E Shtunë, 31 Tetor 2026

FED Politika monetare e pandryshuar deri ne 2014

Rezerva Federale amerikane ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë të dollarit deri në vitin 2014. Pas mbledhjes së fundit të bordit drejtues, BQA-ja ka marrë vendimin të mbajë normën bazë të interesit mes zero dhe 0,25%. Politika monetare sipas raportit të Rezervës Federale synon të mbetet e përshtatshme në funksion të ekonomisë. Kjo shpjegohet sipas këtij institucioni, për disa arsye. Së pari ngadalësimi i rritjes ekonomike globale, tensionet në tregjet financiare, depresioni i madh në sektorin imobiliar si dhe tkurrja e shpenzimeve për investimet. Në raportin e BQA-së, ekonomia është në një fazë të moderuar zgjerimi, por mbetet ende e lartë norma e papunësisë, pavarësisht se disa tregues shënojnë një përmirësim të mëtejshëm të tregut të punës. Aktualisht norma e papunësisë në SHBA qëndron në kuotën e 8.5%, pika më e ulët që nga muaji shkurt i vitit 2009. Ndërkohë që sipas Rezervës Federale, tregu i punës pritet të ketë përmirësime me një rënie graduale të papunësisë. Një nga shkaqet e tjera që Rezerva Federale Amerikane ka mbajtur të pandryshuar politikën e saj monetare është edhe kriza e zgjatur e borxheve në Europë, kryesisht situata në Greqi, e cila mban ende pezull shqetësimin se në rast të nja dështimit të marrëveshjeve, vendi mund të nisë një krizë tjetër bankare si ajo e vitit 2008. Që nga fundi i vitit 2008, kur rënia e tregut të shtëpive në SHBA nisi një reaksion zinxhir që çoi në rënie ekonominë reale, FED ka ndjekur një politikë fiskale liberale që ka përfshirë norma të ulëta interesi si dhe gati 3 trilionë dollarë në blerjet e bonove në përpjekje për të rimëkëmbur ekonominë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›