Merkel: Nuk do pranojmë kurrë ndarjen e Kosovës
Kancelarja Gjermane, Angela Merkel shprehu edhe një herë gatishmërinë e shtetit të saj për të ndihmuar Republikën e Kosovës në të gjitha fushat. Këtë përkushtim ajo e bëri të qartë gjatë takimit që zhvilloi të entjen me presidentin e Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu. Ky i fundit është shoqëruar në vizitën e tij në Berlin, nga ministrat Skënder Hyseni, Ahmet Shala e Lutfi Zharku, si dhe nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Berlin, Vilson Mirdita. Kancelarja Merkel theksoi se integriteti territorial i Kosovës është i pacenueshëm. "Ne kurrë nuk do ta pranojmë ndarjen e Kosovës. çështja e statusit të Kosovës është e vendosur një herë e përgjithmonë dhe këtë ia kemi thënë edhe Serbisë", tha kancelarja Merkel, duke shtuar se Kosova është guri i fundit i një rendi të ri në Ballkan. Kancelarja Merkel përkujtoi gjithashtu se Gjermania është aktive edhe në planin e sigurimit të njohjeve të reja të Republikës së Kosovës. Kemi interes të përbashkët që Kosova të zhvillohet, tha Merkel. Duke përkujtuar në këtë plan marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe Gjermanisë, ajo shprehu edhe një herë përkushtimin e shtetit të saj për të ndihmuar në zhvillimin ekonomik të Kosovës, por edhe në fusha të tjera.
Presidenti Sejdiu falenderoi Gjermaninë për përkrahjen që ky shtet i ka dhënë Kosovës. Ai kërkoi nga kancelarja gjermane që të inkurajojnë investitorët gjermanë për të investuar në Kosovë, duke ndikuar kështu drejtpërdrejt në rritjen e nivelit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, por edhe për të rritur më tej shkallën e zhvillimit ekonomik të vendit.