Vrasja, burg Qefalisë, lirohet strehuesi
TIRANE – Gjykata e Tiranës vendosi dje lënien në burg për Bashkim Qefalinë, të akuzuar për vrasjen e Artan Allushit dhe plagosjen e dy të tjerëve paraditen e së dielës në Tiranë, ndërsa la të lirë “ndihmësin” e tij. Mesditën e djeshme Bashkim Qefalia është paraqitur para gjykatës, ku do të caktohej masa e sigurisë në ngarkim të tij. Pas paraqitjes së pretendimeve të palëve gjykata vendosi për të masën e sigurisë “arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve. Burime pranë gjykatës bënë të ditur se vetë i pandehuri Qefalia nuk ka thënë asnjë fjalë përpara gjykatës. I arrestuar dy ditë më parë, pasi iu fsheh për disa ditë organeve të drejtësisë, Qefalia ka qëndruar i heshtur, ndërsa gjykata e lë në burg për akuzën e “vrasjes”. Po dje, gjykata ka vendosur për “fatin” e Isa Lushës deri në përfundim të hetimeve për ngjarjen. Bëhet e ditur se për Lushën, gjykata vendosi lënien e tij në masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”, kundrejt garancisë pasurore prej 2 milionë lekësh të ofruar prej tij. Mbi Lushën rëndon akuza e “përkrahjes së autorit të krimit”. Dy të pandehurit u arrestuan në diferencë kohore prej një dite nga njëri-tjetri. Ndërsa Lusha u arrestua në periferi të Tiranës, Qefalia u vetëdorëzua në polici pas 3 ditësh arrati. Ngjarja që pati për bilanc një të vdekur dhe katër të plagosur, mes të cilëve edhe i akuzuari si autor i vrasjes u regjistruan pak para mesditës të së dielës pranë Doganës së Tiranës. Mësohet se zanafilla e përleshjes, që u pasua me përdorim të armëve të zjarrit ishte një konflikt familjar mes familjeve Allushi dhe Qefalia i lindur tre vjet më parë. Sipas burimeve policore, për shkak të debatit për një fejese të parealizuar mes Qefalisë dhe një prej vajzave të familjes tjetër të dielën “palët” do të “sqaroheshin” në afërsi të Doganës. Kujtim Allushi dhe i biri dhe nipi i tij, Nertil dhe Artan Allushi kanë mbërritur në vendin e takimit, ku ka janë pritur nga Bashkim Qefalia, Isa Lusha dhe një person tjetër, ende i paidentifikuar nga policia. Fillimisht palët kanë debatuar ashpër me fjalë, ndërsa më pas janë konfrontuar fizikisht me njëri-tjetrin. Teksa ka marrë një plagë të rëndë në kokë, Qefalia, që kishte një armë pistoletë me vetë, ka qëlluar me të drejt tre anëtarëve të familjes Allushi, duke vrarë Artanin dhe plagosur dy të tjerët. ar.ba