Te Marseja, askush nuk guxon të ndëshkojë shqiptarin Lorik Cana
Autor i një ndeshje të shkëlqyer në barazimin kundër Portugalisë me Shqipërinë, Lorik Canës i është dashur kohë të rikthehej në Marsejë. Sipas faqes franceze foot01.com, kapiteni i Olimpikut të Marsejës mbërriti në kompleksin e klubit vetëm të premten në mëngjes. Pas problemeve me avionin, atij iu desh të merrte një avion nga Frankfurti drejt Parisit të enjten, përpara se të mbërrinte në Marsejë. Sipas faqes zyrtare të klubit, Cana kishte kaluar mbrëmjen e së enjtes në shtëpinë e prindërve në kryeqytetin francez. Kjo nuk do ta penalizojë shumë në klub, pasi Cana është i pezulluar në ndeshjen kundër Vakenciennes. “Ai është i rraskapitur. Për fat të mirë kjo vjen në një moment të mirë, parë të gjitha ndeshjet që ai (Cana) ka luajtur dhe mënyrën me të cilën ai i ka luajtur”, - pohoi trajneri Erik Gerets në faqen zyrtare të klubit të Marsejës. Për t’i dhënë edhe një tjetër përmasë figurës së Lorik Canës, në faqen hyrëse të interneti, om.net, ishte imazhi i kapitenit shqiptar. Cana do të luajë të mërkurën në ndeshjen e Ligës së Kampioneve kundër PSV Eindhoven, ndërkohë që më 26 tetor Marseja do të presë në “Velodrome”, ish-ekipin e Canës, Paris Sën Zhermenin.
“Marseja, jeta pa Canën”. Ky ishte titulli kuptimplotë i faqes prestigjioze franceze sport.fr. Kapiteni emblematik, mesfushori i Marsejës, Lorik Cana, do të mungojë të dielën kundër Valenciennes. “Por cila janë zgjidhjet për ta zëvendësuar atë në dispozicion të (trajnerit) Eric Gerets? Olimpiku i Marsejës pa Canën a mund të pretendojë një fitore në transfertë?”. Këto ishin dy pyetjet e shtruara nga portali i njohur sportiv. “Ai është njeriu bazë i Olimpikut të Marsejës. Por të dielën, Lorik Cana nuk do të jetë atje. Mesfushori shkatërrues do të jetë pezulluar për transfertën e Marsejës në Valenciennes”, - thuhet në sport.fr. Cana gjatë këtij sezoni nuk ka munguar veçse në një ndeshje në kampionat. Ajo kundër Bordeaux në javën e 5-të. Atëherë, Marseja edhe pse mundi të shënonte e para, nuk mundi ta mbajë rezultatin. Edhe në ndeshjen e Kupës së Ligës franceze, kapiteni foseen mungoi përballë Sochaux. “Rezultati?, - shkruan sport.fr, - humbje e Marsejës”. Mungesa e Canës shtron edhe një problem taktik për trajnerin Erick Gerets: “Të sulmojë apo të mbrohet?”. Zgjedhja e përgjigjja më e mirë do të jepet vetëm të dielën pas ndeshjes.
LALA
Kapiteni i Shqipërisë, Altin Lala, ishte ndër më të dalluarit në barazimin e madh kundër Portugalisë, por mesfushori luftarak shqiptar ka rifituar vendin e titullarit me ekipin e tij Hannover 96 për ndeshjen në transfertë kundër Hoffenheim 1899. Trajnerit të Hanoverit, Dieter Hecking, do t’i mungojnë dy lojtarë, Vinicius dhe Christian Schulz, të cilët kanë probleme me shpinën. Situata është e pakëndshme në shtëpinë e Hannover 96, pasi janë edhe të tjerë lojtarë me probleme: Enke, Ismael, Tarnat dhe Rosenthal. Sipas goal.com, rolin e mbrojtësit Vinicius do ta kryejë lojtari i kombëtares zvicerane, Mario Eggiman, ndërsa në vend të Christian Schulz do të jetë shqiptari Altin Lala.
SALIHI
Lajmet jo të mira për Hamdi Salihin. Pasi humbi dy ndeshjet me Kombëtaren kundër Hungarisë e Portugalisë, sulmuesi do të paktën edhe dy javë të tjera jashtë fushave për skuadrën e tij austriake, SV Ried. Lajmi jepet nga faqja standard.at. SV Ried do të luajë të shtuan në transfertë kundër Kapfenberugut (java e 13-të e Bundesligës) dhe trajneri Paul Gludovatz e dëshironte më shumë se kurrë shkodranin në dispozicion të tij. “Ne duhet ta fitojmë patjetër këtë takim”, - tha Gludovatz për gazetën austriake. Sipas standard.at, problemi më i madh i ish-trajnerit të Shpresave të Austrisë është vija e parë: “Sulmuesi kryesor e ekipit shqiptari Hamdi Salihi fatkeqësisht do të mungojë edhe për dy javë të tjera”. Shkodrani deri tani ka shënuar 4 gola në kampionatin austriak.
18 Tetor 2008