E Diel, 1 Nëntor 2026

Mënjanohet kriza e furnizimit me gaz drejt Evropës

Mënjanohet kriza e furnizimit me gaz të Europës pas pagesave të bëra nga kompania ukrainase "Naftogaz" në llogari të Gazpromit rus. Pagesa ka ardhur vetëm pak orë pas kërcënimeve nga kryeministri rus Vladimir Putin se do të ndërpriste sërish furnizimin me gaz të Ukrainës, që do të prekte dhe Europën. Putin kishte deklaruar se dërgesat e gazit rus që kalojnë nëpërmjet Ukrainës drejt Europës do të ndërpriteshin sërish, nëse Kievi nuk paguante deri të shtunën faturat e gazit për muajin shkurt. "Nëse vazhdohet të mos bëhet pagesa për aksionet e marra nga selia e kompanisë ukrainase 'Naftogaz', ne do të ndërpresim dërgesat e gazit për konsumatorët ukrainas dhe ndoshta dhe europianët", kishte thënë Putin, i cili citohej nga një televizion rus. Ndërkohë që shoqëria ukrainase e hidrokarbureve "Naftogaz" kishte siguruar se do të shlyente deri në fund të ditës së enjte faturën e saj për gazin rus të konsumuar gjatë muajit shkurt, gjë që edhe e bëri. "Deri në fund të ditës ne do të paguajmë krejtësisht faturën për gazin e konsumuar gjatë muajit shkurt", tha zëdhënësi i "Naftogaz", Valentin Zemlianski. Acarimet e reja midis Rusisë dhe Ukrainës erdhën vetëm pak javë pas zgjidhjes së mosmarrëveshjeve më të fundit për gazin rus, të cilat rrezikuan furnizimin e vendeve europiane në ditët më të avarta të vitit. Pas shumë negociatash dhe thirrjesh ndërkombëtare dy palët arritën të gjejnë një consensus, duke bërë që të vijonte kalimi tranzit i gazit rus, nëpërmjet territorit ukrainas, drejt vendeve europiane.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›