Fatos Beja; Më 15 shtator, librat në duart e nxënësve
Ministri i Arsimit, Fatos Beja, garantoi të gjithë nxënësit e sistemit parauniversitar do të kenë në duar librat shkollorë përpara datës 15 shtator. Deklarata e ministrit erdhi gjatë analizës 7-mujore të dikasterit që drejton. Ndërkohë ai siguroi edhe mësueset e shkollave nëntëvjeçare dhe të mesme se nuk do të preken nga reformimi i sistemit parauniversitar.
Librat, më 15 shtator
Gjatë deklaratës për mediat, ai deklaroi se nuk ekziston një problem i tillë dhe se nxënësit do të kenë librat përpara nisjes së vitit të ri shkollor. “Nëpër librari nuk ka radhë dhe vështirësi në blerjen e teksteve”, – tha ministri. “Në sajë të masave të marra këtë vit, katër javë përpara fillimit të vitit shkollor, 36 librari të Tiranës janë furnizuar me mbi 405 tituj tekstesh nga mbi 30 shtëpi botuese. Në çdo shkollë është shpallur lista e teksteve për çdo klasë me tekstet alternativë të zgjedhura prej shkollës, si dhe emri i librarisë, ku do të furnizohet me këto libra”.
Ndërkohë, në tërësi, ministri deklaroi se reforma e altertekstit është përmirësuar gjatë këtij viti. “U përmirësua ndjeshëm politika e botimit, shpërndarjes dhe shitjes së teksteve shkollore. Me shpejt se çdo vit tjetër pararendës, sivjet janë shitur që në ditët e para të shtatorit rreth 75% të teksteve të arsimit bazë dhe rreth 50 % të teksteve të arsimit të mesëm”, – thuhet në analizën e ministrisë.
Asnjë mësues nuk do të pushohet
Ministri i Arsimit dhe i Shkencave deklaroi se nuk do të pushohet asnjë punonjës i sistemit parauniversitar, për shkak të reformimit të sistemit. Beja tha se “pavarësisht ndryshimeve në sistemin arsimor nga 8-vjeçar në 9-vjeçar, asnjë arsimtar nuk do të largohet nga vendi i punës dhe numri i mësuesve, që do të preken nga ndryshimi i sistemit arsimor, duke kaluar nga gjimnazet në shkollat bazë, do të jetë shumë i vogël”.
Por, ai la të kuptohej se do të ulen pagat e arsimtarëve që do të kalojnë nga shkollat e mesme në shkollat nëntëvjeçare, pasi mësuesit e gjimnazeve paguhen më shumë.
Në lidhje me këtë çështje, z. Beja deklaroi se “bazuar në treguesit e pagave të mësuesve për shtatë muajt e këtij viti, Beja informoi se fondi i rrogave dhe sigurimeve shoqërore është rritur me 11% krahasuar me një vit më parë. Kjo tregon se duke filluar nga viti 2005 fondi i pagave është rritur çdo vit 12%, duke siguruar këtë vit një rritje rreth 80% të pagës së punonjësve në arsimin parauniversitar”.
Universitetet private
Ministria e Arsimit bëri të ditur se vazhdon të mbështesë arsimin e lartë privat, në një përpjekje për të liberalizuar tregun universitar në vendin tonë. Në analizën 7-mujore të këtij dikasteri, përcaktohet se vetëm “gjatë periudhës janar–korrik 2008 janë licencuar me vendime të Këshillit të Ministrave 7 shkolla të larta dhe janë miratuar hapja e 6 programeve të reja të studimit”.
Ndërkohë, nuk është saktësuar nëse do të ketë çelje të universiteteve të tjera gjatë muajit në vijim.