E Diel, 1 Nëntor 2026

Merkel-Barroso Europa te kthehet ne histori suksesi

Greqia duhet të qëndrojë në Eurozonë. Kështu ka ripërsëritur qëndrimin e saj kancelarja gjermane, Angela Merkel, në konferencën për shtyp në Bruksel.

Ajo ka shtuar se vendit duhet t’i jepet mundësia për përmirësimin e financave të veta.

“Greqia duhet të qëndrojë në Euro dhe duhet t’i jepet oportuniteti të përmirësojë situatën e saj.

Pikërisht për çështjen e ndihmës greke do të takohem me drejtoren e FMN, Christinë Lagarde, ditën e enjte”.

Ndër të tjera, në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin e KE-së, Barroso, Merkel ka folur edhe për cështje të tjera lidhur me krizën europiane të borxheve.

Kështu, përsa i takon rikapitalizimit të bankave, Merkel ka thënë se Gjermania është e gatshme për një eveniment të tillë dhe se këto probleme duhet të zgjidhen sa më shpejt.

Sipas kancelares gjermane, ndryshimi i traktatit të BE nuk është një tabu.

“Gjermania mbështet BE dhe kërkon një Bashkim më të fortë. Komisioni duhet të flasë me një gjuhë më të qartë dhe më të fortë ndaj shteteve dhe nëse nevojitet një ndryshim i traktatit, për të siguruar mbështetjen e llogarive publike, atëherë të ndryshosh traktatin nuk duhet konsideruar një tabu”.

Duam që Europa të jetë një histori suksesi, ka shtuar Merkel, dhe duhet të vendosim kushte që të arrijmë këtë sukses.

Ndërsa presidenti i KE, Barroso, ka saktësuar se një ndryshim i traktatit do të bëhet për të patur një integrim më të madh nëse mekanizmat actual tregojnë se nuk është i mjaftueshëm.

“Nuk është një mënyrë për të shtyrë vendimet. Disa janë duke u aplikuar aktualisht, por ndoshta në të ardhmen do të kemi nevojë të ndryshojmë traktatin”.

Barroso ka shtuar gjatë konferencës se BE, do t’i propozojë samitit të ardhshëm të G20, të përshtasë një taksë mbi transaksionet financiare në nivel global.

”Mbi monitorimin e tregjeve kemi bërë një seri propozimesh dhe shumica janë aplikuar, siç është taksa mbi transaksionet financiare. Por nuk do të ndalemi.

Jam dakord me kancelaren gjermane, që t’i drejtohemi G20 për një taksë globale mbi transaksionet financiare”, ka thënë Barroso.

Ndërsa Merkel nga ana e saj, ka theksuar se Gjermania ka dhënë një kontribut konstruktiv dhe Komisioni ka sqaruar se duhet të ketë një masë për tu aplikuar hap pas hapi.

Sipas kancelares, nuk duhet të rëndohen rregullat financiare, por duhet të rregullojmë çdo biznes, në çdo vend që të ndodhet, dhe do t’ia arrijmë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›