Meqë shpifi pa kandar, Rama s’është më kryetar
Shpifja është një taktikë për të fshehur konfliktualitetin. Kur ambiciozi humb shpresën, krijon alibi që të mbijetojë. Po, kur dhe alibítë s’e ndihmojnë, fillon nga shpifjet. Shpifja është një nga format e dhunës. A mund të bëhet dialog me popullin dhe ndërkombëtarët duke shpifur? Ambiciet e mëdha, që nuk njohin skrupuj moralë, tentojnë të realizohen me shpifje. Se shpifësi e ha turpin me bukë. Mirëpo nuk është aq e lehtë të shpifësh. Edhe kjo do artin e saj. Lypset mjeshtëri ta bësh të besueshme shpifjen. Bilé, karrieristët, kur katandisen në humbës, shndërrohen dhe në magjistarë. Ata i bëjnë gënjeshtra si të vërteta. Prezantojnë si fukará të pasurin dhe si miliarder - të uriturin. A nuk e paraqiti Enver gënjeshtari Shqipërínë si kombin me mirëqenien më të lartë në botë? A s’e mashtroi ai këtë Nënoke, sa të besonte te rreziqet imagjinare, te sabotimet dhe komplotet e paqena? A nuk “justifikoi” ai me to varfërínë dhe a nuk motivoi terrorin? Nuk vrapuan një gjysmë shekulli shqiptarët për të arritur të hanin me “lugë të florinjtë”? Dhe, kur arritën ta kuptonin mashtrimin, “qoftëlargu” e kishte hedhur lumin. Por tiranët as që pyesin në i beson populli. Po t’u duhet, bëjnë dhe kaun me barrë. Shpifësit e mëdhenj u besojnë dhe vetë sajimeve të tyre. Si egoistë të pamposhtur, ata janë autosugjestivë. Përpjekja për t’u bërë të besueshëm, i formon si gënjeshtarë profesionistë. A nuk “bindi” Rama dhe neo-bllokmenët mijëra njerëz për, gjoja, “kriza” artificiale?
E tërë jeta në diktaturë ka qenë një vetiluzion, i krijuar nga detyrimi me “daják” për t’i besuar shpifjes. Gati të gjithë kishin frikë edhe nga vetja të mos u besonin gënjeshtrave të partisë. A nuk është inercia e shpifjes, që po mban sot gjallë konfliktualitetin e sëmurë të PS-së ? A nuk presin gojëhapur gjithë fanatikët e saj shpifjet e radhës të liderëve të tyre? Se shpifjet kanë mbetur ushqimi i fundit i dështakëve të pashpresë. Ato i çlirojnë ata nga ankthet e frikës së dështimeve të reja. Kështu të dy palët “lider-militant” bëhen mbështetës të njëri tjetrit. Ndryshe, nuk ka si shpjegohet që shpifjet ndaj mazhorancës të jenë besuar dhe nga njerëz me mend në kokë. Enver Hoxha shpifte për suksese kolosale, Rama për mjerim të tejskajshëm. “Qoftëlargu” gënjente për fitorje të papara, Rama për dështime të frikshme. Enveri mburrej me “fenerin ndriçues”, Rama derdh lot për mungesën e shtetit. Njëri krenohej me demokracínë e “kopaçes”, tjetri ulërin për diktaturë orientale. Mirëpo, si i dështuar i pandërprerë, Rama e ka pasuruar shpifjen. Se, meqë s’vë dot në veprim “dajákun”, përdor pa kandar shpifjen. Se nuk është i pakët “húri” i manipulimit të opinionit. Por, për ambiciozët “liberalë” të PS-së nevoja për të shpifur qenka më e madhe. Se, po nuk shpifi opozita për korrupsion, si ta përbaltë madhështinë e rrugës së kombit? Po nuk ekzagjeroi rritjen e çmimeve, si të tallet me shtimin e rrogave e të pensioneve? Si ta ndotë opozita imazhin e Shqipërísë, po nuk vuri alarmin se këtu po u çahet barku nënave të reja dhe po bëhet trafik me fëmijët e palindur? Si mund të “justifikohen” demonstratat, po nuk u shpif se është shkelur shenjtëría e votës së lirë? Si mund të dhunohen institucionet, nëse nuk shpifet se mazhoranca po kryen “kanibalizëm zgjedhor”? Më tej akoma, si mund të pengohej liberalizimi i vizave, nëse nuk trembej Europa me sajimin e një eksodi biblik? Jo! Nuk mund të “binden” ndërkombëtarët ta heqin nga axhenda e integrimit Shqipërínë, nëse nuk shpifet se mazhoranca ka uzurpuar të gjitha institucionet! Se, si mund të “justifikohet” bojkoti i pakuptimtë i opozitës, nëse nuk shpifet sikur, gjoja, kjo po trajtohet si fasadë prej mazhorancës? Mirëpo, kur teprohet, shpifja ka rrezik të kthehet në bumerang. Prandaj ajo duhet përsëritur deri në kufijtë e absurdit. Madje me një kokëfortësí prej të marri. Duhet shpifur duke ulëritur në kupë të qiellit, bilé, çdo ditë. Për bojkotin permanent duhen kërcënuar deputetët e majtë deri në caqet e humbjes së mandatit. Duhen lënë me gojën hapur europianët, që nuk e përfytyrojnë kufirin e paturpësísë së shpifjes! Megjithatë, deri sot Europa nuk u ka besuar shpifjeve të opozitës. Prandaj në çdo raport, këshillë, a rekomandim ka porositur futjen e saj në parlament, dialogun dhe reformat. Ajo i ka besuar sinqeritetit të mazhorancës. Dhe mazhoranca ia ka dëgjuar fjalën. Përsërí i ka bërë ftesë për dialog opozitës. Përsërí i është drejtuar asaj me letra! Përsërí i ka krijuar të gjitha hapësírat, që të bëhet pjesë e reformave. I ka kërkuar vazhdimisht të ulet me të në dialog, të marrë pjesë aktive në hartimin e ligjeve, sidomos të atyre që kërkojnë tre të pestat e votave të parlamentit. Por, sa më tolerante, e hapur, e sinqertë, konsensuale dhe mirëkuptuese tregohet mazhoranca, aq më acaruese shfaqet PS-ja dhe liderët e saj. Aq më shumë “vickla” hedhin humbësit për të mashtruar elektoratin e tyre dhe partnerët ndërkombëtarë. Aq më tepër shpifin ata se, gjoja, mazhoranca të gjitha propozimet i paska false, madje provokative! Atëherë, ç’të bëjnë partnerët europianë? Të dënojnë përfundimisht opozitën? Atëherë, të pikëlluar, miqtë e Shqipërísë lëshojnë thirrje se po rrezikohet integrimi. Mirpo Rama dhe neo-bllokmenët këtë dëshpërim të tyre kanë pritur! Këta nuk e duan integrimin, se mendojnë që endé nuk e kanë shndërruar në “çiflig” Shqipërínë! Por dhe se u hapen “defterët” e krimeve të djeshme dhe vjedhjeve të sotme!