E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër; Fierzë, piu gabimisht helmin në vend të ilaçeve, vdes 22-vjeçarja

Pas disa orë përpjekjesh, e reja nga Puka nuk ka mundur dot t'i shpëtojë vetëhelmimit. Burimet zyrtare nga spitali i qytetit kanë bërë me dije se 22-vjeçarja J. K. ka ndërruar jetë dje në spital. Vajza, një ditë më parë ka dashur të pijë ilaçet, por gabimisht ka marrë një tjetër kuti, duke gëlltitur lëndë helmuese. Ngjarja ndodhi dy ditë më parë në një fshat të rrethit të Pukës. Sipas burimeve të policisë lokale, bëhet e ditur se 22-vjeçarja me inicialet J. K., nga fshati Mzi i Fierzës përfundoi në spital pas një ngatërrese të ilaçeve. “Vajza ka dashur të marrë ilaçet, të cilat i pinte për një sëmundje, por gabimisht ka rrëmbyer një tjetër pako, ku ka qenë e futur lëndë helmuese”, - thonë burimet e policisë, duke iu referuar dëshmisë së familjarëve. Menjëherë sapo ka pirë lëndën, vajza është ndier keq dhe ka kërkuar ndihmë. Familjarët e kanë gjetur në gjendje të rëndë dhe të alarmuar e kanë transportuar për në urgjencë. Mjekët kanë konstatuar helmim nga lëndë helmuese, kurse policia ka njoftuar për helmim aksidental.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›