E Diel, 1 Nëntor 2026

Menjëherë pas takimit, Kryeministri Fatos Nano dhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës Valter Shvimer, u prononcuan për shtypin shqiptar. Kryeministri Nano i uroi mirëseardhje

Menjëherë pas takimit, Kryeministri Fatos Nano dhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës Valter Shvimer, u prononcuan për shtypin shqiptar.

Kryeministri Nano i uroi mirëseardhjen z.Shvimer në Tiranë dhe u shpreh se:

"Pata kënaqësinë t'i uroj mirëseardhjen Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës në Tiranë dhe të ndaj me të informacionin më të freskët për zhvillimin pozitiv të institucioneve në Shqipëri, të reformave, të politikës dhe të shoqërisë civile, në të cilat materializohet edhe kontributi i Këshillit të Evropës prej më shumë se 10 vjetësh në rritjen e Shqipërisë së re demokratike dhe përmbushjen prej saj të parametrave të Këshillit të Evropës në rrugën e afrimit me standartet e Bashkimit Europian.

Pata kënaqësinë e veçantë të dëgjoj edhe nga z.Shvimer vlerësime për një gjendje shumë më të pjekur sesa vite më parë, që ai gjen këtë herë këtu dhe t'i përsëris angazhimet e qeverisë për të vazhduar reformat, duke synuar një konsensus sa më të gjërë politik dhe shoqëror për zhvillimin e tyre pa konflikte dhe në rrugë konsensuale në dobi të të gjithëve", përfundoi zoti Nano.

Z.Shvimer shprehu kënaqësinë për vizitën në Shqipëri dhe vlerësoi progresin e bërë në vend. Ai u shpreh se:

"Kam qenë në Shqipëri edhe më parë, por kjo është e para vizitë në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm. Jam plotësisht dakort me Ju për faktin se Shqipëria ka bërë një progres substancial si një vend anëtar i familjes së demokracive europiane. Opinionet dhe kontradiktat midis qeverisë dhe opozitës janë diçka normale në një qeveri dhe shoqëri demokratike dhe pluraliste. Jam mjaft i kënaqur që Parlamenti është bërë përsëri platforma ku zhvillohet konkurenca politike, sikundër dialogu dhe konsensusi në shumë raste. Shpresoj se manifestimet, nëse do të zhvillohen të tjera, do të jenë paqësore. Së fundi, dua të them se duhet të ketë dialog politik kontruktiv.

Evropa ka nevojë për Shqipëri. Shqipëria është tashmë anëtare aktive e Këshillit të Evropës dhe vlerësoj veçanërisht rolin aktiv dhe konstruktiv që luan Shqipëria në rajon. Nismat e bashkëpunimit të ndërmarra nga Shqipëria e sjellin të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës Juglindore pranë Evropës. Këshilli i Evropës i mirëpret këto zhvillime dhe është i gatshëm të japë asistencën e vet për to.

Jam i kënaqur për zhvillimin e samitin të tretë të kryetarëve të shteteve vitin tjetër në Varshavë. Ky samit duhet të shënojë fundin e çdo periudhe të pas Luftës së II Botërore në Evropë dhe të fillojë erën e një Evrope ku të gjithë janë partnerë të barabartë dhe ku Evropa është e njëjtë për të gjithë, pa vija ndarëse tashmë, duke hequr kështu edhe ato vija që kanë ekzistuar në të kaluarën, ku të mos ketë gjithashtu as vija ndarëse ndërmjet vendeve që janë pjesë e Unionit ose jo. Ajo që kemi nevojë është një bashkëpunim paneuropian. Do të na duhet të punojmë sëbashku për shumë sfida paneuropiane. Midis tyre mund të përmend më të rëndësishmet si lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikimit të qënieve njerëzore. Në këto përpjekje të përbashkëta Shqipëria do të japë kontributin e saj shumë aktiv.

Jam shumë i kënaqur nga bisedimet që kam patur deri tani gjatë vizitës sime në Shqipëri. Jam takuar me Presidentin, Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin, Ministrin e Jashtëm, me delegacionin e Këshillit të Evropës në Tiranë, si dhe me drejtuesit e opozitës. Do të kem gjithashtu takime me përfaqësues të fushës së drejtësisë dhe të sistemit gjyqësor. Mendoj se vizita ime në Shqipëri kontribuon për të çuar më tej bashkëpunimin ndërmjet Këshillit të Evropës dhe Shqipërisë. Jam mjaft i kënaqur gjithashtu që vizita ime përkon me fillimin e mandatit të përfaqësuesit të posaçëm të KE-së në Shqipëri. Ai do të jetë në dispozicion jo vetëm të qeverisë dhe Parlamentit por edhe të shoqërisë civile", deklaroi zoti Shvimer.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›