E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI për qeverinë e re: Së shpejti negociatat

Përfaqësuesi i LSI, Haxhinasto gjatë një konference për shtyp ka parashtruar objektivat e kësaj force që pret ti paraqes në tryeze me PD për bashkëqeverisjen e vendit. Haxhinasto u shpreh se LSI do insistojë te reforma zgjedhore. 

TIRANË- Lëvizja Socialiste për Integrim paraqet objektivat e saj, të cilat së shpejti pret ti shtrojë në tryezën e negociatave për formimin e qeverisë së re. Kjo parti rithekson ndër prioritetet, punësimin, luftën kundër varfërisë, shërbimet publike në shëndetësi dhe arsimin.

Kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së, Edmond Haxhinasto, deklaroi se, vendimi i LSI-së për të marrë pjesë në bashkëqeverisje me Partinë Demokratike, do të konkretizohet së shpejti në hartimin e një programi të përbashkët qeverisës.

Gjatë një konference për shtyp, Haxhinasto tha se, “ LSI po përgatit dhe do të paraqesë në tryezën e negociatave për formimin e qeverisë së re objektivat e saj programore bashkë-qeverisëse, të cilat janë në funksion të integrimit evropian, forcimit të shtetit të së drejtës dhe zhvillimit të qëndrueshëm të vendit”.

Duke u ndalur te disa nga prioritetet e LSI-së, Haxhinasto theksoi se, “prioritetet tona zhvillimore si punësimi, rritja e prodhimit vendas dhe veçanerisht zhvillimi i sektorit të bujqësisë dhe atij të turizmit, përmirësimi cilësor i shërbimeve publike të shëndetësisë dhe arsimit, reformat institucionale, dhe veçanërisht reforma zgjedhore do të jenë elementë të rëndësishëm, që ne do t’i paraqesim në tryezën e negociatave”.

Ai shtoi më tej se, “ne jemi të bindur se integrimi i prioriteteve tona qeverisëse dhe atyre të PD-së, do të garantojnë një qeverisje të qëndrueshme dhe sukses në realizimin e objektivave kryesore të qeverisjes së ardhshme, stabilitetit të vendit dhe plotësimit të standarteve për integrimin në BE”. (a.r/ata/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›