E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkel E ardhmja e Europes eshte bashkimi politik

Kancelarja gjermane Angela Merkel ritheskon se, Gjermania është e gatshme të ndihmojë vendet e tjera, por shton se asnjë vend nuk mund të marrë përsipër të paguajë borxhet e të tjerëve. Në një intervistë të gjatë për të përditshmen italiane “La Stampa”, kancelarja është shprehur se është mirë të shprehim solidaritetin tonë, por të mos ta ekzagjerojmë. Në rast të krizës traktatet europiane e thonë qartë se asnjë vend nuk mund të paguajë borxhet e një vendi tjetër. Në intervistën e saj, Merkel shpjegon se ne ndihmojmë partnerët tanë europianë me qëllimin se edhe vetë ata do të përmbushin të gjitha sakrificat e tyre të mundshme, për të përmirësuar situatën. Lidhur me fondin e shpëtimit të shteteve, kancelarja qartëson se idea e këtij mekanizmi ka ardhur pikërisht nga Gjermania dhe ne jemi të gatshëm për të shprehur solidaritetin tonë. Por shton se një nga frikërat e Berlinit është se, me të gjitha ndihmat në miliarda euro dhe mekanizmin e shpëtimit të shteteve europiane, ne në Gjermani duhet të tregohemi të kujdesshëm që në fund edhe ne të mos na mungojnë forcat, pasi edhe mundësitë tona nuk janë të pafundme dhe kjo gjë nuk i shërben askujt në Europë, shprehet Merkel ekskluzivisht për gazetën italiane. Për funksionimin e Eurobondit, Angela Merkel mendos se mund të arrihet vetëm pas një integrimi më të thellë europian që parashikon se, Gjykata e Lartë europiane duhet të kontrollojë bilancet kombëtare. E ardhmja e Europës, sipas Merkel, është uniteti politik. Vizioni im ka shtuar ajo është Bashkimi Politik, Europa në fakt duhet të përshkojë rrugën e saj. Hap pas hapi duhet të afrohemi në cdo sektor politik.
Vendimet politike janë të rëndësishme edhe për shefen e FMN-së, Christine Lagarde, e cila në një intervistë radiofonike jep mesazhin se javët e ardhshme janë thelbësore për Europën. Nëse gjatë këtyre javëve do të merren vendimet e duhura, jo vetëm në Eurozonë, por edhe në SHBA, Japoni dhe në ekonomitë kryesore emergjente, 2012-ta do të jetë më i mirë se sa e kemi parashikuar, por shton Lagarde, vetëm nëse merren vendimet e duhura.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›