Basha: NATO, BE, Kosova, përgjigjet tona ndaj skeptikëve
Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, në konferencën e 13-të kombëtare të Shoqatës Kombëtare të Atlantikut të Veriut, deklaroi se në katër vitet e fundit, Shqipëria arriti të thyente brengën shekullore, duke u afruar drejt lirisë. Ai tha se në këto vite, anëtarësimi në NATO, hyrja në fuqi e MSA-së, afrimi me BE-në, pavarësia e Kosovës, si dhe dialogu i avancuar për liberalizmin e vizave, janë përgjigjet më të qarta ndaj çdo skeptiku të këtyre proceseve. “Kombi ynë po largon njëherë e përgjithmonë brengën shekullore për një ekzistencë të lirë dhe të sigurt. Pas kësaj, të gjithë së bashku mund të shohim të sigurt drejt së ardhmes tonë evropiane, e cila po materializohet dita-ditës me intensifikimin e pandërprerë të proceseve integruese të vendit drejt BE-së”, - tha Basha. Ministri i Punëve të Jashtme i cilësoi pavarësinë e Kosovës, samitin e Bukureshtit dhe samitin e ardhshëm të Starsburg-Kehlit si tre gurët kilometrikë të rrugës së pakthyeshme të Ballkanit Perëndimor drejt paqes, stabilitetit dhe vlerave të Evropës së lirë dhe demokratike. “Kurrë më parë, siguria e rajonit tonë nuk ka qenë më lart se sot dhe perspektiva për paqe dhe zhvillim afatgjatë, kaq e prekshme”, - theksoi ministri. Në fund të fjalës së tij, Basha tha se vendi ndodhet në dialog të avancuar për liberalizimin e vizave si dhe është i përqendruar në aplikimin e statusit kandidat. “Tashmë jemi në një fazë të avancuar të dialogut për liberalizimin e plotë të vizave në zonën Shengen për qytetarët shqiptarë dhe në një bashkëpunim konstant me institucionet evropiane për të koordinuar aplikimin e shpejtë për vend anëtar në Bashkimin Evropian”, - deklaroi Basha.