E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri përuroi sot fillimin e punimeve për ndërtimin e rrugës Kukës Shishtavec

Kryeministri Sali Berisha përuroi sot fillimin e punimeve për rikonstruksionin e rrugës Kukës-Shishtavec, në veri të vendit, duke iu premtuar banorëve se, "Do të rrisim investimet edhe më shumë në zonat rurale. Në këtë vizitë në Kukës, kryeministri Berisha shoqërohej nga ministri i Transporteve Sokol Olldashi, deputetët Flamur Noka dhe Fatos Hoxha si dhe drejtues të pushtetit lokal. Pas prerjes së shiritit të përurimit në vendin ku nis rruga, Berisha  përshëndeti banorët e ardhur nga  qyteti i Kukësit dhe  fshatrat e Gorës, duke i falenderuar për mbështetjen e dhënë PD-së, në fitorën e 28 qershorit.  Kryeministri Berisha, premtoi  rritjen e investimeve në krejt Qarkun e Kukësit.  "Rikonstruksioni i kësaj rruge është i domosdoshëm për këtë zonë me resurse të mëdha turistike dhe të prodhimit të patates dhe të kulturave të tjera bujqësore dhe për zhvillimin e blegtorisë,"  theksoi  Berisha. Ai tha se, Qeveria do të rrisë investimet edhe në ndërtimin e veprave ujitëse, në rritjen e prodhimit bujqësor e blegtoral me synimin që "jeta e banorëve edhe të këtyre zonave të largëta rurale të përmirësohet". Për rikonstruksionin e rrugës Kukës  Shishtavec, 37 kilometra, buxheti i shtetit ka akorduar një fond prej rreth 5 miliard lekësh. Rikonstruksioni tërësor i kësaj rruge, përfshin zgjerim të trasesë, ndërtim veprash arti si dhe asfaltim. Të gjitha punimet parashikohet të përfundojnë në fund të vitit të ardhshëm.


Fjala e plotë e kryeministri Berisha


Së pari dëshiroj tu shpreh ju dhe të gjithë qytetarëve të qarkut të Kukësit  mirënjohjen time më të thelle për mbështetjen e jashtëzakonshme  që i dhanë mazhorancës  aktuale, ndihmesën tejet të rëndësishme, në fitoren e 28 qershorit. Shpreh gjithashtu mirënjohje të thellë ndaj të gjithë qytetarëve shqiptarë, të cilët më 28 qershor përqafuan vizionin  e Shqipërisë evropiane. Sot erdha tek ju me detyrimin tim për premtimet elektorale.


Sot ne inaugurojmë dy rrugë shumë të rëndësishme për qarkun e Kukësit, inaugurojmë rrugën Kukës Krume, prej 27 km , rrugë e cila do të jetë e parametrave ndërkombëtare, rrugë që lidh Hasin me Kukësin, korridorin e kombit  dhe Tiranën. Po sot, ne inauguruam fillimin e punimeve në rrugën e Shishtavecit  edhe ajo jashtëzakonisht e  rëndësishme prej 24 km, investim rreth 4 miliard lekë, por tepër e rëndësishme për Shqipërinë turistike , për Kukësin turistik , tepër  e rëndësishme gjithashtu në premtimin tim të dhënë elektoral , që të gjitha komunat e këtij vendi do të lidhen me rrugët kombëtare nëpërmjet rrugëve  të asfaltuara  dhe  të gjitha fshatrat  e këtij vendi do të lidhen me qendrat e komunave me rrugë të asfaltuara.


Rruga që ne inaugurojmë Kukës-Krumë, rindërtimi i saj, por edhe vendosja e trasesë së saj, në kilometra  të tëra për të shkurtuar distancë, plotëson gjithashtu një nga segmentet më jetike të unazës verilindore dhe juglindore të vendit, unazë e cila fillon në Tropojë dhe përfundon në Delvinë, unazë e cila do ti japë një frymëmarrje të madhe të gjitha komunave të verilindjes dhe juglindjes së vendit.


Të dashur qytetarë dhe qytetarë te Kukësit,


Sot, unë erdha në Kukës nëpërmjet korridorit të kombit. Duke ardhur mu rikujtua teza famëzezë e humbësit Edi Rama. Pasi volli vrer, tonelata shpifjesh dhe trillimesh , pasi përdori bashkë me të tjerë në mënyrën më monstruoze institucionin e akuzës, duke e shndërruar atë në një turp ordiner, nxori tezën famëkeqe, se kjo është rruga e asgjëkundit. Dua ti them sot se Kosova është gjysma e kombit, kurse ti je faqja e zezë dhe turpi i tij. Dua ti them sot se qytetarët e Kukësit janë qytetarë të nderuar të këtij vendi. E kam deklaruar dhe e deklaroj se vetëm për tu përgjysmuar atyre rrugën për ne Tiranë ata e meritonin plotësisht këtë rrugë. Të deklarosh se kjo është rruga e asgjëkundit, sic bëri humbësi i shqiptarëve, i cili meritonte të humbiste dhe shqiptarët i dhanë atij atë që meritonte, do të thotë të jesh verbuar nga urrejtja dhe armiqësia ndaj kombit tënd. Të deklarosh se kjo është rruga e asgjëkundit do të thotë se ti je hiç i hiçeve, sepse sot në këtë rrugë qarkullojnë dhjetëra e mijëra shqiptarë, qarkullojnë mbi 12 mijë Unë ju garantoj ju se nuk do të jetë e largët dita, që në këtë korridor të qarkullojnë 20 apo 24 mijë automjete në ditë. Ky do të jetë korridori i shqiptarëve, korridori i Ballkanit, i cili do tu ofrojë distancën më të shkurtër dhe shërbimin më të mirë edhe kombeve fqinj. Por le të mos merremi me të, se shqiptarët e nxorën atë në banesën e harresës dhe humbjes, kurse ne së bashku le të vazhdojmë projektin e Shqipërisë evropiane, të Kukësit evropian.


Jam këtu para jush për tu angazhuar sërish se çdo rrugë e rretheve të këtij qarku do të asfaltohet. Unë dua Ju garantoj ju se qeveria do të bëjë të gjitha investimet që ju në familjet tuaja të keni ujë 24 orë, që shumë shpejt vepra të rëndësishme ujitëse do të nisin kudo që ka nevojë. Vitin që vjen ne nisim ndërtimin  e një rezervuari të ri në Has, në mënyrë që të vendosim nën ujë dhe qindra e mijëra hektarë të tjerë dhe po kështu në mbarë vendin ne do të ngremë një sistem vaditje, që Shqipëria nuk e ka njohur kurrë më parë. Ndaj dhe unë i ftoj të gjithë qeveritarët vendorë të angazhohen, sic janë angazhuar  me përkushtim për infrastrukturën rrugore, infrastrukturën arsimore,infrastrukturën e furnizimit me ujë, të angazhohen për një sistem të ri vaditjeje në komunat e tyre.


Qeveria është e vendosur që si një projekt parësor ta bëjë atë realitet me shpejtësinë më të madhe. Zona verilindore por jo vetëm ajo, edhe zona të tjera juglindore të vendit jetojnë në vështirësi serioze, për shkak  të kushteve dhe sipërfaqes së vogël të tokave që kanë, për shkak të distancave të largëta  me tregun, qeveria ime është e vendosur që të financojë në Has në Tropojë , në Kukës, Librazhd,  Gramsh, Skrapar, Tepelenë, Pogradec, Kolonjë, Mirditë, çdo projekt të secilit fermer. Ndaj ju bëj thirrje ti mbillni tokat tuaja me ato çka ju mendoni se fitoni më shumë . Unë ju siguroj se qeveria do të financojë për çdo rrënjë druri frutor të mbjellë. Ju siguroj se qeveria do të financojë përpunimin e prodhimeve tuaja bujqësore. Ne nuk pengojmë asnjëri që të lëvizë nga vendi ku ai jeton, në rast se konstaton se aty nuk mund të ndërtojë jetën , por do të ndihmojmë çdo fermer, i cili do të ndërtojë jetën e tij, jashtë varfërisë, aty në truallin e tij.


Le të vazhdojmë së bashku këtë projekt me të cilin do ta shkëpusim Shqipërinë me shpejtësinë më të madhe, nga prapambetja shekullore e trashëguar. Do ta bëjmë Shqipërinë një vend modern me një infrastrukturë realisht evropiane, do ta bëjmë Shqipërinë një vend prodhues të fuqishëm, do ti shndërrojmë pasuritë e këtij vendi, në të mira materiale për qytetarët. Me dhjetëra  hidrocentrale janë për tu ndërtuar në rrethin tuaj, pasuri të mëdha minerale mbajnë në gjirin e tyre tokat dhe malet e kësaj zone. Ne kemi hedhur bazat e për shfrytëzimin më racional të tyre dhe në interesin tuaj më të mirë.


Edhe njëherë ju përshëndes përzemërsisht dhe ju siguroj se këtë 4 vjeçar qytetarët e Kukësit dhe mbarë Shqipërisë do të ndjejnë ndryshimet më  të mëdha në tërë historinë e këtij vendi.


Ju faleminderit



...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›