ime. Asnjë fantazi, asnjë nga ato legjendat dhe ato përrallat që të mbushin plot emocion në vitet e para të jetës.

Në fakt, nuk jam duke kërkuar përgjigje. Është e njëjta gjë si për mua, ashtu edhe për dy vëllezërit e mi, që kanë përjetuar të njëjtat vite. Por është po fëmijëria që më mundon dhe më shoqëron në jetën time si një hije. Nuk më tërheq shumë magjia e saj, pasi nuk ka shumë të tillë, madje më shumë është e çuditshme. Nuk e ka kushtëzuar kurrë jetën time. Ka qenë e vetmuar dhe sekrete. Dhe e ndiej teksa më pushton dhe më obsesionon si një aventurë e harruar dhe e paqartë.

Nuk e kam pasur atë ëmbëlsinë që vjen prej saj, nga ritmi i saj dhe nga mënyra e ngadaltë se si del nga koha për të ndërtuar atë me të cilën ajo të magjeps. Jo, jo, nuk kam pasur asgjë nga këto, nuk kam pasur as shtëpi të përjetshme, as kopshte të cilat t‘i frekuentoja shpeshherë, as gjyshër, as libra dhe as shokë me të cilët të rritesha. Asgjë nga këto. Por mbetet ime më. E pse ta fsheh?

Është ajo për të cilën dua të tregoj, për historinë e saj, për misterin e pazbuluar kurrë, atë mister i cili ka qenë për shumë kohë gëzimi im, dhimbja ime, në të cilin gjendesha shpesh dhe po shpesh i largohesha për t‘iu rikthyer sërish. Mamaja ime ka qenë për ne një livadh i madh në të cilin kemi ecur gjatë, pa e kuptuar se sa rrugë kishim përshkuar. Nuk e shoh fare të rrethuar nga ëmbëlsia kur fillon të kujtosh nostalgji të këtij lloji. Ndërsa pjesa tjetër nuk është një kujtim, por një marshim i pafund.

Nuk di asgjë për jetën e saj si grua, si vajzë, si bashkëshorte. Ë shoh vetëm si nënën tonë dhe kaq. Këtu po qëndroj pak, sepse do të doja të thosha atë që ka qenë dhe që gjithmonë do të jetë, të qenit nënë - dhe fjalët më duken të zbrazëta. Do të doja për ta parë, të largohesha prej saj, të mos pranoja për një moment atë të qenit gjithmonë tërheqëse. Ja: duhej të ishte shumë më "e papastër" përpara nesh, plot me atë pasionin njerëzor, jo të shenjtëruar. Është gjithçka mund të them.

Dhe pastaj erdhëm në jetë ne të tre: kemi qenë kripa e jetës së saj, kripa e asaj toke që deri atëherë ishte fekonduar disa herë. Ajo e ka jetuar atë pasion për ne pa asnjë mëdyshje. E ka jetuar në mënyrë aktive. Pa atë durim dhe paqe që e gëzojnë vetëm nënat si diçka të bekuar. Ajo e duroi e vetme peshën e pasionit të saj. Që të vegjël kemi marrë pjesë në jetën e saj. Kemi qenë miqtë e saj dhe besoj se kemi marrë nga ajo kuptimin e realitetit. Realiteti i saj ishte ëndrra jonë. Kemi përjetuar bashkë me të të gjitha fatkeqësitë dhe gëzimet e saj.

* * *

Vinim nga larg, gjithmonë nga larg. Mbërritje dhe nisje mbushnin jetën tonë. Im atë ishte nëpunës në Lindjen e Largët. Ta përcaktonte se ku ishte e kotë, pasi nuk do të ndryshonte gjë në fëmijërinë tonë. Kudo ka jetë që lind, fëmijë që jetojnë dhe gëzojnë - disa (të vetmuar) në kopshte të mëdha, disa në kuzhina, në apartamente të mëdha luksoze, por ka edhe nga ata që jetojnë në trotuar, ku gjithsesi mund ta krijojnë botën e tyre, ndoshta edhe mistere. Por ne bënim pjesë në frekuentuesit e rregullt të vagonëve të trenit dhe porteve detare. Ne kënaqeshim me gjëra të tjera në krahasim me fëmijët e tjerë. Ne nuk bënim jetën e tyre të thjeshtë dhe fëminore. Idetë e përgjithshme i injoronim. Nuk kishim asnjë nocion të botës dhe të udhëtimeve sepse jetonim vetëm në aktualitetin e çdo dite.

Shoh gjithmonë ne të tre, gjithmonë të lodhur dhe rraskapitur. Është mëngjes dhe i shoh në stacione të çuditshme dhe të paemërta, të tre së bashku, të mbledhur pas nënës time. Ajo na mbante pranë dhe kujdesej për ne pa bërë dallime.

Kemi qenë për një kohë të gjatë fëmijë të vegjël. Një kohë e pafundme, e pabesueshme, e cila më duket sikur nuk mbaron kurrë. Ishim tre, unë dhe vëllezërit e mi, Pier dhe Paul. Po vërtet kemi qenë fëmijë për një kohë të gjatë. Pastaj një dite, krejt papritur, një prej nesh, Pier më i madhi, u largua. Dhe kështu ai doli nga jeta jonë, e kaloi fëmijërinë duke u larguar drejt horizontesh të panjohura. Kjo për mua ishte vërtet diçka shumë e dhimbshme, sepse e ndjeja që edhe vëllait tjetër do t‘i vinte koha për t‘u larguar, duke më lënë të vetme. Pastaj rrethana të tjera më nxorën nga ajo botë të cilën e aspiroja dhe e dëshiroja aq shumë. Ajo çfarë deri atëherë mbretëronte në jetët tona, shumë shpejt u venit për t‘i liruar vendin një ndarjeje dhe veçimit të frikshëm, i cili "infektoi" edhe lojërat tona më të thjeshta. Edhe pse kam dhënë shumë për vendin tim, unë mbeta e veçuar dhe e vetme me fëmijërinë time. Të gjithë këtë e kuptova brenda një kohe të shkurtër.

Ishim shumë të lirë, na linin të luanim në një kopsht të madh në Phnom Penh. Babai ynë ishte drejtori i një kolegji të rëndësishëm, ritmi i të cilit ndikonte edhe jetët tona. Ajo shkollë e madhe plot me nxënës na injoronte dhe vinte rrotull nesh, pa na lënë më të voglën përshtypje. Ishim akoma në moshën sublime të injorancës perfekte dhe pasionit shkollor. Por e dinim që në orën e drekës kolegji zbrazej dhe mbetej i gjithi i joni. Pasditja ishte koha ideale. Një qetësi kaq e thellë, kaq e përjetshme, saqë na mbushte plot liri dhe hapësirë. Asgjë në botë nuk mund të na prishte kënaqësinë e atyre orëve dhe këtë ne e dinim mjaft mirë. E jetonim atë liri me një dëshirë shumë të madhe, që na ishte mbledhur gjatë orëve të paradites, ndërsa prisnim të vinte pasditja.

[...]

* * *

Na dërgoi te disa të afërmit e saj, për të qëndruar disa ditë e vetme dhe kështu u nis për në Platoriet për të qëndruar rreth pesëmbëdhjetë ditë. E pritën me përzemërsi dy të afërmit e tij. Ishin të vetmit persona që kishin ndarë bashkë me të ditët e fundit të jetës së tij dhe flisnin për të me respektin më të madh. Pra ishin në gjendje të përshkruanin me saktësi dhe delikatesë muajt e fundit të jetës së tij, që kishin qenë shumë të qetë dhe mjaft të hareshëm. Edhe pse nuk i jetoi.

Imagjinoj dritën dhe ëmbëlsinë e tyre: atë të parkut në vjeshtë, kur e gjithë jeta dhe gjallëria e braktis atë dhe e lë të heshtur si një kishë pas meshës së të dielës. Im atë ishte i dobët dhe vdiq prej asaj dobësie. Ai u tret dalëngadalë. Dhe kur jeta shkon kështu, e zvarritur, pa tronditje, si një burim i qetë, vdekja vjen porsi gjumi i drekës, i ngadaltë, i lodhshëm. Im atë vdiq duke fjetur në një pasdite të bukur dimri. Flinte edhe parku i madh dhe heshtja e tij hynte brenda në dhomë si një magji. Jeta e tim eti ishte aq e brishtë, saqë mjaftoi ajo heshtje për ta vënë në gjumë përgjithmonë. Gjithçka duhej të ishte shumë e qetë në atë shtëpi të madhe dhe të zbrazët, vetëm ajo dhomë vazhdonte të jetonte akoma në pafundësinë e momenteve të fundit. Dritarja ishte pak e hapur dhe tendat e kuqe mbulonin atë çfarë kishte mbetur gjallë nga bimësia. Vetëm disa zogj që po fluturonin aty pranë ishin thirrja e fundit e jetës për tim atë. Madje ai gjithmonë vononte ta thërriste kushëririn e tij, i cili atë ditë kishte shkuar rastësish. Trokiti në derë, por asnjë përgjigje. Trokiti përsëri, por prapë asnjë përgjigje dhe ajo të cilës i druhej prej kohësh kishte ndodhur. Të paktën e dinte se çfarë duhej bërë në të tilla raste. U sollën mjaft mirë dhe gjithçka e bënë të denjë. Nuk u larguan, madje edhe pasi erdhi ime më. Im atë kishte veç ata. Me vdekjen e tij ata mbetën të vetëm. E veshën me një kostum të bukur të zi. Ishte aq i dobët dhe i lehtë, saqë dukej si një fëmijë. Henri e shtriu në krevatin e madh dhe vajti për të lajmëruar njerëzit e fshatit që im atë kishte ndërruar jetë. Xhin qëndroi pranë shtratit gjatë gjithë pasdites dhe natës. Pra gjithçka që duhej bërë, u bë. Të nesërmen, gjatë ceremonisë së varrimit, shumë persona nga qyteza, madje edhe ata që nuk e njihnin, iu bashkuan vargut të gjatë të njerëzve që po e përcillnin në shtëpinë e fundit, sepse e dinin që të afërmit e tij ishin shumë larg. Por nëna jonë gjithmonë ka dashur që ta varrosnim trupin e tij në parkun tonë. Madje edhe vendi ishte zgjedhur me kohë, por gjërat shkuan ndryshe.

Unë u riktheva kur shitëm pronën tonë. E bëra të gjithë rrugën në këmbë nga qyteza për në shtëpi. Ishte një ditë e bukur prilli. Koha ishte jashtëzakonisht e mrekullueshme. Madje edhe lulet që sapo kishin çelur ishin pushtuar nga bletët.

Dhe kështu gjithçka është shumë e qetë, e qetë dhe mjaft e ngadaltë, saqë edhe koha ka harruar të kalojë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›