Merkel-Sarkozi, mbështetje Shqipërisë për integrimin dhe aplikimin në BE
Kandidatura e Shqipërisë për statusin kandidat për në BE po fiton mbështetje të gjerë. Kreu i qeverisë, Sali Berisha, mori pjesë në punimet e samitit të Partive Popullore Evropiane ku merrnin pjesë mjaft prej homologëve të tij, si Kancelarja gjermane, Merkel, Presidenti francez, Sarkozi, Karamanlis, presidenti i Komisionit, Barrozo, ai i Parlamentit Evropian, Potering etj. Kryeministri Berisha tha se aplikimi në Bashkimin Evropian po diskutohet. Ai shtoi se është marrë një mbështetje e gjerë. “Gjithçka bëhet në ujdi dhe unë nuk do të bëja një hap pa presidencën çeke. Ajo është normale që konsultohet me të gjitha vendet e tjera”, - deklaroi Berisha. Duke folur për zgjedhjet në Shqipëri, Berisha garantoi homologët e tij se procesi do të jetë tërësisht i lirë dhe i ndershëm. Ai theksoi se qytetarët po pajisen me dokumente identiteti të teknologjisë së lartë. “Por, a qëndrojnë zgjedhjet një problem për Shqipërinë? Plotësisht! Dhe unë e pranoj atë dhe Shqipëria duhet të testojë vullnetin e hekurt për zgjedhje të lira dhe të ndershme, sepse ka ngelur i vetmi vend me zgjedhje të diskutueshme. Kjo nuk mund të vihet në diskutim”, - tha Berisha.