E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkel: Kriza ekonomike nuk pengon integrimin e Ballkanit

ZAGREB- “Kriza financiare e Euro-zonës nuk do të vërë në rrezik procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian” Kështu është shprehur kancelarja gjermane Merkel gjatë një interviste dhënë televizionit publik kroat në prag të vizitës së saj në Kroaci dhe Serbi, vizitë e cila do të nisë pasditen e sotme në Zagreb.

Edhe pse Greqia, Portugalia dhe Irlanda kanë vështirësi, nuk do t'i privojmë vendet e tjera nga perspektiva e tyre europiane, u shpreh Merkel, duke nënvizuar se koha e afrimit të vendeve ballkanike në BE do të varet nga respektimi prej tyre i kritereve të Brukselit. “Bashkëpunimi i Serbisë me Kosovën ka rëndësi, Bosnja ka nevojë për një qeveri të re qëndrore ndërsa Maqedonia do të duhet të zgjidhë mosmarrëveshjen me Greqinë në lidhje me emrin e saj”, tha Merkel.

Në agjendën e zonjës Merkel është takimi me presidentin kroat, Ivo Josipoviç, dhe me kryeministren Jadranka Kosor. Mediat raportojnë se Merkel do t'iu kërkojë autoriteteve kroate të vazhdojnë reformat dhe masat kundër korrupsionit. Kroacia pritet t'i bashkohet BE-së në verë të 2013-ës. Ndalesa e dytë e zonjës Merkel në Ballkan, do të jetë Serbia. Pak ditë para nisjes Merkel i bëri thirrje Beogradit të rifillojë dialogun me Kosovën.
(s.g/rel/balkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›