Përkujtohet Dita Ndërkombëtare e Frankofonisë
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Frankofonisë, zhvilloi dje në selinë e ministrisë një ceremoni zyrtare. Në fjalën e tij, ministri Basha vuri në dukje rëndësinë që i kushton qeveria shqiptare nxitjes së vlerave të përbashkëta kulturore e politike të Frankofonisë, në dritën e diversitetit të kulturave, të dialogut të qytetërimeve e të multilinguizmit. Ai tha se festimi i 20 Marsit është një rast për të shpallur ngjyrat e larmishme të Frankofonisë Shqiptare, e cila përfaqëson një përmasë të jashtëzakonshme intelektuale dhe që angazhohet çdo ditë për forcimin e statusit të frëngjishtes, nëpërmjet kontributeve të shumëfishta në fushat e kulturës, të letrave, të arsimit dhe shkencës, të medias dhe jetës publike. Një numër personalitetesh të jetës politike dhe publike u nderuan nga ana e ministrit të Punëve të Jashtme me “Çmimin e Personalitetit Frankofon të Vitit 2009” për kontribute të shquara dhe angazhim aktiv në drejtim të nxitjes së vlerave të Frankofonisë, në plan kombëtar e ndërkombëtar. Në këtë ceremoni morën pjesë personalitete të shumtë.
Kristina: Reformat futën vendin në NATO
Zëvendësambasadori amerikan në Tiranë, Stefën Kristina, deklaroi dje gjatë konferencës për NATO-n se anëtarësimi për Shqipërinë erdhi për shkak të realizimit të reformave. Ai inkurajoi më tej autoritetet shqiptarë që të impenjohen më shumë për realizimin e reformave, duke kujtuar se nga anëtarësimi në NATO do të ketë përgjegjësi të reja për vendin. “Anëtarësimi në NATO nuk është fundi i procesit, por vetëm fillimi. Ne inkurajojmë Shqipërinë dhe Kroacinë që të vazhdojnë reformat politike, ekonomike dhe ushtarake në mënyrë që të mund të japin një kontribut sa më të madh në këtë Aleancë të shkëlqyer historike”, - tha Kristina.