Meta kërkon nga Indonezia reflektim politik për Kosovën
Gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork, për pjesëmarrjen në Sesionin e 64-t të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Zv/kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, u takua me homologun indonezian, Hasan Uirajuda. Ata trajtuan kryesisht çështje të bashkëpunimit dypalësh, situatën në rajon e në veçanti çështjen e Kosovës. Zoti Meta vuri në dukje rëndësinë që Shqipëria i kushton marrëdhënieve me Indonezinë dhe vlerësoi rolin e këtij vendi në rajon e në organizmat ndërkombëtare. Meta u shpreh për shtimin e kontakteve midis dy ministrive të jashtme në të gjitha nivelet, si dhe kompletimin e kuadrit ligjor të bashkëpunimit reciprok. Në lidhje me çështjen e Kosovës, Ministri i Jashtëm shqiptar vuri në dukje se pavarësia e Kosovës është një fakt dhe proces i pakthyeshëm, i cili ka ndikuar mjaft pozitivisht në stabilitetin dhe sigurinë e rajonit. Duke respektuar qëndrimin e palës indoneziane për çështjen e Kosovës, Meta shprehu dëshirën që ky realitet të njihej e reflektohej edhe në politikat e qeverisë indoneziane. Përfaqësuesit shqiptarë në OKB po lobojnë fort për njohjen e mëtejshme të Kosovës, gjë që ka irrituar Serbinë. Pas protestës së djeshme mbi praninë e delegacionit kosovar gjatë fjalimit të Kryeministrit Berisha, Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, ka dërguar një letër që përmban një “notë proteste serioze mbi praninë e delegacionit të Kosovës në selinë e OKB-së, dhe kërkoi hetim për mënyrën se si ka mundur të ndodhë kjo”. Ai shtoi se Sejdiu dhe anëtarët e delegacionit të Kosovës janë qytetarë privat dhe nuk mund të lejohen të ndjekin sesionet e Asamblesë së përgjithshme të OKB-së.