E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oketa: Gabimet që sollën "Gërdecin"

Ministri i sapoemëruar i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, nuk ka asnjë dyshim që katastrofa e Gërdecit mund dhe duhej të ishte shmangur sikur të ishin zbatuar rregullat ushtarake. Në një intervistë për "Shqip", ministri tregon për reformën e thellë që po ndërmerr në dikasterin e tronditur nga skandalet e tregtisë së armëve dhe hijes së korrupsionit...

Vendi ynë sapo ka marrë ftesën e anëtarësimit për në NATO. Kujt ia atribuoni marrjen e kësaj ftese. Mendoni se Shqipëria vërtet ka bërë hapa para apo ishte NATO, që bëri në këtë rast lëshimet e saj?

Absolutisht mendoj se Shqipëria ka marrë një ftesë të merituar, ky është një fat, të cilin ne e kemi jo vetëm, por që të gjithë përfaqësuesit e vendeve anëtare të NATO-s, na kanë uruar dhe njëkohësisht na kanë falënderuar për reformat e ndërmarra në vite. Ju ngrini pyetjen nëse NATO bëri lëshime për Shqipërinë?! Në rast se NATO do të bënte lëshime të tilla, atëherë mendoj se do të vihej në dyshim edhe serioziteti i një aleance të tillë. Asnjëri nuk duhet të mendojë dhe besojë se Aleanca është një organizatë e cila pranon në gjirin e saj vende të cilat nuk i kanë plotësuar ato standarde që duhen për marrjen e një ftese.

Cilat janë përparësitë, çfarë përfiton Shqipëria nga marrja e kësaj ftesë dhe cilat janë detyrimet që ne kemi për të plotësuar?

Me marrjen e kësaj ftese për anëtarësim në NATO, Shqipëria tashmë certifikohet si një vend me demokraci funksionale, me një ekonomi tregu të mirëngritur, me një shtet ligjor ku liritë dhe të drejtat e qytetarëve respektohen. Të gjitha këto bëjnë që tashmë vendi ynë të shihet si një vend me stabilitet politik, si një vend i cili garanton edhe në rajon stabilitet të fortë, të gjitha këto të përkthyera në përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët shqiptarë. Do të jenë më të shumta investimet e huaja, pasi tashmë këto investime kanë garanci edhe më të mëdha. Nga ana tjetër, do të citoja fjalën e Presidentit amerikan, Bush, në Zagreb, i cili duke iu drejtuar qoftë Shqipërisë, qoftë Kroacisë, tha se tashmë demokracinë tonë nuk mund ta cenojë asnjë vend. A ka më tej detyrime? Natyrisht që sot e tutje lindin detyrime të tjera, lindin obligime për të përmbushur standarde akoma më të larta. Ne si qeveri jemi të vendosur për t‘u përballur me këto detyrime e sfida të reja dhe jam i sigurt se duke i thelluar reformat, duke i përshpejtuar ato ne do të mundim që shumë shpejt të bëhemi anëtarë me të drejta të plota të kësaj aleance.

Ka zëra që Shqipëria do të marrë rolin e ndërmjetësuesit midis Shkupit dhe Athinës. Sa e vërtetë është dhe a jemi ne në pozicion të favorshëm për ta marrë këtë rol?

Fatmirësisht, ka kohë që Shqipëria shihet si një faktor stabiliteti në rajon. Të dyja vendet ne i shohim si vende partnere dhe vende fqinje e mike me të cilat kemi fqinjësi shumë të mirë dhe si të tillë në rast se do të kërkohej edhe ndihma jonë, ne do të ishim të gatshëm të jepnim kontributin tonë për të zgjidhur çështje që i takojnë këtyre dy vendeve. Ajo që ne urojmë dhe dëshirojmë është që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt, duke i dhënë shansin Maqedonisë të vazhdojë me rrugën e reformave, pasi gjithë këto vite jemi përpjekur së bashku në kuadër të kartës "Adriatik 3" për të marrë të gjithë këtë ftesë të merituar. Mendoj dhe besoj se Shkupi dhe Athina do të mundësojnë zgjidhjen sa më të shpejtë të kësaj çështjeje, si dhe krijimin e një klime sa më stabël e të qëndrueshme për të gjithë rajonin.

Keni takuar dhe keni qëndruar për dy ditë rresht me Presidentin e SHBA, Bush, mund të na thoni disa nga impresionet dhe bisedat e lira që janë bërë me të në lidhje me shqiptarët dhe Shqipërinë, duke pasur parasysh edhe pritjen e mrekullueshme që i bënë shqiptarët gjatë vizitës së tij në Shqipëri?

Takimi me Presidentin Bush ishte një kënaqësi tjetër e atyre ditëve që ne qëndruam në Bukuresht dhe Zagreb dhe natyrisht kur biseda është e lirshme bëhet edhe më e këndshme. Përsëritja e urimeve nga Presidenti Bush, përsëritja e meritës shqiptare për marrjen e ftesës dhe personalisht ajo që përveç takimeve me kreun amerikan ma shtoi kënaqësinë e asaj bisede, ishte fakti që Presidenti Bush iu rikthye vizitës së tij në Tiranë qershorin e kaluar dhe unë si kryetar i komitetit që u mor me përgatitjen dhe organizimin e pritjes së tij, ndjeva një kënaqësi tjetër për vlerësimet më të mira që morëm për atë vizitë të paharrueshme.

Kur ndodhi tragjedia e Gërdecit, ju ishit zëvendëskryeministër, si e përjetuat?

Personalisht, mendoj se një tragjedi, pavarësisht pozicionit në të cilin ndodhesh, të zv/kryeministrit, ministrit apo një qytetari të thjeshtë, emocionalisht përjetohet si një tragjedi. Pa dyshim kam ndier keqardhjen më të madhe për ata njerëz që humbën jetën në atë tragjedi, për të afërmit e tyre, për ata qytetarë që u plagosën, për ata qytetarë që u detyruan të shpërngulen nga shtëpitë e tyre. Të gjitha këto në radhë të parë i kam përjetuar e ndier si qytetar i thjeshtë, si prind dhe kuptohet në pozicionin e zv/kryeministrit obligimet shtohen pasi që në momentet e para, filluan përpjekjet për kapërcimin e asaj situate. E gjithë qeveria nisi punën për të menaxhuar sa më mirë situatën pas tragjedisë dhe besoj se falë këtij mirorganizimi, falë sidomos kontributit që dhanë Forcat e Armatosura, policia dhe të gjitha strukturat e shëndetësisë u arrit që së paku në jetë njerëzish të kishte humbje më të vogla nga ç‘mund të kishte pasur në një rast të tillë.

Cili mendoni se ishte shkaku i kësaj tragjedie. A mundet që shteti ta kishte kontrolluar më mirë këtë aktivitet?

Gjithmonë mendoj se një tragjedi ndodh nga një pakujdesi e cila e vogël apo e madhe është koha dhe analiza e ngjarjes që do ta përcaktojë dhe do të tregojë përmasat e kësaj pakujdesie. Në rast se të gjitha hallkat dhe strukturat shtetërore do të ishin treguar më të kujdesshme dhe më të vëmendshme, në rast se të gjitha rregullat e çmilitarizimit do të ishin zbatuar, atëherë besoj se një tragjedi e tillë nuk do të kishte ndodhur aspak.

Ju ishit në krye të shtabit të emergjencës, pse e pranuat dhe cili ishte qëllimi kryesor i këtij shtabi?

Për cilindo në të tilla momente ka pak vend dhe pak kohë për të menduar se pse e pranova kryesimin e Shtabit të Emergjencës. Në radhë të parë ai është një obligim, një detyrim dhe dyzimi për ta pranuar apo jo as që mendohet. Qëllimi kryesor i Shtabit të Emergjencës së tragjedisë së Gërdecit ishte kapërcimi i situatës së emergjencës në një kohë sa më të shkurtër, marrja e të gjitha masave për minimizimin e rrezikut, sistemimin e menjëhershëm të banorëve që kishin pësuar dëme në shtëpitë e tyre, kurimi dhe kujdesi për të gjithë ata që mbetën të plagosur nga kjo ngjarje, dërgimi drejt spitaleve dhe specialistëve të huaj për të gjithë ata që kishin nevojë për këtë ndihmë mjekësore jashtë vendit, një punë intensive e atyre ditëve të para, e cila besoj se pati efektet e saj tepër pozitive, duke u krijuar strehë atyre banorëve që humbën shtëpitë, apo edhe duke nisur shumë shpejt edhe mundësitë e rifillimit të arsimimit të fëmijëve.

Cilat ishin masat e para që u morën për normalizimin e gjendjes. A ka pasur ndonjë moment gjatë atyre ditëve që ju keni "sharë nëpër dhëmbë" politikën apo shtetin?

Nga masat a para që mund të përmend është dhënia e menjëhershme e ndihmës së parë për të gjithë ata që mbetën të plagosur dhe që qëndronin në ambientet spitalore të qyteteve Tiranë, Durrës e Krujë dhe këtu dua të shpreh edhe një herë e në mënyrë të veçantë falënderimin maksimal për të gjithë personelin mjekësor, për përkushtimin e tyre jo vetëm profesional, por edhe human gjatë gjithë asaj kohe. Ndër masat e tjera ishin krijimi i kushteve dhe ambienteve për të pritur që natën e parë ata që humbën shtëpitë, dhe brenda pak orësh u bë e mundur që në shtëpitë e pushimit të Ministrisë së Mbrojtjes dha asaj të Rendit të ishin në gjendje gatishmërie rreth 600 shtretër. Nga ana tjetër, e gjithë zona e tragjedisë iu nënshtrua menjëherë një regjimi të rreptë kontrolli nga Forcat e Armatosura të Ushtrisë dhe atyre të Rendit, e gjitha kjo në funksion të minimizimit dhe eliminimit të mundësisë për të pasur ndonjë tjetër tragjedi nga afrimi i civilëve pranë banesave të tyre. Nuk ka pasur asnjë moment kur "nëpër dhëmbë" të kem sharë politikën shqiptare apo shtetin, pasi të tilla situata nuk të ndihmojnë dot në punën tënde. Ka pasur momente intensive pune, momente lodhjeje, por asnjëherë nuk është humbur durimi, përkundrazi kemi bërë të gjitha përpjekjet për të normalizuar një orë e më parë jetën në atë zonë, për t‘u kthyer qytetarëve të saj qetësinë.

Pse e pranuat detyrën e ministrit të Mbrojtjes?

Në radhë të parë e pranova siç e pohoni edhe ju në pyetjen tuaj, pasi është një detyrë. Z. Berisha ma propozoi postin e ministrit të Mbrojtjes, të cilën unë e shoh si një vlerësim tjetër. Këtë propozim unë e pranova pavarësisht faktit se ajo që ndodhi në Gërdec e komplikonte apo dhe e bënte akoma më të vështirë marrjen e kësaj detyre, por mua fatmirësisht më pëlqen të përballem me sfida dhe sidomos me punë.

Një ditë pasi morët detyrën e re, ju mbyllët edhe debatin mediatik midis Ministrisë dhe Shtabit të Përgjithshëm. Kishit frikë që kjo "luftë‘ mund të nxirrte në dritë fakte të reja komprometuese?

Kjo nuk është çështje "lufte", është çështje e etikës së komunikimit, e cila mendoj bëri të kthehet në normalitet bashkëveprimi midis Ministrisë dhe Shtabit të Përgjithshëm, pasi ato nuk janë dy institucione të ndara, janë të të njëjtit qëllim dhe të njëjtit objektiv dhe një debat i tillë mediatik gjykoj se do të ishte i padobishëm dhe i panevojshëm.

Keni shkarkuar deri tani disa nga zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes që kishin lidhje direkt ose indirekte me tragjedinë. A do të vazhdojë kjo "reformë‘?

Këto janë disa nga masat e para, pasi jam i mendimit se askush në këtë ministri nuk mund të sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë. Përgjegjësitë lidhur me tragjedinë e Gërdecit janë disaplanëshe, janë përgjegjësi ligjore, politike, morale dhe administrative. Përgjegjësitë ligjore është prokuroria ajo që do t‘i zbardhë, përgjegjësitë politike e morale, Z. Mediu për këto arsye dha dorëheqjen dhe natyrisht që do të ketë edhe disa përgjegjësi administrative. Kjo "reformë" do të vazhdojë për aq sa gjithsecili të mbajë jo më shumë, por as më pak përgjegjësitë që i takojnë.

Në këndvështrimin tuaj si ka punuar ish-ministri Mediu. Sa përgjegjës është ai për Gërdecin?

E kam thënë edhe herë të tjera se në gjykimin tim Z. Mediu ka punuar shumë mirë, ka dhënë një kontribut madhor për reformimin e Forcave të Armatosura Shqiptare, ka dhënë një kontribut po aq madhor për të mundësuar marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Se sa përgjegjës është Z. Mediu për Gërdecin, e shpreha edhe në pyetjen e mëparshme, përgjegjësinë ligjore për këdo do të jetë Prokuroria që do ta nxjerrë, ndërsa referuar atyre politike dhe morale Z. Mediu i ka marrë përsipër këto përgjegjësi duke dhënë dorëheqjen nga pozicioni i ministrit të Mbrojtjes.

Çfarë raportesh keni me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë?

Me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë kam raporte normale dhe institucionale pune dhe tepër korrekte, raporte të cilat nuk kondicionohen aspak nga fakti se cili është personi në krye të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, janë raporte që janë dhe do të mbeten të tilla për sa kohë unë do të drejtoj këtë ministri.

A mendoni se ka ardhur koha që MEICO të jetë më në nën kontroll nga shteti?

Ajo që mendoj është se ka ardhur koha që të gjithë ne, duke nisur nga qytetari më i thjeshtë e deri te politikanët, të kuptojmë se duhet të tregojmë kujdes maksimal kundrejt gjithçkaje, duhet të kuptojmë se respektimi i rregullave e ligjeve është një domosdoshmëri dhe mendoj se kjo nuk është vetëm një çështje kontrolli nga shteti apo jo, mjafton të kujtojmë se pak ditë më parë se të ndodhte tragjedia e Gërdecit, disa jetë të tjera humbën tragjikisht në një liqen të Tiranës nga një pakujdesi tjetër. Pak rëndësi ka se nga kush ushtrohet ky kontroll, rëndësi ka që të respektohen standardet e rregullat, por edhe që të gjithë qytetarët të kontribuojnë në respektimin e tyre. Jeta është e çmuar dhe të gjithë duhet të kontribuojnë për ta mbrojtur e bërë më të bukur atë.

Flitet që kasaforta e MEICO-s ende nuk është sekuestruar nga prokuroria, nga kjo lindin dyshime për lëvizje dhe mbivendosje dokumentesh. Cili është komenti?

Zakonisht nuk para merrem me çfarë flitet e përflitet, aq më tepër në një kohë kaq intensive e të ngarkuar me shumë punë. Këto mendoj se janë çështje tashmë të prokurorisë dhe çdo koment i imi apo edhe ndonjë politikani tjetër, besoj se do të ishte i tepërt e do t‘i jepte ngarkesa të kota politike çështjes...

Ǒmasa janë marrë për 100 mijë tonë municione dhe armatime, shifra këto të deklaruara nga ish-ministri Mediu?

Për t‘iu përgjigjur vërtet realisht kësaj pyetjeje, besoj vlen t‘ju përmend se brenda kaq pak kohe askush nuk mund të presë mrekullinë lidhur me këtë çështje kaq të ndjeshme. Ajo që është bërë menjëherë është rritja e nivelit të sigurisë dhe kontrollit të këtyre ambienteve. Fatkeqësisht, është një sasi e madhe municioni e shpërndarë në shumë pika në të gjithë territorin e Shqipërisë, municion i vjetër, i cili çdo ditë që kalon paraqet rrezikshmëri. Po përpiqemi të hartojmë brenda kësaj kohe edhe një strategji sa më afatshkurtër për çmontimin dhe demilitarizimin e këtyre municioneve të rrezikshme. Fatmirësisht, ndihet një mbështetje maksimale nga të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë dhe besoj se shumë shpejt do të dalim me këtë dokument që në fakt ekziston, por që ishte i shtrirë në një afat kohor më të gjatë. Objektivi ynë është reduktimi i këtij afati dhe eliminimi i këtyre municione me metoda sa më të sigurta dhe që nuk do të rrezikojnë më. Shumë shpejt do të organizojmë edhe një tryezë të rrumbullakët me të gjithë specialistët dhe donatorët e huaj, pasi objektivi ynë i vetëm lidhur me demilitarizimin është tashmë siguria.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›