E Shtunë, 31 Tetor 2026

Themelohet Unioni Anglishtfolës i Shqipërisë



Ambasadorja britanike në Shqipëri, Fiona McIlwham, organizoi dje një pritje në rezidencën e saj, me rastin e themelimit të Unionit Anglishtfolës në Shqipëri. Ambasadorja e përshkroi themelimin e ESU-së në Shqipëri si “një mundësi e rëndësishme dhe emocionuese për Shqipërinë, për ne dhe për mësimin dhe promovimin e gjuhës angleze në Shqipëri”. Ajo shtoi: “Është në lidhje me angazhimin tonë themelor për një partneritet dhe miqësi më të gjerë dhe akoma më të fortë me Shqipërinë, për të ndihmuar këtë vend të zhvillojë potencialin dhe aftësitë e saj të mëdha”.

“Anglishtja është një gjuhë globale. Dhe ç’është e rëndësishme për Shqipërinë, ajo është një gjuhë evropiane, – tha ambasadorja Mcllwham. – Programet e ESU-së ofrojnë mundësi të mëtejshme për të pajisur shqiptarët me veglat, aftësitë dhe kontaktet që do ta ndihmojnë në mbështetjen e Shqipërisë gjatë rrugës së saj drejt anëtarësimit në BE. Për Mbretërinë e Bashkuar, ky është një prioritet kryesor”.

Në pritje ishin të pranishëm drejtori i përgjithshëm i ESU-së, Mike Lake CBE, Lord Watson of Richmond CBE, kryetar i Këshillit Ndërkombëtar të ESU-së dhe Zenel Hoxha, kryetar i ESU-së, Shqipëri. Gjithashtu, të pranishëm në këtë pritje ishin 31 delegatë ndërkombëtarë, të cilët përfaqësojnë Unionin Anglishtfolës të nëntë shteteve të tjera, si dhe të ftuar shqiptarë nga qeveria, universitetet si dhe bizneset.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›