Merita Halili:Më mungon dashuria shqiptare
Duket se vitet i ka hedhur pas krahëve… Elegante, gojëmbël dhe plot temperament, Merita Halili është këngëtarja që di ta ruajë të gjallë, dhe pse mijëra kilometra larg Shqipërisë, këngën e mrekullueshme popullore, veçanërisht atë të Shqipërisë së Mesme. Pas verës së ngarkuar me shume aktivitete, tani për këngëtaren e njohur kanë nisur përgatitjet për një seri aktivitetesh që ofrojnë si zakonisht muajt e fundit të një viti. Por siç shprehet Merita, në këtë vjeshtë kapriçoze ajo ka dhe përgjegjësinë ndaj tre vajzave të saj, të cilat do të duhet të përgatiten për fillimin e një viti të ri shkollor. E ka stinë të preferuar vjeshtën...
Teksa mediton pak, thotë se vjeshta e Shqipërisë i kujton mbledhjen e bimëve mjekësore, natyrën e bukur që ‘vizatonin’ gjethet e rëna me ngjyrat në të verdhë dhe okër kur mbulonin rrugët. “Jo se Nju Yorku nuk e ka të bukur vjeshtën, - vijon ajo, - po atje në Shqipërinë tonë sikur është më e ngrohtë…!”.
Merita tregon se në ketë stinë, në Nju Jork të gjithë kremtojnë festën e Halloween, … dekorojnë shtëpitë, oborret me kunguj sa të mëdhenj e të vegjël, dhe plot me efekte të tjera, duke e kremtuar hareshëm.
Ndërsa në Shqipëri, kur punonte në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, zakonisht në vjeshtë organizonin planet vjetore për koncertet që jepnin në rrethet e Shqipërisë apo përgatiteshin për festat e fundit të nëntorit. Merita Halili, që shumëkush në Shqipëri e kujton për zërin dhe interpretimin e saj të mrekullueshëm, vazhdon ta dashurojë këngën popullore, sidomos atë të Shqipërisë së Mesme. Jo pa nostalgji kujton se ka nisur të këndojë që kur ishte në kopsht, në moshën pesëvjeçare, ndërsa e quan një dhuratë nga Zoti të kënduarit me të cilin e ka aq fort të lidhur jetën. “Më ka pëlqyer mësuesia”, - tha Merita një mes tetori në Nju Jork, kur sapo kish përfunduar së kënduari me tenorin e njohur shqiptar, Xhoni Athanas, kësaj here “La ci darem’ la mano” nga opera “Don Xhovani” e Moxartit.
“Është kënaqësi kur interpreton në krah të një tenori me zë, që edhe mosha e ka frikë, dhe me një aktivitet të ngjeshur artistik këtu në SHBA, pa harruar aktivitetin e tij në Shqipëri”, - tha Merita, pas këtij interpretimi që është duartrokitur nga qindra të pranishëm. Këngëtarja aq e njohur për ëmbëlsinë e interpretimit të këngës popullore, ka interpretuar kësaj here profesionalisht një duet të repertorit të artë botëror. Në fakt kishte qenë një gëzim familjar: dasma e artistit dhe skenografit të njohur shqiptar me banim në Nju Jork, Andis Gjoni, që kishte mbledhur shumë artistë të njohur të cilët jetojnë në SHBA dhe ku këngëtarja e muzikës popullore i kishte dhënë zërin e saj notave të një arie botërore.
Cilat janë pikat që i bashkon dhe i ndan spektatorët e një kombësie, por që jetojnë në vende të ndryshme, sipas gjykimit tuaj...?
Në këtë rast do thosha që spektatorët që jetojnë jashtë atdheut i bashkon gjuha, tradita dhe kultura e tyre. Por, duke qenë larg atdheut kontaktet dhe aktivitetet janë më të pakta dhe kjo i bën të tregohen më të ndjeshëm dhe të bashkuar.
A mund të tregoni një moment kur ju pas interpretimit tuaj keni ndjerë emocion dhe pse?
Gjatë interpretimeve të mia kam shumë momente kur kam plot emocione. Por do përmend një të fundit… Vitin e kaluar ishim të ftuar bashkë me koncertmaestrin tim, Raif Hyseni në Tiranë, nga kryetari i shoqatës “Tirana”, Arben Tafai, për festën tradicionale “Sofra Tiranase”. Ishte një e papritur e këndshme, kur Presidenti i Shqipërisë, zoti Bamir Topi, më dhuroi çmimin si Interpretuesja më e mirë në Shqipëri dhe në botë.
Sa dhe pse ju mungon Shqipëria?
Shqipëria më ka munguar dhe më mungon vazhdimisht. Janë vite që nuk mund t’i harroj. Kam kaluar atje gjysmën e jetës sime, plot me punë dhe aktivitete. Atje kam ndjerë dashurinë reciproke të njerëzve më të afërt, si të familjes, ashtu dhe të shoqërisë.
A i keni numëruar ndonjëherë koncertet që keni dhënë në Amerikë...?
Në Amerikë kam ardhur me bashkëshortin tim, Raif Hysenin, i cili është dhe drejtuesi i orkestrës me të cilën jemi prezantuar së bashku që prej vitit 1995 e deri me sot. Kemi dhënë koncerte me muzikën tonë në qendrat më të njohura amerikane dhe botërore, ku kemi prezantuar dhe vazhdojmë të prezantojmë muzikën shqiptare në instancat më të larta zyrtare amerikane dhe ndërkombëtare. Numri i koncerteve është shumë i madh, përfshirë këtu dhe festivalet, seminaret, takimet e ndryshme me karakter ndërkombëtar, por edhe kombëtar. Ndërsa për komunitetin shqiptar gjithmonë kemi qenë pranë dhe do jemi pranë tyre në gëzimet familjare, përkujtimet solemne si dhe festat kombëtare.
Gëzimet familjare janë më së shumti pikat e takimeve me shqiptarët që jetojnë në Amerikë, kam parasysh këtu distancat e largëta, por edhe punën që nuk i ngjan asaj që bëjnë njerëzit në Shqipëri…
Zakonisht janë dhe gëzimet familjare, siç është edhe dasma e artistit Andis Gjoni që na takoi edhe ne të dyjave. Është shumë gëzim për mua të jem këtu, aq më shumë që respektoj shumë emrin e babait të tij, kompozitorit Simon Gjoni, ashtu dhe të nënës së tij, pianistes së njohur Hermira Gjoni. Së bashku me Mirën kemi punuar në Tiranë, por dhe jo pak herë kemi bashkëpunuar në shumë koncerte që kemi dhënë edhe këtu në Nju Jork. Ndihemi mirë së bashku, kaq shumë artistë shqiptarë që janë së bashku në një dasmë shqiptare ku këndohet me dashuri edhe kënga shqiptare.
Repertori juaj nga sa këngë përbëhet dhe cilat janë më të preferuarat për Meritën?
Repertori është i larmishëm. Kam kënduar, këndoj dhe do të interpretoj këngë nga të gjitha trevat shqiptare. Gjithsesi, mund të them se preferencat e mia janë këngët që i do dhe i pëlqen i gjithë populli shqiptar.
Çfarë është për karrierën tuaj bashkëshorti juaj?
Koncertmaestri Raif Hyseni, përveçse është bashkëshorti im, është dhe kompozitor dhe drejtuesi i grupit muzikor me të cilin jemi prezantuar gjatë gjithë aktiviteteve në Amerikë dhe në botë. Do të thosha që kam qenë me fat që kemi qëlluar të një profesioni, dhe bashkëshortë, por dhe kolegë.
Çfarë kanë trashëguar nga ju fëmijët tuaj?
Në çdo profesion është vështirë që prindërit t’u imponohen fëmijëve të tyre. Por unë mendoj që tre vajzat tona do ta zgjedhin vetë profesionin që u pëlqen.
Cilat kanë qenë disa nga aktivitetet tuaja që ju dëshironi t’i përmendni?
Në fund të muajit gusht të këtij viti, në shtetin e Nju Jorkut tradicionalisht organizohet seminari ndërkombëtar për muzikën e Europës Lindore. Si çdo vit, kësaj here Raifi dhe unë dhamë leksione, ligjërata dhe mësuam studentët tanë amerikanë si të këndojnë dhe të interpretojnë në instrumente të ndryshme këngët dhe vallet shqiptare. Unë kisha mbi 40 studentë për kanto nga mbarë Amerika, kurse Raifi kishte ansamblin me mbi 90 muzikantë. Kishte violina, viola, cello, klarineta, fiz-harmonika, kontrabasë, trompa, saksafona, tuba, llauta, kitara, dajre, lodra etj. Për herë të parë Raifi dhe unë, në bashkëpunim me Qendrën e Europës Lindore për Folk, formuam edhe Ansamblin shqiptaro-kosovar. Vetë numri i këngëtarëve dhe muzikantëve tregon suksesin tonë. Mendoni, 1/3 e pjesëmarrësve ishin pjesëtarë të Ansamblit tonë shqiptaro-kosovar. Ishte kënaqësi e veçantë kur mbi 130 studentë nga gjithë Amerika, këngëtarë, muzikantë këndojnë dhe interpretojnë në instrumente të ndryshme këngën dhe vallen e bukur shqipe nga të gjitha trevat, ku sot shqiptarët jetojnë në Ballkan dhe në botë nën drejtimin e Maestros Raif Hyseni. Ndërsa në fund të muajit korrik, Raifi së bashku me orkestrën e tij, për herë të parë përfaqësoi fiz-harmonikën shqiptare në një festival ndërkombëtar që u mbajt në Nju Jork, Internacional Açordion Festival në Manhattan, dhe që padyshim ishte një përfaqësim i suksesshëm. Në fund te Qershorit 2008 kemi dhënë dy koncerte shumë të rëndësishme, jo vetëm për ne si artistë, por edhe për të gjithë shqiptarët. Për herë të parë në histori, së bashku me Raifin dhe orkestrën u prezantuam në Kenedy Center si dhe në Librarinë e Kongresit Amerikan. Janë qendrat më të njohura jo vetëm në Amerikë, por në të gjithë botën. Këtu kanë dhënë koncerte artistët më të famshëm botëror të të gjitha stileve dhe llojeve të muzikës, kështu që dhe ne patëm nderin dhe respektin që me dinjitet të prezantojmë muzikën tonë shqiptare nga të gjitha trevat ku jetojnë sot shqiptarët në Ballkan dhe në botë. Ishin koncerte shumë të suksesshëm dhe për këtë shkruan dhe gazetat “The New York Times”, “Illyria”, “Washington Post” etj.
Ndonjë CD e re?
Po mendojmë të nxjerrim një CD të re dhe për ketë jemi në bisedime me një kompani amerikane.
Kur do jeni sërish pranë publikut shqiptar…?
Së shpejti do jemi në Shqipëri me rastin e Festave të Nëntorit. Kësaj here do të qëndrojmë edhe në muajin dhjetor, posaçërisht për festën e Vitit të Ri 2009.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)