Merkato- Fish: Kamerunasi firmos për Hibernian në Maltë

Kamerunasi Abade Fish, ish-mbrojtësi shkatërrues i Tiranës (sezonin e kaluar) dhe Flamurtarit të Vlorës (pjesën e parë të sezonit aktual), nënshkroi një kontratë me klubin maltez Hibernian. Lajmin e bëri të ditur për "Albania-sport.com" menaxheri Gëzim Mance, i cili ndodhet në Maltë.
FISH- "Për Fish kemi mbyllur gjithcka, thjesht pritet pajisja e tij me vizë dhe mbërritja e tij në Maltë për të luajtur fazën e dytë me Hibernian". Menaxheri, i cili realizoi një transfertë të sukseshme të ish-sulmuesit të Dinamos, Sabino Plakut te norvegjezët e HamKam, ka cuar për testime në Maltë edhe një lojtar tjetër, mesfushorin e majtë të Tiranës, Endri Tafaj.
TAFAJ -"Lojtari është duke e testuar dhe gjasat janë të qëndrojë", - tha përmes linjës telefonike menaxheri Mance. "Gjithsesi ajo që do të vendosë janë kushtet e kontratës që do t'i ofrohen lojtarit. Një përgjigje përfundimtare do të jepet ditën e martë, më 29 janar".
PLAKU- Mance gjatë kësaj kohe ka qenë në kontakt me Plakun. "Të shtunën Sabino bëri një gol gjatë ndeshjes miqësore, ndërsa nesër ekipi i tij, HamKam do të niset për në Spanjë ku dhe do të kryejë fazën përgatitore", - përfundoi Mance.