E Diel, 1 Nëntor 2026

Merkel - Sarkozi, ultimatum Greqisë

Kancelarja gjermane dhe Presidenti francez theksuan po ashtu se është më e rëndësishme  për ta të shpëtojnë euron sesa Greqinë.

“Miqtë tanë grekë duhet të vendosin nëse duan të vazhdojnë udhëtimin me ne”, tha Sarkozi, i cili vetëm pak ditë më parë tha se kishin bërë gabim që kishin pranuar Greqinë në Eurozonë.

Kryeministri grek, Jorgos Papandreu, përhapi frikë dhe panik në tregjet financiare kur tha të hënën në mbrëmje se Greqia mund të mbajë referendum për të miratuar ose jo marrëveshjen e re me BE-në.

Merkel ka thënë më parë se stabilizimi i Euros mund të arrihet më kollaj “me Greqinë sesa pa Greqinë”, por shtoi se stabilizimi i monedhës ishte më i rëndësishëm se ai i Greqisë.

Konferenca për shtyp u mbajt pasi dy liderët takuan Papandreun, i cili ishte thirrur në takim para fillimit të samitit të G 20-ës në Kanë.

“Nuk është momenti që të japim fjalët ekzakte, por esenca nuk është se çdo të bëhet vetëm për marrëveshjen e re me BE-në, por edhe nëse duan të qëndrojnë në Eurozonë”, tha Papandreu lidhur me referendumin.

Sondazhet tregojnë se shumica e grekëve mendojnë se paketat e shpëtimit janë të këqija për Greqinë, ndërkohë që Papandreu thotë se shpreson të marrë më shumë mbështetje nga sa ka në Parlament.

/Start/F. Prroni/

                                                                                             2011-11-03 09:06
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›