E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superliga, një mision i mundur për Elbasanin

Nga Elton Karaj

Verdheblutë dhanë sinjale pozitive në miqësoren me Shkumbinin dhe të gjithë presin shpërthimin e tyre gjatë fazës së dytë

Elbasani ka zhvilluar të shtunën miqësoren e parë në kuadër të përgatitjeve për fazën e dytë. Verdheblutë fituan 3-1 në Peqin ndaj Shkumbinit të superligës dhe ky është një sinjal pozitiv për stafin teknk të ekipit, drejtuesit e tij dhe tifozërinë elbasanase. Për Elbasanin kanë shënuar mesfushorët Kuçi dhe Dalipi dy herë. Megjithëse në të tilla ndeshje nuk është parësor rezultati, sërish fitorja jep besim për fazën e dytë, ku të gjithë presin shpërthimin e verdhebluve, të cilët nuk treguan asgjë nga potenciali i tyre gjatë gjysmës së parë të kampionatit.

Elbasani duket se po zgjohet nga gjumi. Drejtuesit verdheblu, stafi teknik dhe lojtarët janë të bindur se viti 2012 do të jetë i mbarë për ekipin dhe ata besojnë se kthimi në superligë nuk është një mision i pamundur. Elbasani është në lojë për të kapur të paktën zonën e play-off-it, që krijon shansin për ngjitjen në superligë, nëse fitohet ndaj një kundërshtari të kësaj kategorie.

Për ta arritur këtë objektiv drejtuesit e klubit pritet të bëjnë disa lëvizje të rëndësishme në merkaton e dimrit, me qëllimin për ta përmirësuar gjendjen e ekipit. Pas afrimit të mbrojtësit Marsid Dushku nga Gramshi, Elbasani do të synojë të tjerë lojtarë cilësorë për tiu përgjigjur sa më mirë rivalëve gjatë fazës së dytë të kampionatit.

Bella Një lajm i mirë për stafin teknik është edhe rikthimi i shpejtë në stërvitje i mbrojtësit Aldo Bella, i dëmtuar pak kohë më parë. Mbrojtësi verdheblu ka pohuar se do të dalë mjaft shpejt në stërvitje, pasi e ka marrë veten nga dëmtimi i rëndë që pësoi në ndeshjen me Besën e Kavajë.

Bella synon të kapë formën e duhur dhe të rreshtohet në mbrojtje përkrah Ardi Seksenit. Burime pranë klubit kanë deklaruar se bisedimet vazhdojnë me disa lojtarë cilësorë, të cilët janë shprehur të gatshëm për tu afruar tek Elbasani, por mbetet për tu parë se cilët do të jenë ata dhe sa punë mund ti bëjnë ekipit verdheblu.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›