E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkel kërkon reforma

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka diskutuar në Bruksel me shefat e klubeve parlamentare të parlamenti Euriopian. Ajo synon të mënjanojë gabimet e bëra me rastin e themelimit të unionit monetar evropian, për çka kërkon ndryshimin e marrëveshjeve.

Shefat e klubeve parlamentare të Parlamentit Europian patën rastin që të shohin një kancelare konkrete dhe serioze, e cila para tyre i shpalosi pikëpamjet e saj për krizën evropiane, por edhe i elaboroi rrugët për zgjidhjen e problemeve të mbledhura brenda Bashkimit Europian.

Në fakt, Angela Merkel gëzon një respekt të madh në Parlamentin Europian, dha atë jo vetëm si shefe e Qeverisë së Gjermanisë, respektivisht të shtetit të rëndësishëm evropian, por edhe më të suksesshmit gjatë gjithë kohës së krizës. Para klubeve parlamentare ajo u prezantua edhe si një evropiane e bindur, por edhe si partnere e Parlamentit. Në fjalimin e saj parimor, Merkel fillimisht theksoi se: “Liria të cilën evropianët e fituan me rënien e Murit, do të duhej që tani të jetë një nxitje për ndryshimet e domosdoshme”.

Çështjet e ndjeshme të sovranitetit nacional

Sipas kancelares Merkel, tani është koha e fundit për këto ndryshime. E në mesin e tyre nuk vetëm konsolidimi i buxheteve shtetërore, por edhe më tepër disiplinë dhe kontroll, në mënyrë që të mos mund të përsëritej dukuria aq e lartë e borxheve. Veç kësaj, evropianët nuk do të duhej të hezitonin as për ndryshimin afatgjatë të marrëveshjeve ekzistuese.

“Duhet të gjejmë rrugën e duhur për ta stabilizuar për një afat të gjatë ekonominë dhe unionin monetar, por duke i eliminojmë gabimet nga koha e themelimit të Unionit”, tha Merkel.

Gjatë samitit të muajit dhjetor të BE’së, shefat e shteteve dhe qeverive do të duhej të miratonin “Një plan ambicioz të reformave, për dy deri tri vitet e ardhshme”, sqaroi ajo tutje.

“Nuk ekziston asnjë shembull për zgjidhjen e krizës aktuale. Bashkimi Evropian është një konstruksion unik, prandaj duhet ta bëjmë atë për çka edhe njihet Europa - ta aktivizojmë shpirtin tonë kreativ. Duhet të gjejmë

zgjidhje të reja”, shtoi ajo.

Kështu, për shembull, sipas Merkel, institucionet evropiane do të duhej ta kenë “të drejtën që të intervenojnë në buxhetet nacionale”. Veç kësaj, nevojitet edhe një koordinim më i madh edhe atëherë kur “të preket vetë thelbi i sovranitetit”. Merkel pra këtu mendon për fushat tejet të ndjeshme, siç janë politikat e tregut dhe ato të tatimeve.

Shpëtimi në një shtet evropian?

Disa prej shefave të grupeve parlamentare kritikuan politikën e kursimeve në shtete e goditura nga kriza, siç janë Greqia, Portugalia dhe Spanja.

Kryesuesi i Klubit Parlamentar të Socialistëve, Hanes Svoboda, kërkoi që të përfundohet me “eksperimentin e pasuksesshëm të politikës së kursimit”, dhe të kalohet në politikën e rritjes ekonomike. Mendim të ngjashëm shprehu edhe Rebecca Harms, nga Klubi i të Gjelbërve, përderisa shefi i Liberalëve, Guy Verhofstadt, u angazhua për obligacione të përbashkëta evropiane.

“Euro mund edhe të zhduket, po qe se ne nuk e themelojmë një shtet evropian, një qeveri të njëmendët evropiane, një demokraci evropiane, me buxhet të vërtetë dhe me obligacione të vetat”, theksoi Verhoftadt.

Kursi i fortë s’ka alternativë

Por, këto obligacione Merkel i refuzon, për shkak se, sipas saj, kamatat e ulëta zvogëlojnë edhe presionin për disiplinë, i cili është i domosdoshëm për konsolidim.

“Nëse ne i mbyllim sytë [para realitetit], atëherë nuk do të mund ta sigurojmë mirëqenien”, theksoi Merkel, sipas së cilës këto përpjekje tashmë po japin rezultate në vendet si “Irlanda, Portugalia, Spanja, madhe edhe Greqia...”

Një ishull gjithnjë e më i vetmuar

Pas shfaqjes së saj në Bruksel, Merkel udhëtoi drejt Londrës. Debati i atjeshëm kaloi në shenj të përballjes së kancerales me Britaninë e Madhe. Kryeministri britanik, David Cameron, kërcënoi se do ta bllokojë buxhetin e ardhshëm shumëvjeçar të Bashkimit Europian, i cili, sipas tij, është tepër i lartë.

Disponimi në Britani është goxha anti-europian, dhe gjithnjë e më shumë ka të atillë që kërkojnë daljen e vendit nga BE’ja, këtë madje e bëjnë edhe në Parlamentin Europian. Në mesin e të tillëve, tradicionalisht, është edhe euro-deputeti Nigel Farage, nga Partia e Pavarur, i cili haptas angazhohet për “një ndarje miqësore”.

“Unë dua një Britani të Madhe të fuqishme në Bashkimin Europian, sepse kjo është edhe në interes të Britanisë”, nënvizoi Merkel gjatë qëndrimit në Londër.

“Nuk besoj që është mirë të jeni të vetmuar në një botë në të cilën jetojnë shtatë miliardë njerëz. Nuk besoj se kjo është gjë e mirë për Britaninë e Madhe”, përfundoi ajo.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›