E Shtunë, 31 Tetor 2026

Naço: Skraparin e duam gjithmonë në të parën

Nga Arben Çepani

Skraparlinjtë janë të përqendruar te përgatitjet për fazën e dytë, pasi kanë marrë garanci për gjithçka nga asambleja e zhvilluar pak ditë më parë. Optimizmi për pjesën tjetër të kampionatit është i lartë dhe askush nuk e vë në dyshim objektivin për qëndrimin në kategorinë e parë. Bordi drejues ka siguruar mbështetje maksimale për ekipin, që do të bëjë edhe disa përforcime. Sipas njërit prej anëtarëve të bordit drejtues, Dashi Naços, Skrapari do të jetë në gjendje ta përballojë me sukses fazën e dytë.

”Ekipi po përgatitet me qetësi, – thotë Naço. Ne do të kërkojmë një përfaqësim sa më dinjitoz në fazën e dytë. Kemi zhvilluar edhe asamblenë, që mendoj se pati një ndikim pozitiv për të ardhmen e Skraparit. Ekipi ynë ka krijuar një traditë të mirë në kategorinë e parë dhe duhet ta pasurojë gjithmonë atë. Mundësitë janë të mëdha, që Skrapari të jetë gjithmonë pjesë e kësaj kategorie, sepse ka pasur dhe do të ketë mbështetje të fortë financiare, falë interesimit të vazhdueshëm të presidencës, që ka qenë gjithmonë korrekte me shpenzimet.

Dua të theksoj se, për shkak të humbjes me Vlorën, futbollistët janë gjobitur për mosimpenjim. Për fazën e dytë kemi vendosur si bord që, përveç rrogave mujore, të ketë shpërblime me 5 mijë lekë për ndeshjet brenda dhe 10 mijë për ato jashtë. Edhe për merkaton e dimrit kemi menduar dhe synojmë të bëjmë disa përforcime. Nuk do të pranojmë asnjë largim, pavarësisht pretendimeve që mund të ketë ndonjë futbollist. Jemi të vendosur që Skrapari të jetë një ekip i denjë për kategorinë e parë, ka përfunduar Naço.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›