E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mërgata e vjetër të marrë nënshtetësinë

26/01/2009  PLL përshëndet kartat e identitetit

Partia "Lëvizja e Legalitetit" me anë të një deklaratë për mediat thekson se e shikon krijimin e regjistrit elektronik të gjendjes civile dhe pajisjen e qytetarëve shqiptarë me kartat e identitetit si një proces mjaft të rëndësishëm që do ti shërbejë mbarëvajtjes së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe përafrimit tonë me standardet evropiane për liberalizimin e vizave. “Ne vlerësojmë vullnetin e mazhorancës qeverisëse për plotësimin e të gjithë parakushteve për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të pakontestueshme si dhe mbështesim çdo lehtësi të krijuar prej Qeverisë që do ti shërbejë nxitjes për pajisjen me kartat e identitetit të pensionistëve, studentëve, shtresave në nevojë dhe punonjësve të administratës shtetërore”, thuhet në deklaratë. Për sa i përket debatit të fundit Partia "Lëvizja e Legalitetit" e konsideron lejimin e përdorimit të shamisë prej femrave myslimane gjatë aplikimit për kartat e identitetit si një respektim të së drejtës së besimit dhe lirisë së shtetasve. “Është koha që kjo e drejtë e sanksionuar në dokumente ndërkombëtare dhe Kushtetutën e Shqipërisë, të fitojë qytetarinë dhe të ushtrohet pa paragjykime, pengesa dhe nevojën e ndërmjetësimit në të gjitha institucionet e shtetit, përfshi edhe ato arsimore”, thuhet më tej.

PLL nxit Qeverinë, që gjatë procesit të pajisjes së shtetasve me karta identiteti, ti kushtoje një vëmendje të veçantë edhe emigrantëve, për të cilët duhet siguruar mundësia e aplikimit të tyre pranë përfaqësive tona diplomatike. “Ne gjykojmë se procesi teknik i identifikimit të shtetasve duhet shoqëruar edhe me rregullimet e nevojshme në ligjin "Për shtetësinë shqiptare", në mënyrë që kjo shtetësi ti sigurohet në mënyrë automatike të gjithë pasardhësve të mërgatës së vjetër që e dëshirojnë një gjë të tillë. “Përkundrejt vullnetit të dukshëm të mazhorancës për pajisjen e plotë dhe të shpejtë që qytetarëve me karta identiteti, roli frenues i opozitës së majtë, e cila gjatë tetë viteve të saj në pushtet nuk bëri asgjë në këtë drejtim, nuk është gjë tjetër veçse dështim i radhës dhe alibi e munguar për humbjen e tyre në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, përfundon deklarata.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›