“Nuk ka Kushtetutë në vende të lira që të veshë krimet me imunitet”
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, takim me zëvendësambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Aleks Finen
TIRANE - Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli priti dje në një takim të kërkuar prej saj, zëvendësambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Aleks Finen, në mungesë të ambasadorit Bosh, i cili aktualisht nuk ndodhet në Shqipëri.
Duke u ndalur konkretisht tek ajo çka ndodhi në seancën e fundit parlamentare, Topalli u shpreh se “Dje, parlamenti votoi ligjin mbi pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë. Personalisht, e konsideroj këtë një arritje dhe një borxh, ndonëse pak të vonuar, ndaj vuajtjeve dhe kalvarit çnjerëzor që populli shqiptar kaloi për gjysmë shekulli”.
Kryetarja e Kuvendit u ndal edhe tek standardet që ligji përmbush, duke bërë të ditur se “Parlamenti votoi një ligj të standardeve, model i ligjit çek. Ligji çek është shqyrtuar dhe miratuar dy herë nga Gjykata Kushtetuese çeke dhe nuk është vënë kurrë në dyshim nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg”.
Duke qenë se ky ligj është në kushtetutshmëri të plotë, Topalli theksoi se “Ajo që është kushtetuese për Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe për Çekinë, vend anëtar i BE-së, nuk mund të jetë jokushtetues për Shqipërinë që ka kaluar kalvarin më të egër diktatorial”.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli specifikoi në mënyrë të veçantë se “Nuk ka Kushtetutë në vende të lira që mandatet t’i mbajë mbi krimin apo të veshë krimet me imunitet”, duke sjellë ndërmend “Ato dhjetëra e mijëra shqiptarë që u burgosën e u pushkatuan, u martirizuan për parimet e Kartës së Helsinkit, për principet që mbron edhe OSBE-ja”.
Kryetarja e Kuvendit tha se “Ne kemi të gjithë vullnetin dhe garantojmë transparencë të plotë në zbatimin e këtij ligji në përputhje me standardet e parashikuara nga Strasburg”, tha Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli