E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkato e politikës

Shpresoj të na mirëkuptoni që po e rinisim bashkëbisedimin tonë me një pyetje, të cilën e kemi trajtuar edhe javën e kaluar. Bëhet fjalë për kalimin te LSI-ja i një prej përfaqësuesve më të njohur të së majtës, i afërt me ish-kryetarin Nano, Petro Koçi, i cili përveçse deklaroi kalimin e tij tek LSI, tha se tek kjo forcë politike duhet dhe do të mblidhen të gjithë të mënjanuarit nga politika e re e kryetarit të PS-së, Edi Rama. Duket se procesi i kalimit të ish-figurave qendrore të PS-së tek LSI sapo ka filluar. A mendoni se procesi i riformatimit të PS-së me anë të procesit “Politika e re” rrezikon seriozisht këtë forcë në zgjedhje? Sa mendoni se vlen eksperienca në politikë dhe çfarë duhet të quajmë risi në një forcë politike?

Ju mirëkuptoj plotësisht. Mirësevini! E vazhdojmë bashkëbisedimin tonë, duke më mirëkuptuar edhe ju mua kur t’iu përsëris se nuk kam as kohën dhe as dëshirën për të qenë analist politik. Unë marr pjesë në këtë rubrikë, duke përfituar nga dashamirësia juaj për të pyetur një qytetar si unë, se si i perceptoj ngjarjet politike apo shoqërore të ditës. Unë flas këtu në mënyrë subjektive, as si studiues, as si pedagog, por thjesht si qytetar. Kjo është kontrata morale mes nesh.

Ju përmendet zotin Petro Koçi, i cili në fakt këtë javë bëri dy lëvizje në një të vetme. Edhe iu bashkëngjit grupit të deputetëve të LSI, duke u afruar me këtë parti, edhe njoftoi mundësinë e krijimit të një partie të re socialiste. Meqë është fjala për një politikan profesionist, desha të them se unë kam një simpati krejt të veçantë për Petro Koçin, duke e njohur nga larg si parimor, si ish-ministër i papërfolur, si idealist në lëvizjet e tija politike, por e di edhe si intelektual me interesa e informacion të bollshëm, me një sens gjykimi interesant, gjakftohtë, i sjellshëm në debatet televizive. Një figurë që mund t’i besosh votën tënde nëse ndan të njëjtat bindje politike me të, pa pasur frikë se mund ta shpërdorojë. Unë kam pasur rast për disa vite të njoh edhe mbështetjen që ai ka në zonën e tij elektorale dhe kam konstatuar se i qëndron besnik mentalitetit dhe interesave të zonës së tij. Një gjë më bën megjithatë të jem i kujdesshëm, nuk e di sesa është cinizmi i zotit Petro Koçi për të bërë kalkulime të vogla politiciene, sepse në dy a tri lëvizje politike brendapartiake që ka iniciuar apo bashkëdrejtuar së fundi, edhe vetë ai e di, ka qenë i detyruar të njohë dështime. Mbase nuk është edhe vetëm faji i tij. Mbase politika jonë, shumë cinike dhe egoiste, nuk i mban dot mbi ujë tipat idealistë si ai. Por, le ta shohim.

Këtu duhet të them se sipas meje kanë filluar ethet elektorale dhe partitë politike kanë nisur që të përgatisin nëpërmjet rekrutimeve të reja ekipet elektorale që do t’i paraqesin elektoratit në vitin e ardhshëm. Në këtë plan ka disa dallime midis partive.

Partia Demokratike shihet se po bën çmos për të përgatitur një ekip të ri apo të dikurshëm burrash dhe grash 35–55-vjeçarë, të shkolluar, me “uri” për të kandiduar, që artikulojnë mirë fjalën politike në publik, qoftë edhe duke mbledhur të ikurit e mëparshëm, qoftë duke afruar nga partitë e tjera elementë të besueshëm dhe me potencë individuale elektorale. Ajo po iu jep këtyre individëve mundësi dhe hapësira për të “luajtur” politikisht, për të sharmuar elektoratin, qoftë edhe me mundësitë që ka duke qenë në qeverisje.

Delikate për këtë parti do të ishte që duke afruar nga njëra anë të ikurit, të bënte pak kujdes për të mbajtur ata që qëndruan. Pra, të thërriste të ikurit dhe t’i iknin të mbeturit. Kjo do të kishte qenë fatale. Sidoqoftë, po marr shembuj kot, një ekipi elektoral që do të përfshinte edhe Mustafajin, Zogajn, Imamin, Brojkën, Pollon, Shehun, Topallin, Bejon, Bregun, Olldashin, Bashën etj., vështirë se dikush mund të thoshte se do t’i zvogëlohej shansi për të marrë vota jo pak në elektorat. Unë shoh se të gjitha lëvizjet janë për t’u përqendruar te kjo moshë, te njerëz që kanë qeverisur në këtë apo atë kohë, dhe shoh një prirje për t’u urbanizuar në identitetet politike të kandidatëve, duke pasur shumë prurje të reja nga Jugu.

Ndërkohë tjetër duket politika e personelit, e kuadrit, apo si ta themi më në mënyrë oksidentale: e burimeve njerëzore, e LSI-së dhe e Ilir Metës. Zoti Ilir Meta gjithashtu i bën mirë llogaritë e tij, thashë nga sa gjykoj subjektivisht si qytetar që e lexoj shtypin kur kam kohë, dhe po bën një politikë kuadri sikurse i nevojitet. Ai nuk e ka problemin për të rinuar nga pikëpamja moshore ekipin e tij elektoral. E ka tashmë me këtë parametër biologjik, por ai e di se ka nevojë për më shumë kandidatë të njohur. Me formulën elektorale që i imponuan, ai e ndjen se nuk do të kandidojnë programet, nuk do pinë aq shumë ujë lidhjet personale në fshat apo në lagje, duhen kandidatë me imazh mediatik tashmë të ndërtuar apo në ndërtim e sipër, si ato faqet e web-it që kur i hap të thonë “jemi në ndërtim”. Ilir Meta, sipas meje, (këtë pikëpamje ndan me mua edhe miku im i ngushte Qenan K., i cili ka filluar përsëri t’i huazojë firmën e tij nëpër gazeta të përditshme individëve që nuk rrinë dot pa shkruar, por nuk dalin dot ballëpërballë, merr lekë nga kjo punë, dikur jepej biçikleta me qira, tani jepet firma) e di se brenda deputetëve të Partisë Socialiste ka individë që nuk shohin të ardhme politike brenda këtij grupimi. Thjesht nuk janë më të pëlqyer atje, ose se në ekipin elektoral socialiste nuk ka vende bosh.

LSI këta i njeh mirë dhe me ta ka pasur një miqësi shumë të gjatë. Shokë e miq të vërtetë në këtë periudhë tranzicioni bëhen njerëzit që ndajnë mes tyre përvoja betejash, projektesh, lëvizjesh të përbashkëta. Edhe nanoistëve edhe metistëve iu duket ndarja mes tyre një çudi, si një ëndërr e shkuar, sepse faktorët e ndarjes tani kanë mbetur në kujtesën e turbullt dhe nuk kanë fuqi aktuale. Shqiptari e ka psikologji kolektive që më mirë ribashkohet me mikun e vjetër, me të cilin nuk e mban mend se përse është ndarë, sesa zë një mik të ri.

Figura të PS-së që për këtë apo atë shkak nuk e gjejnë më veten atje dhe që duan me disa kushte të bashkohen me LSI–në duhet të ketë shumë. Bile aty nga maji i ardhshëm, kur të jenë shpallur listat e kandidatëve për deputetë, do të jenë edhe më shumë. Por, ka që ende mbajnë shpresa të kota, ose ende nuk iu besohet se ora e tyre politike ka përfunduar. Do ta kuptojnë në fund.

LSI e ka pak problem që të mbledhë figura nga partitë e tjera. E para se këto parti të vogla nuk kanë pothuajse fare elektorat. Kryetarët do të kandidojnë si individë dhe kaq. Sistemi elektoral “spanjoll” doli fare bllof. Na u tha se do të eliminoheshin partitë e vogla, kurse shohim që kryetarët e këtyre partive po afrohen përsëri. Jo si individë, por si “kryetarë partish”. Ilir Meta e ka vështirë të mbledhë nga këta, dhe të bëjë aleanca joideologjike, sikurse thanë që tha Pëllumb Xhufi, sepse po të ishte e vërtetë kjo, do ta kishte hedhur në erë kot së koti imazhin e tij të një opozitari të sinqertë dhe parimor. Po qe se Ilir Meta do të bënte aleancë me ta zëmë Ndokën, atëherë do t’i thoshin: Përse të mos merret vesh për reformën gjyqësore ose elektorale Edi Rama me Sali Berishën?

Duke qenë kështu, LSI nuk sheh shumë nga më të rinjtë brenda saj, por i hedh sytë nga shoqëria civile, një pjesë të përfaqësuesve të së cilës i ka aktivizuar për çështjen pa rrugëdalje të referendumit. Qytetari po “fle” politikisht dhe është distancuar nga politika. Çfarë kuptimi ka që ta thërresësh në referendum, ndërkohë që vetë Kushtetuta në fuqi është votuar nga pakica e elektoratit shqiptar?

Thjesht në mënyrë subjektive, them se edhe politika e kuadrit, apo e burimeve njerëzore e LSI-së e ka edhe ajo një pikë të dobët. Nuk mund të bëhet LSI një PS – B, një PS - 2, të mbledhë pra gjithë “stolin e rezervave” të ekipit të PS, pra, po të përdorim një terminologji sportive (sot në ditën e ndeshjes midis Suedisë me ekipin e jashtëm të përfaqësueses shqiptare te “Qemal Stafa”) nuk duhet të bëhet një kombëtare B. Nuk është rasti aspak i zotit Petro Koçi këtu. Zgjedhësit do të thoshin në këtë rast se do të votonin për PS e dikurshme, pra për atë PS nga u largua Ilir Meta, largim, i cili i dha atij identitetin e rëndësishëm politik. Kjo do ta sillte lëvizjen e tij politike në pikën e nisjes. Nga dëshira për të pasur figura të mediatizuara tashmë, pra për të përdorur një kapital politik tashmë të formuar gjetiu, mund të vijë rreziku që në LSI të paraqiten individë të admirueshëm, por nga brenda Unazës së Tiranës, pra të qendrës kozmopolite urbane. Ky do të ishte një problem, sepse e majta kozmopolite e qendrave urbane kam frikë se i hedh sytë më tepër nga PS dhe aleatët e saj. Ka një të majtë periferike-urbane, rurale etj., krejt sublime dhe e denjë, që djemtë e vajzat e Partisë Socialiste për nga figura, shtati politik dhe i folurit të tyre disi i pakuptueshëm për këto shtresa nuk e mbledhin dot si votues për ta. Të paktën kështu më duket mua subjektivisht.

Nga ana tjetër, Partia Socialiste ka edhe ajo politikën e vet të rekrutimeve për ekipin elektoral 2009. Duket në lëvizjet politike që bëhen se zoti Edi Rama kërkon ta rinovojë listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste. Sigurisht për këtë ai ka bërë një refleksion politik të thelluar, sepse e ka pasur kohën në dispozicion për ta kryer atë në kushte optimale. Disa nga deputetët socialistë të tanishëm duken të lodhur dhe pa shumë baza në elektorat. Rruga ka qenë e gjatë dhe imazhi është ngurtësuar. Kur flitet për politikën e “vjetër” këtu sigurisht që jepen mesazhe edhe brenda vetë Partisë Socialiste. Ka të tjerë, të cilët duken se nuk janë më të besuar për shkak se në rrugë e sipër kanë treguar luhatje ndaj lidershipit aktual të partisë dhe pikërisht ndaj kryetarit të saj. Ka të tjerë që kanë një moshë që nuk përputhet me atë të moshës mesatare të kandidatëve të rinj që priten të hyjnë në listën e kandidatëve për deputetë. Pastaj iu duhet hapur vendi edhe kandidatëve që do të vijnë nga partitë “e vjetra” aleate.

Në këtë mënyrë, gjykoj në mënyrë krejt subjektive, se PS ka afruar një grup më të ri në moshë, urban, qendror – urban, midis tridhjetë dhe dyzet vjeç (mosha ikën shpejt), të cilët kanë, do të kenë dhe nuk mund të mos kenë si pikë të vetme referimi në politikë, në rast fitoreje apo humbjeje, sikurse i thonë, në të mirë a në të keq, në hidhërim a në gëzim, Edi Ramën. Kjo është e domosdoshme për unitetin e grupit të ardhshëm parlamentar socialist pavarësisht sesa i madh apo i vogël do të jetë ai. (Shënoj fare kalimthi, por krejt sinqerisht e me përgjegjësi se sot në Shqipëri ka specialistë në sociologjinë e partive politike dhe fushatave elektorale që e dinë me saktësi sesi do të ishin rezultatet elektorale nëse zgjedhjet do të bëheshin nesër).

Në këtë strategji të afrimit të kandidatëve të futur rishtazi në politikë, PS u ndihmua në mënyrë tërësore së fundmi nga KKRT-ja me gjobën që i vendosi transmetimit të mesazhit televiziv të grupimit politik G–99 para dy ditësh. Kjo gjobë ishte një mënyrë e shkëlqyer për ta faktorizuar G–99 dhe për t’i rritur prestigjin në elektorat. Edhe nja dhjetë lëvizje të tilla krejt pa kuptim, dhe G–99 do ta shohë veten pa bërë asgjë tjetër në forcat që do të rivalizojnë për të ushtruar të vetme pushtetin në vitin 2009. G–99 dhe 2009 rimojnë së bashku. Si mund të gjobitet kot më kot, pra të vlerësohet para publikut duke u ndaluar, ai mesazh televiziv që nuk ishte as reklamë, as spot, as figurë, as zë origjinal, as i folur me shqipe korrekte, ku dikush merrte në telefon Kryeministrin, ndërkohë që ishte ftuar jo të bënte thirrje telefonike, (me pagesë) por vetëm sms? Të dhënat që kam tregojnë se pas kësaj ngjarjeje absurde shikueshmëria e këtij mesazhi televiziv pa figurë u rrit gati dhjetë herë në rrugë Interneti etj. Nuk është pa gjë ajo që tha me telefon kryetari i G–99, Erion Velia, në studion televizive të “News 24”, se brenda KKRT duhet të ketë ish-simpatizantë të “Mjaft”-it.

A mund të ketë një rrezik në procesin rekrutues që do të bëjë, është e shtrënguar të bëjë PS-ja? Sipas meje, një rrezik i tillë ekziston. Mentaliteti elektoral i votuesit është i tillë që ai do figura që t’i njohë paraprakisht, t’i ketë pasur parasysh për një kohë të gjatë, t’i ketë provuar gjëkundi, duke administruar të mirën publike. Përndryshe ka rrezik të tkurret e të bëhet mosbesues.

Pas akuzave të shumta në media për një proces të korruptuar privatizimi, qeveria miratoi privatizimin e ARMO-s në vlerën e 125 milionë euro. Duke marrë shkas nga ky privatizim dhe akuzat e ngritura për të, gjithashtu, duke i shtuar faktin se në media ka pasur akuza edhe për kontrata të qeverisë për shuma më të mëdha se kaq, a mund të themi se për të ngritur akuza për marrëveshje që variojnë midis 5 deri 20% të buxhetit të shtetit duhet treguar më tepër kujdes sesa është treguar deri tani?

Nuk e kuptova shumë mirë pyetjen tuaj ndonëse ajo është e qartë gjuhësisht. Ju kërkoni që ata që shkruajnë në shtyp të mendohen pak më shumë kur ngrenë akuza për marrëveshje me kaq shumë vlera monetare? Apo pyesni se duhet menduar mirë para se të bëhen këto tenderime për privatizim? Po të ishte për akuzat, duhet ta dini se të gjitha akuzat dhe shpifjet lejohen tani në shtyp. Ligji i re i votuar iu ka hapur rrugën të gjitha shpifjeve, sharjeve, jo vetëm ndaj qeveritarëve dhe politikanëve, por edhe ndaj qytetarëve. Te ne ka humbur dallimi midis së vërtetës, opinionit dhe shpifjes. Ai shpif dhe ti e konsideron si opinion, ai thotë një të vërtetë dhe ti e konsideron si opinion. Shtypi pas këtij ligji që e miratuan deputetët e të dyja anëve e ka kthyer hapësirën publike të diskutimit në një zonë të egër, pa ligje, pa rregulla, në një hapësirë barbare, në kuptimin të pacivilizuar, ku mund të dërmohet, shahet, përlyhet çdo njeri. Sa mirë që bota vetëekuilibrohet! Pas një kohe askush nuk beson më asgjë. Media ka dalë jashtë përdorimi, pikërisht se është kthyer në një hapësirë pa rregulla, pa ligje, pa ndëshkim, pa gjyq, a thua se ndëshkimi dhe gjyqi, pra shteti i së drejtës, mund të barazohet me diktaturën. Shteti i së drejtës ndalet te dyert e hapësirës publike, pra të mediave. Atje ku çdo gjë mbetet e vagullt, pra që mund të jetë edhe shpifje edhe e vërtetë, atje nuk ka më opinionin publik, ka vetëm një turmë që nuk ka gjykim kritik, së cilës i hedhin sipas humoreve politike copëza skandalesh për të ripërtypur. Nuk është çështje teknike përmirësimi i mediave, sikurse thonë tani. Është çështje e analizave politike. Dhe në këto kushte ju kërkoni që dikush të mendohet kur formulon akuza? Po më habisni! Përse duhet menduar para se të hidhen shpifje, sharje apo akuza në media? Këto janë forma sadizmi dhe sikurse ka thënë Niçja, njeriu i civilizuar merr kënaqësi të paparë nga ushtrimi i sadizmit apo nga perceptimi i akteve sadiste, torturuese, apo të kobshme. Media a nuk është një vendosje në skenë e përditshme e akteve sadiste apo mizore? Nuk njihni ju gazetarë që e viktimizojnë edhe një herë viktimën duke meditizuar krimin, pasi viktima është dhunuar një herë realisht nga krimineli? Ju doni të rregullohet media? Por, si mund të ketë medie demokratike dhe me cilësi jashtë shtetit ligjor që prodhon barazi në të drejta?

Kjo javë u dominua nga vizita të krerëve më të lartë të institucioneve të shtetit të ri të Kosovës. Në takimet e tyre ata falënderuan për mbështetjen e Shqipërisë në lidhje me njohjen e Kosovës si një shtet sovran. Në opinionin tuaj, a mendoni se institucionet e shtetit shqiptar kanë bërë sa duhet për njohjen e Kosovës?

Të them të drejtën nuk e kuptova shumë këtë lëvizje politike. M’u duk më shumë si mbyllje e sezonit të pushimeve. Ka njeri në botë që ka nevojë t’i përsëritet se Shqipëria e mbështet Kosovën në përpjekjet e saj për t’u njohur ndërkombëtarisht si shtet i pavarur? Nuk e besoj. E kam thënë edhe më parë se në rastin e komunikimit ndërkombëtar ne më shumë flasim me veten, i flasim vetes. Nuk e kuptoj fort se përse duhet të sigurojmë njeri-tjetrin se do të mbështesim fort njeri-tjetrin. Po kjo dihet. Çfarë ka të re këtu? Nuk e gjeta dot. Nuk duhet të bindim njeri-tjetrin, duhet të bindim të tjerët. Të flasë Shqipëria në mbështetje të Kosovës në arenën ndërkombëtare nuk është keq. Por, nuk sjell shumë anë pozitive gjithmonë. Kundërshtarët apo skeptikët e pavarësimit të Kosovës thonë në kësi rastesh: Ama kush foli? Ai shqiptari? Po dihet çfarë do të thoshte ai? “Ata duan Shqipërinë e Madhe” – do të akuzonte kot së koti, duke arritur megjithatë të paralizonte folësin para publikut që nuk di gjë se çfarë bëhet. Me një fjalë, nga një herë çështja bëhet dramatike. Të flasë Shqipëria për Kosovën më shumë prish punë dhe nuk ndreq.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›