E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: Kemi siguruar vaksinat për gripin e derrit



Vaksinat për gripin e derrit janë siguruar tashmë edhe nga vendi ynë, sipas ministres së Shëndetësisë, znj. Anila Godo. Gjatë seminarit të përvitshëm për emergjencat dhe pandemitë, të zhvilluar në hotel “Adriatik” në Durrës, znj. Godo iu përgjigj interesit të të pranishmëve për vaksinat kundër gripit të derrit, duke thënë se tashmë qeveria shqiptare i ka siguruar ato dhe pritet të nënshkruhen marrëveshjet përkatëse.

“Tashmë kam lajme të mira, pasi Gjermania mund të angazhohet për të na futur në listën e saj, duke na siguruar një sasi prej 600 mijë vaksinash. Kam premtim edhe nga drejtoresha e Sëmundjeve Ngjitëse në Evropë për të na siguruar 300 mijë vaksina. Jam e qetë, sepse sasi vaksinash do të ketë me bollëk”, – deklaroi ministrja në largim, Anila Godo.

Në këtë mënyrë, vendi ynë duket se ka siguruar një sasi të mjaftueshme të vaksinës së gripit të derrit, që pritet të shpërndahet përgjatë muajit nëntor nga kompanitë farmaceutike. Në total, bëhet e ditur se vendi ynë është gati të përfitojë rreth 1 milion e 200 mijë vaksina, çka shihet si një sasi e mjaftueshme për vaksinimin e të gjithë popullatës që ka rrezik nga prekja e gripi të derrit.

Prej kësaj sasie, 600 mijë vaksina pritet të porositen nga qeveria gjermane në shërbim të qeverisë shqiptare. Kjo, pasi Gjermania do të porosisë më shumë se 40 milionë vaksina dhe kompanitë farmaceutike u japin më shumë përparësi këtyre sasive sesa sasive që mund të porositen nga vende të vogla si Shqipëria.

Pjesa tjetër e vaksinave pritet të sigurohet nga Hungaria dhe nga Kroacia. Drejtoresha e Institutit të Sëmundjeve Ngjitëse në Evropë, njëkohësisht një nga kandidatet më të forta për postin e drejtoreshës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për Evropën Juglindore, i kishte premtuar qeverisë shqiptare se do të ndërhynte në kompanitë farmaceutike të Hungarisë, që të siguronin këtë sasi për vendin tonë. Ndërkohë, 300 mijë vaksinat e tjera janë siguruar nga negociatat e zhvilluara mes vendit tonë dhe një kompanie farmaceutike me bazë në Kroaci.

Ndërkohë, ministrja e Shëndetësisë deklaroi edhe dje se periudha më e vështirë për vendin dhe qytetarët do të jetë vjeshta, ku pritet përhapja masive e gripit të derrit në popullsi. Megjithatë, sipas saj, për aq sa virusi nuk egërsohet, përhapja masive nuk përbën alarm. I vetmi problem që shohin drejtuesit e shëndetësisë në vend, është ndryshimi gjenetik i virusit dhe egërsimi i tij, çka është e paparashikueshme.

Vaksinat e gripit të derrit janë shoqëruar me polemika në shumë vende; kjo, pasi kompanitë farmaceutike duket se kanë favorizuar shtetet në të cilat ndodhen për kontratat e porosisë, duke lënë pas dore vende të vogla si Shqipëria apo vende ku nuk ekzistojnë kompani të tilla farmaceutike, si Turqia. Megjithatë, duket se vendi ynë tashmë ka siguruar sasinë e nevojshme të vaksinave.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›