E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvend, qeveria merr kompetencat e bashkive

Me votat kundër të opozitës dhe PBDNJ-së, Kuvendi kalon ndryshimet në ligjin për legalizimet. Miratohet edhe ndryshimi në ligjin për urbanistikën.


TIRANË- Kuvendi ka ligjëruar dje të drejtën e qeverisë për të marrë kompetencat e pushtetit vendor për procesin e legalizimeve, në rast se ky i fundit nuk i ushtron ato brenda një afati të caktuar. Me votat kundër të opozitës dhe deputetëve të PBDNJ-së, shumica qeverisëse ka mundur të miratojë me 63 vota pro, ndryshimin e ligjit për "Legalizimin, Urbanizimin dhe Integrimin e Ndërtimeve pa Leje". Me pothuajse të njëjtat vota, mazhoranca ka miratuar edhe ndryshimin e ligjit për urbanistikën, nëpërmjet të cilit u bë e mundur ulja me 9 herë e tarifës së taksës, që investitorët duhet t'u paguajnë njësive të qeverisjes vendore, për bërjen e studimit urbanistik.

Legalizimet


Në rast se organet e pushtetit vendor nuk arrijnë që, brenda afateve të përcaktuara në ligj, të kryejnë përgjegjësitë e tyre lidhur me procesin e legalizimit, atëherë qeveria mund t'ia marrë ato dhe t'ia transferojë Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Ndërtimeve pa Leje. Ky është thelbi i amendamentit që ka miratuar dje seanca plenare, pavarësisht se opozita e ka konsideruar atë, në vazhdimësi, si në kundërshtim me parimin e autonomisë së pushtetit vendor.

Ashtu si edhe në komision, deputetët e majtë e kanë kundërshtuar fort këtë ndryshim, duke argumentuar se ai injoron vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pasi bie ndesh me frymën e komentit, me të cilin kjo gjykatë shoqëroi vendimin e saj. "Po i bëni karshillëk Gjykatës Kushtetuese, pasi përsëri po i merrni kompetencat pushtetit vendor, për ta përdorur procesin e legalizimeve për interesat tuaja politike.

Pushteti vendor i bën më mirë këto punë sesa Shaban Memia", - tha kreu socialdemokrat, Skënder Gjinushi. Ndërsa ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, duke mbrojtur ligjin, ka theksuar se amendimi i ligjit bëhet për ta shpëtuar procesin nga bllokimet e paarsyeshme që mund të bëjnë njësi të caktuara të qeverisjes vendore dhe se ai vjen në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.


Urbanistika


Një tjetër ligj që ka kaluar pa konsensusin e opozitës, ka qenë edhe ai për urbanistikën, i cili parashikon që për projektet e infrastrukturës, për ndërtimin e rrugëve kombëtare, të porteve, aeroporteve, tuneleve, digave, ndërtimit të infrastrukturës në energji, përfshi makineritë dhe pajisjet për projektet, përpara marrjes së dokumentit të lejes së ndërtimit, kompanitë duhet të paguajnë 0.1 për qind të vlerës së investimit, që depozitohet në llogari të financimit të studimeve urbanistike të pushtetit vendor dhe jo 1 për qind, sa ka qenë deri më tani. Megjithatë, kjo zbritje nuk do të jetë asnjëherë më e vogël se vlera e nevojshme për të financuar studimet që pushteti vendor duhet të bëjë për këto investime të infrastrukturës. Pikërisht ky ndryshim ka provokuar jo pak debate mes deputetëve të shumicës qeverisëse dhe opozitës, të cilat kanë bërë vlerësime të ndryshme për nismën që i paraqitet Kuvendit për miratim.


Sipas deputetit socialist, Arben Malaj, ndryshimi bëhet për qëllime korruptive dhe elektorale, për të favorizuar kompani të ndryshme që të nisin sa më parë projektet e tyre tani në prag të fushatës zgjedhore. Ndërkohë, ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, ka shpjeguar se vitet e fundit, qeveria ka autorizuar ndërtimin e projekteve të infrastrukturës, siç janë hidrocentralet, rrugët apo tunelet, për të cilat aplikimi i tarifave të tilla prej 1 për qind, ka sjellë një detyrim të konsiderueshëm financiar për sipërmarrësit apo investitorët, pasi bëhet fjalë për investime në shuma të mëdha dhe, për rrjedhojë, do të kalonte çdo lloj studimi urbanistik që mund të duhej në këto zona. Për këtë arsye, është parë e arsyeshme që të propozohet reduktimi i kësaj takse në masën e 0.1 për qindëshit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›